Autoriteti Kombëtar i Ushqimit shprehet zyrtarisht se nuk kanë konstatuar tregtimin e qumështit në trotuare, në tregje apo dhe në vende, të cilat nuk janë të lejuara për tregtimin e tij. Gjithashtu AKU thekson se nuk është autoriteti përgjegjës për ushtrimin e kontrolleve për tregtimin e qumështit në rrugë. Një artikull i Faktoje në mes të muajit maj tregoi se si shitej qumështi me shishe 1.5 litërshe në rrugët e kryeqytetit, ndonëse ministrja e Bujqësisë Frida Krifca deklaroi se një fenomen i tillë nuk ishte më prezent në vendin tonë.
Në datë 5 maj, e ftuar në “Report TV”, ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca deklaroi se falë standartizimit të kapaciteteve prodhuese, nuk shitet më qumësht me pagure në rrugë.
“Ti sot nuk shikon më qumësht të shitur në pagure, në shishe plastike 1.5 litra nëpër rrugë. Kjo vjen falë faktit që kapacitetet prodhuese janë standardizuar, që kapacitetet përpunuese janë rritur”, deklaroi zonja Krifca.
Pas kësaj deklarate të ministres, më 10 maj Faktoje bëri një verifikim në një prej lagjeve më të populluara në Tiranë, në zonën e njohur si “Shkolla e Baletit”, ku konstatuam disa raste të shitjes së qumështit në rrugë nga tregtarë ambulantë.
Qumësht që shitet në rrugë, te zona e “Shkollës së Baletit”, 10 maj 2022
Të pyetur për sigurinë e qumështit që blinin nga tregtarët ambulantë që shitej në rrugë, qytetarët u shprehën se besojnë te personat që e blejnë këtë produkt, duke theksuar ndër të tjera se ka më shumë vlera ushqyese se qumështi i pasterizuar në supermarkete.
Pas konstatimit të këtij fenomeni, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Autoritetit Kombëtar të Ushqimit më 10 maj, ku e pyetëm nëse kishin konstatuar raste të tregtimit të qumështit jashtë standarteve, konkretisht në rrugë.
Kërkesa për informacion dërguar AKU, 10 maj 2022
Ne morën një përgjigje nga ky institucion më 18 maj, ku theksohet se AKU nuk është autoriteti përgjegjës për ushtrimin e kontrolleve për tregtimin e qumështit në rrugë. Mirëpo, sqaron se nga kontrollet e tyre nuk është konstatuar tregtimi i qumështit nga individë ose persona të paautorizuar në rrugë apo nëpër trotuare.
“AKU nuk ushtron kontrolle për tregtimin e qumështit në rrugë, por pavarësisht kësaj ju bëjmë me dije se gjatë kryerjes së kontrolleve zyrtare (inspektime në zbatim të planit vjetor) nuk është konstatuar tregtimi i këtij produkti në tregje apo dhe në vende, të cilat nuk janë të lejuara për tregtimin e tij dhe gjatë kësaj periudhe DRAKU-të nuk kanë konstatuar tregtimin e qumështit nga individë ose persona të pa autorizuar në rrugë apo nëpër trotuare”, thuhet në përgjigjen e AKU.
Më tej, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit garanton se: “Ky shqetësim i ngritur nga ana juaj do vazhdojë të jetë në fokusin e AKU dhe në rast të konstatimit të tregtimit të këtij produkti do të njoftohen menjëherë strukturat përkatëse”.
Ministri i Bujqësisë në maj të vitit 2018, Niko Peleshi garantonte se pamje të shitjes së qumështit në rrugë nuk do të shiheshin më, pasi Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të niste së shpejti bllokimin e kësaj tregtie.
Në korrik të vitit 2018, AKU njoftonte për bllokimin e 43 litra qumështi të shitur në rrugë, duke garantuar se nuk do të lejohej shitja e tij në bidonë dhe duke mos respektuar kushtet higjeno-sanitare.
Por, ku kanë kaluar 4 vite nga kjo deklaratë, qumështi vazhdon të shitet në rrugë dhe trotuare, ndërsa institucionet përkatëse përpiqen që të shmangin përgjegjësinë për fenomenin dhe rrezikun që mund t’u kanoset qytetarëve.