EDIT NIKOLLI
Kur ka kaluar më shumë se një vit nga tërmeti i 26 nëntorit, banorët e Golemit ende presin përfundimin e rindërtimit të shtëpive, i cili po rezulton i vonuar. “Faktoje” më anë të vëzhgimit në terren dhe informacionit të siguruar nga përfaqësues të njësisë administrative, konstatoi se deri në javën e tretë të dhjetorit nuk ka përfunduar asnjë shtëpi nga 19 gjithsej të planifikuara për t’u rindërtuar.
Më 19 gusht ministri i rindërtimit Arben Ahmetaj gjatë një inspektimi në zonën e planifikuar për ndërtimin e 19 banesave individuale në Golem, deklaroi:
“Deri në fund të këtij viti një pjesë e mirë e familjeve që kanë humbur shtëpitë nga termeti i 26 nëntorit do festojnë vitin e ri në shtëpitë e tyre të reja”-duke shtuar se në gjithë bashkinë e Kavajës po ndërtohen mbi 140 shtëpi individuale dhe se ritmi i njësive individuale ishte përshpejtuar.
“Faktoje” më 21 dhjetor bëri një vëzhgim në njësinë administrative Golem, mbi ecurinë e procesit të rindërtimit.
Fillimisht takuam përfaqësues të kësaj njësie administrtive, që na informuan se janë ende në proces rindërtimi 19 shtëpi individuale. Ky proces, sipas tyre ka filluar pa ndërprerje në të gjitha fshatrat ku ka pasur dëmtime nga termeti i 26 nëntorit.
“Po punohet intensivisht me 13 shtëpi që pritet të përfundojnë pas këtij muaji. Brenda muajit dhjetor në këtë njësi do jenë gati vetëm 2 shtëpi individuale.”-i tha Faktojes kreu i njësisë administrative Golem.
Shtëpi në proces rindërtimi në njësinë administrative Golem, 21 dhjetor
Shtëpi në proces rindërtimi në njësinë administrative Golem, 21 dhjetor
“Faktoje” vëzhgoi disa shtëpi në Golemas, pjesë e njësisë administrative Golem, për të parë se në çfarë faze ishte procesi i rindërtimit. Punimet për rindërtimin kërkonin ende kohë të mbaronin dhe banesat nuk mund të jenë gati këtë fundvit.
Shtëpi në proces rindërtimi në fshatin Golemas, 21 dhjetor
Nga fotot duket qartë se edhe përfundimi i kësaj banese është i pamundur brenda muajit dhjetor. Këtë ia konfirmuan Faktojes edhe punëtorët, të cilët shprehen: “Ka ende shumë punë dhe nuk mbaron këtë muaj, në javët e para të janarit besoj është gati”
Gjithashtu takuam dhe të zotin e shtëpisë, S.B i cili, në pritje të rindërtimit të shtëpisë, jeton së bashku me gruan në një banesë me qira që e paguajnë me bonusin nga bashkia.
“Tërmeti na e shkatërroi shtëpinë tonë, tani po presim shtëpinë e re, jemi shumë të kënaqur”.
Nga verifikimi i kryer në terren, dhe pas përgjigjes që morëm nga përfaqësues të njësisë administrative, Golem, vendosëm që deklaratën e ministrit Ahmetaj, për përfundimin e 19 banesave individuale brenda këtij viti, ta kategorizojmë si premtim të pambajtur.