Autori i zjarrit në një autobus në Zvicër, jo me origjinë shqiptare

6

Pretendimi: Shqiptari spërkat me benzinë një autobus në Zvicër dhe i vë flakën, duke lënë 6 të vdekur.

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————

Një tragjedi e ndodhur në Zvicër më 10 mars 2026, po keqinterpretohet në rrjete sociale shqipfolëse ku pretendohet se një shqiptar ka spërkatur me benzinë një autobus dhe i ka vënë flakën, duke vrarë 6 persona.

Sipas raportimeve të mediave vendase, gjashtë persona vdiqën dhe pesë u plagosën në zjarrin që ra në një autobus në Kerzers, Freiburg. Autori i dyshuar i krimit ishte gjithashtu midis të vdekurve.

Megjithatë, në asnjë raportim nuk pretendohet se autori i dyshuar i zjarrit ishte shqiptar. 

Pasagjeri, i identifikuar si një burrë rreth të 60-ave nga Berna, hodhi benzinë mbi vete dhe i vuri flakën vetes. Ai ishte raportuar më parë i zhdukur nga familja e tij dhe nuk dukej se kishte ndonjë motiv të lidhur me terrorizmin, thanë autoritetet zvicerane.

“Një deklaratë dëshmitari tregoi se një burrë … me origjinë zvicerane hipi në autobus duke mbajtur çanta. Në një moment, ai u lye me një substancë të ndezshme dhe i vuri flakën vetes”, tha prokurori publik i kantonit Fribourg, Raphael Bourquin, në një konferencë për shtyp të mërkurën.

Philippe Allain, një komandant rajonal i policisë, u tha gazetarëve se hetuesit kanë marrë informacion se burri kishte probleme psikologjike.

Një shqiptar ishte në fakt mes të plagosurve të tragjedisë. Sipas medias zvicerane Blick, 32-vjeçari Faton Morina ishte në autobus kur ndodhi zjarrvënia dhe i tregoi menjëherë kushëririt të tij Arbi Berisha.

Një video që qarkulloi në rrjete sociale tregonte sekondat e para të zjarrit në autobus. Në video duket gjithashtu Morina duke thënë, në shqip, “O vëlla, një burrë ia vuri flakën vetes brenda. Ai derdhi benzinë ​​dhe ia vuri flakën vetes.”

Video nga momenti kur Faton Morina ka dalë nga autobusi

Morina pësoi lëndime në disa vende, “kryesisht në duar, hundë dhe këmbë”, tha Arbi Berisha. Fizikisht, kushëriri i tij është mirë. Megjithatë, “ai është aktualisht shumë i traumatizuar”.