Pretendimi: Gruri është i dëmshëm për organizmin njerëzor. Nuk duhet konsumuar
Verdikti: E pavërtetë
Buka është një nga përbërësit kryesorë të ushqimit të çdo familjeje shqiptare. Kjo mund të jetë edhe arsyeja e interesit të madhe që ka shoqëruar një video të ndarë në në 18 qershor në profilin Nadir Mura, nën titullin intrigues: “Ndoshta nuk do të hani më bukë pasi të keni parë këtë. Ja vlen!” Materiali filmik ka marrë mbi 890 mijë shikime në vetëm pak ditë në rrjetin Facebook.
“Sipas studimeve, njeriu nuk ka lindur për të ngrënë grurë. Nuk ekziston asnjë gjen i vetëm në organizmin tonë për menaxhimin e glutenit, që do të thotë se gjenet tona nuk janë në gjendje që të tretin glutenin”- thuhet ndër të tjera në videon e publikuar në rrjetet sociale.
Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Faktoje vendosi të bëjë një verifikim mbi këto pretendime, duke iu drejtuat mjekëve specialistë. Nutricionistja Albana Daka thotë se ndryshe nga çfarë pretendohet në këtë video, organizmi ka mekanizma përgjegjës për shpërbërjen e grurit.
“Patjetër që organizmi ka mekanizma përgjegjës për shpërbërjen e grurit, janë gjenet DQ2, DQ8 që ne shikojmë në celiaki.
Në celiaki këto gjene janë me mutacione, të cilët bëjnë që në celiaki ne të mos e shpërbëjmë dot grurin. Përqindja e celiakisë, sidomos në popullatën tonë është shumë e vogël. Nuk kemi statistika të qarta, por nuk i kalon 1%”, sqaron mjekja.
Më tej ajo shton se në rastin e intolerancave nga gluteni, kemi një intolerancë për shkak të mbipërdorimit të produkteve të brumit.
“Parimi sot është se gluteni, në pjesën më të madhe të rasteve vjen më shumë bruto, jo në kombinimin real të tij, për shkak të brumërave të bardha, të cilat përmbajnë më shumë karbohidrate, më pak fibra dhe më pak proteina. Dhe kjo bën që gluteni të shkojë në sasi të ekzagjeruara kur ne marrin brumëra të bardha dhe kur ne konsumojmë në sasira të ekzagjeruara ai kthehet në substancë toksike për zorrët.
Nga ana tjetër, sot gluteni prodhohet ashtu si laktoza, në kushte laboratorike për t’u përdorur si konservant në ushqimet e paketuara dhe pikërisht është ky gluten apo laktozë artificiale, të cilat japin probleme toksike, probleme që dëmtojnë qelizat e zorrës”, sqaron mjekja.
Ndër të tjera, në videon e shpërndarë thuhet: “Me kalimin e viteve, pas moshës 50 vjeçare, metabolizmi i njerëzve ndryshon dhe ky faktor shfaq akoma më shumë probleme lidhur me glutenin, sepse trupi nuk arrin dot që ta përballojë tretjen”.
Mirëpo, mjekja Albana Daka thekson se në këtë moshë, metabolizmi fillon të bjerë, jo vetëm për grurin, por për të gjitha llojet e ushqimeve.
“Mbi moshën 35-vjeçare metabolizmi jonë çdo 5 vjet bie më 10%. Nga ana tjetër, ajo që është shumë e rëndësishme, fillojmë në mosha më të hershme, pra që në moshën 30-vjeçare nëse ne kemi një regjim ushqimor të çrregullt dhe nuk marrin probiotikë në mënyrë të rregullt, të paktën 3-4 muaj në vit, kemi atë që quhet ‘disbioza intenstinale’. Pra popullata e zorrës, nuk është në cilësinë dhe sasinë e mjaftueshme për të bërë tretjen e ushqimeve që shkojnë në zorrë dhe fillojnë problemet me tretjen, ku krahas problemeve, fillojnë për të gjithë ushqimet, padyshim aty është dhe gluteni”, argumenton nutricionistja.
Veç kësaj, mjekja sqaron se ka një lidhje të glutenit me sëmundjet autoimune, por kjo varet nga rastet dhe janë specialistët ata që e përcaktojnë.
“Në sëmundjet autoimune ne kemi një inflacion të qelizave të zorrës dhe kryesisht këto qeliza, nën efektin e sëmundjes autoimune, mund të bëhen shumë sensibël për glutenin. Megjithatë kjo shihet rast pas rasti, nuk është e prerë me thikë, që nëse ne kemi një sëmundje autoimune te heqim në mënyrë ekskluzive glutenin”, thotë nutricionistja Albana Daka.