Pretendimi: Atentati ndaj Trump-in u krye nga një demokrat që është pjesëtarë i ANTIFA
Verdikti: I pavërtetë
Barbara Halla
Atentanti ndaj ish-Presidentit Donald Trump më 13 korrik shkaktoi reagime të shumta në media dhe rrjetet sociale, ku njerëzit kërkuan shpjegime dhe informacione për këtë ngjarje të papritur. Në mediat shqiptare, kanë qarkulluar disa të pavërteta mbi këtë sulm, sidomos përsa i përket identitetit të sulmuesit, si dhe motivit të tij.
Një nga narrativat kryesore janë fokusuar tek bindjet e sulmuesit, i cili u identifikua si 20 vjeçari Thomas Matthew Crooks. Sipas këtyre artikujve, Crooks ishte një mbështetës i Biden dhe pjesë e grupimit ANTIFA. Por këto janë veç spekulime të bazuara në burime të dyshimta dhe paverifikuara. Hetimet mbi këtë çështje jane ende në vazhdim, dhe asnjë motiv apo përkatësi politike është verifikuar nga autoritetet zyrtare në SHBA.
Pretendimi se Crooks e identifikon veten si pjesë e grupimit ANTIFA nuk ka asnjë bazë, duke qenë se deri më tani FBI-ja nuk ka përcaktuar një motiv të saktë për veprimet e Crooks. Për më tepër, nuk ekziston një grupim i mirëfilltë me emrin Antifa: fjala ANTIFA vjen nga shkurtimin e fjalës “anti-fashist,” dhe është përdorur nga Trump dhe aleatët e tij për të përshkruar aktivistët e majtë që nga protestat anti-raciste të vitit 2020, kur një polic vrau George Floyd, një person me ngjyrë.
Sipas Qendrës për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare, termi antifa “i referohet një rrjeti të decentralizuar individësh që kundërshtojnë fashizmin, racizmin dhe ideologjitë e tjera të lidhura me to.”
Së dyti, pretendohet se Crooks është një mbështetës i Joe Biden. Në fakt, bindjet e Crooks nuk janë të qarta. Crooks ishte regjistruar si republikan në regjistrat partiakë të shtetit të Pensilvanisë. Në janar 2021, para se ai të arrinte moshën kur mund të votonte, Crooks duket të ketë bërë një donacion prej $15 për Projekti Progressive Turnout, një organizatë e lidhur me demokratët. Qëllimi i këtij grupi është të nxisë demokratët të votojnë. Një zëdhënës i organizatës i tha CNN se “adresa e emailit e lidhur me kontributin dha vetëm një kontribut dhe ishte çregjistruar nga listat tona 2 vjet më parë.”
Artikulli përfshin postime nga faqe amatore në portalin Twitter/X me një video ku dikush thotë: “Unë jam Thomas Matthew Crooks. E urrej Trump, i urrej republikanët. E dini të vërtetën? Kanë kapur personin e gabuar.” Por personi në fjalë nuk është Cooks, pasi ky i fundit në fakt u vra nga forcat speciale që mbronin Trumpin, pak pas atentatit, siç e kanë verifikuar dhe autoritetet.
Pretendohet po ashtu se Crooks ka lidhje me firmën e investimeve Blackrock, pasi ai ka dalë në një reklame të përgatitur nga kompania. Reklama e vitit 2022, u filmua në shkollën e mesme Bethel Park, ku Crooks ishte student në atë kohë. BlackRock filmoi reklamën, e cila synonte mësuesit si klientë të fondit të pensioneve, në një klasë të udhëhequr nga një mësues i vërtetë dhe ku shfaqeshin studentë të vërtetë. Crooks ishte një nga ata studentë, tha BlackRock për CBS MoneyWatch. Ai nuk u pagua dhe as nuk u punësua nga kompania si aktor.
Si përfundim, hetuesit amerikanë, të cilët kanë intervistuar familjarë dhe kanë analizuar të dhënat e kompjuterit dhe telefonit të Crooks, nuk kanë gjetur asnjë provë se Crooks ishte i motivuar ideologjikisht ose kishte lidhje me agjentë të jashtëm. Ata kanë përcaktuar se ai ka vepruar i vetëm, duke përdorur një pushkë të stilit AR-15 të blerë nga babai i tij në 2013. Sipas gazetës Washington Post, “sulmet pa motivim të qartë nuk janë të pazakonta dhe janë rritur. Studiuesit argumentojnë pjesërisht si një reflektim i ideologjive që qarkullojnë në mediat sociale dhe platformat e lojërave, duke krijuar një supë toksike ankesash pa agjendë politike kohezive.” Pra, pavarësisht se shënjestra e Crooks ishte një politikan, nuk do të thotë se Crooks ka pasur motive politike, ndërsa hetuesit po shohin dhe pista të tjera, si sëmundjet mendore apo dëshira për famë.
Washington Post e ka lidhur këtë sulm, me sulme të tjera me armë që kanë ndodhur në SHBA në vitet e fundit, duke përfshirë sulmin ndaj të shoqit të politikanës demokrate Nancy Pelosi në vitin 2022, apo vrasjes në masë të 60 personave përgjatë një festivali muzike country në vitin 2017. Kjo tregon se motivet e personave si Crooks nuk janë gjithmonë të qarta, dhe ndërsa hetime vazhdojnë, teoritë e konspiracionit përkeqësojnë situatën politike në SHBA, katër muaj nga zgjedhjet presidenciale.