Pretendimi: Baba Vanga parashikoi rënien e regjimit të Assad dhe më pas nisjen e Luftës së Tretë Botërore
Verdikti: E paprovuar
—————————————————————-
Teksa afrohet fundi i vitit dhe fillimi i një tjetri një numër portalesh shqipfolëse po botojnë lajme alarmuese që pretendojnë se ‘parashikuesja’ bullgare Baba Vanga ka paralajmëruar se në vitin 2025 do të ndodhin një sërë ngjarjesh katastrofike në botë.
Këto lajme kanë marrë hov së fundmi pas rrëzimit të regjimit të Assad në Siri, që pretendohet se ishte parashikuar nga Baba Vanga si një prelud i “fillimit të Luftës së Tretë Botërore, ku Lindja do të fitojë mbi Perëndimin”.
Portalet shqiptare i referohen si burim një artikulli të publikuar në median britanike Daily Star, e njohur si një tabloid për lajme sensacionale. Vetë artikulli i tabloidit nuk prezanton burimin e këtij parashikimi mbi rënien e regjimit të Assad nga parashikuesja bullgare, por ky lajm duket se është shfaqur për herë të parë në fillimin e dhjetorit në mediat indiane. Këto të fundit janë bazuar për të provuar parashikimin mbi Sirinë mbi diskutimet online në grupet e ndjekësve të Baba Vangës. Deri përpara arratisjes së Bashar al- Assad dhe rënies së vendit në duart e grupeve rebele ky parashikim nuk ishte bërë i njohur nga këta adhurues.
Megjithatë, lexuesit nuk duhet të dëshpërohen ende nga parashikimet e Baba Vanga për vitin 2025.
Baba Vanga, një grua e verbër dhe gjysëm analfabete nga Bullgaria, raportohet të ketë parashikuar saktë një sërë ngjarjesh të rëndësishme historike nga ndjekësit e saj. Fatkeqësisht, megjithatë, ajo vdiq në 1996 pa i shkruar parashikimet e saj. Kjo ia lehtëson punën atyre që duan t’i atribuojnë asaj lloj-lloj parashikimesh. Duke qenë se nuk ka prova me shkrim për parashikimet e saj, zonja Vanga mund të detyrohet të thotë çfarë të dojë çdokush.
Sipas një raportimi nga Colitco, akademikja dhe ekspertja e Baba Vangas, Viktoria Vitanova-Kerber tha: “Ajo nuk ishte dikush që mbante ditarë ose regjistronte profecitë e saj. … Nuk ka pothuajse asnjë të dhënë të shkruar për atë që ajo tha në të vërtetë, duke e bërë të pamundur verifikimin e këtyre pretendimeve.”
Colitco vijon:
“Pra, nëse nuk ka të dhëna zyrtare, nga kanë ardhur këto parashikime? Vitanova-Kerber beson se shumë nga këto pretendime rrjedhin nga njerëzit që e vizituan Baba Vangën kur ajo ishte gjallë.
Vite më vonë, këta individë kujtojnë detaje të reja, duke thënë: “Oh, ajo më tha këtë dhe atë”, shpjegoi ajo. Për shembull, nëse Baba përmendi “një sëmundje të madhe” gjatë një leximi, njerëzit tani mund të supozojnë se ajo po parashikonte COVID-19.
Mbesa e Baba, e cila jetoi me mistiken, është një tjetër burim i këtyre parashikimeve. Sipas Vitanova-Kerber, mbesa pretendon se ka shkruar disa nga profecitë e Babës, por ende nuk ka dhënë ndonjë provë. Në një intervistë të vitit 2021, ajo madje sugjeroi që Baba e kishte parashikuar COVID-19 që në vitin 1988, por deklaroi se po pret “momentin e duhur” për të nxjerrë provat.”
Këto prova të pretenduara ende nuk janë bërë publike.
Gazeta bullgare 24 Chasa botoi në 2010 një artikull që përgënjeshtron një sërë parashikimesh që i atribuohen gabimisht Baba Vangës. Të afërm dhe miq të saj thanë për gazetën se Vanga njihej si parashikuese në komunitetin e saj për këshillat që ajo i jepte atyre që e vizitonin, por ajo nuk kishte parashikuar ndonjëherë katastrofa dhe luftra botërore.
Sipas miqve të saj, ajo fliste rrallë për politikën dhe nuk mendonte për fundin e botës. “Ajo ishte optimiste, i shihte gjërat e këqija, por gjithmonë jepte këshilla se si të jetoje më mirë.”
Sipas rrethit të afërt të Baba Vangës, parashikimet e saj sensacionaliste si ato për luftra apo fatkeqësi natyrore janë shpikur ose ekzagjeruar pas vdekjes së saj. “Tani është e lehtë, Vanga nuk është më, kështuqë nuk mbrohet dot. Ata i venë lloj-lloj budallëqesh në gojë,” tha mikja e saj Boyka Kostadinova.