Nga Sebi Alla– Me çantë me libra në shpinë, mbesa 8-vjeçare e Sanije Brashës zbret përtueshëm nga një furgon që e dërgon dhe merr çdo ditë nga shkolla “Sabaudin Gabrani” në afërsi të 21 Dhjetorit në zonën e Astirit, 3.5 kilometra largësi, shpesh mes kaosit të trafikut. “Shumë keq është çështja e shkollës për fëmijët, e kemi problem kryesor”, thotë për Faktoje.al 63-vjeçarja, që gjithsesi refuzon t’i bëhet një foto, me “argumentin” se: “nuk dua të ngatërrohem me politikën në këtë kohë zgjedhjesh”.
Punimet
Rreth 300 metra larg vendit ku Sanija pret e përçjell mbesën, punohet ngadalë nga një ekskavator i vogël për sistemimin e truallit të Shkollës së re 9-vjeçare, vend të cilin e vizitoi pak ditë më parë, kryeministri Rama, kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani dhe Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ndërsa në dy shkollat e tjera të premtuara, trojet e tyre mbulohen nga mbetjet dhe ferrat.
Problematika
Për shumë vite banorët e dy lagjeve të kryeqytetit me rreth 70 mijë banorë detyrohen t’i dërgojnë fëmijët në shkollat publike në Kombinat, dhe dy shkollat e tjera, “Sabaudin Gabrani” dhe “Gustav Majer”, që ndodhen përkatësisht pranë 21 Dhjetorit dhe ish-Parkut. Në këtë zonë ka vetëm çerdhe publike, ndërsa mungojnë objektet për kopshtet, asimin parashkollor, ciklin e ulët, 9-vjeçar dhe të mesëm.
Shkolla për fushatë
Për zonën e Yzberishtit dhe Astirit është premtuar dhe parashikuar prej tetë vitesh ndërtimi i tre shkollave të reja, nga cikli fillor, deri në arsimin e mesëm. “Ajo shkollë, që ne shohim sot është sipas moduleve që ne kemi për shkollat e reja, ku e maksimizojmë hapësirën për të pasur sa më shumë klasa dhe kapacitet, planifikohet për 900 nxënës për ciklin 9-vjeçar dhe nga ana tjetër e rrugës do të jetë kopshti dhe çerdhja për më shumë se 250 fëmijë, duke pasur 2 klasa çerdhesh dhe 4 klasa kopshti, ” shpjegoi për kryeministrin, kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani.
Trualli
Tre ditë nga prezantimi publik, mesditën e së mërkurës (30 Prill) në këtë zonë (nga një vëzhgim në terren i Faktoje.al) shihen disa makina të tonazhit të rëndë që qëndrojnë të parkuara dhe një ekskavator i vogël që sistemon pjesën perëndimore të truallit ku parashikohet ngritja e objektit arsimor.

Vlera e ndërtimit të kësaj shkollë është 297.893.376,48 lekë me TVSH me investitor Bashkia Tiranë dhe afati u punimeve parashikon 12 muaj kalendarike. Puna vijon, por duket me intensitet të ngadaltë, ndonëse afati parashikon përfundimin e objektit brenda 12 muajve.

Premtime të riciklueshme
Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, përveç shkollës në Astir, solli si “model” edhe dy objekte të tjera arsimore. “Kemi dhe modelet e 2 shkollave të tjera që do të vazhdojnë më tej në Yzberisht për shkollë të mesme dhe 9 vjeçare me po të njëjtat kapacitete; shkolla e mesme është për 600 nxënës të shkollës së mesme dhe shkolla 9 vjeçare për 900 dhe pastaj njësoj çerdhja dhe kopshti në ambientin e shkollës 9 vjeçare që do t’i shërbejë zonës së Yzberishtit”, tha ajo.
Shkollat fantazmë
Po ku është “shkolla që vazhdon” në Yzberisht? Faktoje.al ishte pikërisht në zonën e përcaktuar për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare dhe të mesme në Yzberisht. Një territor i rrethuar me kangjella, por i mbushur me mbetje, pirgje inertesh dhe ferra të harlisura.
Afatet
Katër vite më parë, Erion Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë deklaronte për tre shkolla që do zgjidhnin përfundimisht problemin në dy lagje, Yzberisht dhe Astir. “Do fillojmë shumë shpejt me 3 shkolla, 2 në një anë të Lanës, 1 në anën tjetër”, tha Veliaj në vitin 2021, pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare. Ndërsa reagimin më të fundit kryebashkiaku që ndodhet në masën “arrest me burg” e pati nëpërmjet rrjetit social Facebook. “U jam vërtet mirënjohës nga zemra banorëve që u treguan kaq të durueshëm, dhe falenderoj kolegët që punuan për ta bërë realitet këtë premtim. Mezi pres të shoh së shpejti nisjen e punës edhe për ndërtimin e gjimnazit të ri, po aq të domosdoshëm, në këtë zonë të Tiranës”.

Përfundimi
Ndërtimi i tre shkollave në lagjet Yzberisht dhe Astir në Tiranë, nisur edhe nga verifikimi në terren, konsiderohet ende premtim i pambajtur. Në tetë vitet e fundit ky ka qenë premtimi kryesor, sidomos në periudhë fushatash për zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Në zgjedhjet e 2021, rreth 52% e votave në këto zona shkuan për Partinë Socialiste.