Pretendimi: Kjo video provon se vaksinimi ndikon në fertilitetin e meshkujve.
Verdikti: E paprovuar
—————————————————-
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po përdoret si provë se vaksinimi ul fertilitetin tek mesh`kujt.

Video e mësipërme pretendon të tregojë pamje mikroskopike të spermës së një burri të vaksinuar, në krahasim me atë të një të pavaksinuari. Megjithatë, video nuk jep ndonjë burim apo referencë që e mbështet këtë pretendim, si studimi apo autori i këtyre pamjeve me mikroskop.
Nuk ka prova që sperma e burrave të vaksinuar është ndikuar nga vaksinimi, një nga teoritë e shumta të promovuara nga grupet anti-vaksinim gjatë pandemisë së Covid-19.
Në një studim të botuar në Journal of the American Medical Association, studiuesit në Universitetin e Miamit raportuan se nuk gjetën “asnjë rënie të ndjeshme në asnjë parametër të spermës” midis një grupi burrash të shëndetshëm para dhe pas marrjes së vaksinës anti-Covid.
Studiuesit në një spital në Izrael kanë raportuar gjetje të ngjashme në një studim që vlerësoi prodhimin e spermës te 43 burra para dhe pas marrjes së vaksinës Pfizer/BioNTech. “Rezultatet tona tregojnë se vaksina nuk dëmton parametrat e spermës”, shkruan autorët.
“Nuk ka prova që tregojnë se vaksina anti-Covid mund të shkaktojë infertilitet mashkullor”, tha për Associated Press Amelia Wesselink, një profesoreshë asistente kërkimore e epidemiologjisë në Universitetin e Bostonit.
Dr. Marc Goldstein, kirurg kryesor i mjekësisë riprodhuese mashkullore në Weill Cornell Medicine, i tha gjithashtu se “nuk ka absolutisht asnjë provë që vaksinat ndikojnë në pjellorinë mashkullore”.
Wesselink shtoi: “Studimet nuk kanë treguar ndryshime në parametrat e spermës para dhe pas vaksinimit, dhe një studim i çifteve që përpiqeshin të ngjizeshin pa trajtim për pjellorinë nuk gjeti asnjë lidhje midis vaksinimit tek asnjëri partner dhe pjellorisë”.
Studimi i fundit, i bashkautorizuar nga Wesselink, raportoi se kishte një lidhje midis infeksionit të burrave me koronavirus dhe një rënieje afatshkurtër të pjellorisë. Studiuesit thanë se kjo mund të shpjegohet nga ethet.
“Ka disa prova që infeksioni COVID mund të shoqërohet me rënie afatshkurtër të cilësisë së spermës, por provat nuk janë veçanërisht të forta”, tha Wesselink për AP.






