Pretendimi: Atentatori i dytë i Donald Trump është shfaqur në një reklamë të kompanisë BlackRock

Verdikti: E pavërtetë

————————————————-

Pas një atentati të dështuar kundër ish-presidentit dhe kandidatit për president amerikan Donald Trump më 15 shtator, në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se autori Ryan Routh është shfaqur në një reklamë të kompanisë BlackRock. 

Ky pretendim duket se ka lindur nga fakti që atentatori i parë i Trump, Thomas Matthew Crooks, ishte shfaqur në sfondin e një reklame të BlackRock në 2022. Kjo lidhje e përsëritur përdoret në rrjet si dyshim për përfshirje të kompanisë më të madhe në botë të investimeve në këto atentate ndaj Trump. 

Megjithatë, pretendimi se Routh ka qenë në një reklamë të BlackRock nuk shoqërohet me ndonjë provë mbështetëse, si ndonjë klip apo imazh nga reklama në fjalë.

Firma e investimeve BlackRock tha për AFP se pretendimet që po qarkullojnë në rrjet janë “krejt të rreme.” “Ryan Routh nuk ka qenë kurrë punonjës i BlackRock dhe as nuk është shfaqur në ndonjë reklamë të BlackRock,” tha një zëdhënës i kompanisë.

Një video që po qarkullon online me pretendimin se tregon Routh në reklamën e BlackRock në fakt është marrë nga një protestë pro-Ukrainës në 2022.

Routh akuzohet se ka shkuar në resortin e golfit Trump në Florida të dielën, i armatosur me një pushkë SKS. FBI gjeti armën, dy çanta shpine dhe një kamerë GoPro.

Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë pretendime lidhur me Ryan Routh.