Pretendimi: Kongresmeni amerikan tregon tunelin nga ku trafikanti Jeffrey Epstein i çonte fëmijë të mitur ish-presidentëve Bill Clinton, Barack Obama dhe anëtarëve të kongresit.

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi i pazakontë se një kongresmen amerikan ka zbuluar “si Epstein po u çonte fëmijë të mitur Bill Clinton, Obamën dhe anëtarëve të kongresit duke përdorur një sistem tunelesh nëntokësor.”

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon, të cilës i referohet postimi i mësipërm.

Ajo është postuar në Twitter më 9 maj 2025 nga kongresmeni në video, Tim Moore nga North Carolina.

Në videon e plotë, Moore tregon një një shkallë të mbyllur në Sallën Lincoln të Kapitolit të ShBA, jo një tunel që është përdorur për trafikimin e të miturve.

“Ndërtimi filloi në vitet 1700 dhe ka gjithfarë llojesh kalimesh të vogla të fshehura. Siç e patë, unë sapo e hapa këtë mbulesë dhe mund ta shihni,” thotë Moore duke treguar një derë sekrete në dyshemenë e Kapitolit. Republikani hap derën, duke zbuluar një shkallë të pluhurosur dhe historike që të çonte në atë që dukej të ishte një dhomë tjetër poshtë.

Ligjvënësi shtoi se kishte dëgjuar përmes gojëdhënave të ndërtesës së Kapitolit se shkallët nën Dhomën Linkoln ishin përdorur nga ushtarët britanikë në Luftën e 1812 për t’i vënë flakën ndërtesës historike. E njohur si “Djegia e Uashingtonit”, ushtarët britanikë në gusht të vitit 1814 i vunë flakën Kapitolit, Kantierit të Marinës së Uashingtonit dhe Shtëpisë së Bardhë – e cila atëherë njihej si Rezidenca Presidenciale – përpara se stuhitë të shuanin zjarret dhe personeli ushtarak të thirrej në Uashington për ta mbrojtur atë nga forcat britanike. Lufta e vitit 1812 përfundoi në vitin 1815.

Nën dyshemenë e Kapitolit të ShBA ndodhen shkallë dhe kalime të fshehura të mbetura nga ndërtimi origjinal i ndërtesës në shekullin e XIIX.

Ndërtimi i Kapitolit u porosit në vitin 1793, dhe presidenti George Washington vendosi gurin e themelit po atë vit. Ndërtesa origjinale u përfundua në vitin 1826, me zgjerime të ndryshme të bëra gjatë dekadave, siç është një qendër vizitorësh që u hap në vitin 2008.