Asnjë provë për tunele trafiku të fëmijëve në territoret e pushtuara ukrainase

10

Pretendimi: Forcat ruse në Ukrainë kanë zbuluar një operacion të gjerë nëntokësor të trafikimit të fëmijëve dhe nxjerrjes biologjike, i maskuar si infrastrukturë humanitare

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————

Teksa hyjmë në vitin e pestë të luftës në Ukrainë, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, vijon të qarkullojë pretendimi se, në territoret e marra ushtria ruse ka zbuluar tunele nëntokësore që janë pjesë e një rrjeti të gjerë të trafikimit të fëmijëve me qëllim nxjerrjen e gjakut të tyre.

Megjithatë, postimi i mësipërm nuk jep ndonjë provë, burim apo referencë për këtë pretendim të jashtëzakonshëm.

Postimi i mësipërm duket se është përkthimi në shqip i një postimi të 11 shkurtit në X/Twitter nga një përdorues me emrin Paul White Gold Eagle, i cili vetëpërshkruhet në Facebook si transmetues i “mesazheve të përditshme të energjive të 5d dhe Tokës së Re.”

Asnjë media ndërkombëtare nuk ka raportuar një ngjarje të tillë, e cila, nëse do të ishte e vërtetë, do të ishte raportuar gjerësisht nga shtypi i etur për lexues, siç zaptoi peizazhin mediatik përmbajtja e dosjeve të lëshuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë lidhur me pedofilin dhe trafikantin amerikan Jeffrey Epstein.

Pyetur nga AFP në 2023 në lidhje me akuzat për trafikim organesh që pretendohej se ishin kryer nga ushtarët ukrainas, Misioni i Monitorimit të të Drejtave të Njeriut të OKB në Ukrainë tha se “asnjë nga anëtarët e misionit të OKB-së nuk ka dëgjuar ndonjëherë për një gjë të tillë”.

Jakub Kalenský, eksperti kryesor për dezinformimin i Qendrës Europiane e Ekselencës për Kundërshtimin e Kërcënimeve Hibride, tha për AFP se “trillimi i gënjeshtrave për krimet ukrainase kundër fëmijëve ka qenë një nga qëllimet e preferuara të kanaleve dezinformuese të Kremlinit dhe ekosistemit që përsërit gënjeshtrat e tyre që të paktën nga viti 2014.”

“Krijimi i historive dezinformuese për fëmijët e abuzuar dhe të lënduar synon të krijojë emocionet më të forta të mundshme tek audienca e synuar dhe kështu të eliminojë mendimin e tyre kritik”, tha Kalensky. “Deri më tani, nuk kemi parë asnjë provë që autoritetet ukrainase kanë kryer krime kundër fëmijëve. Përkundrazi, ka pasur shumë prova për krime ruse kundër fëmijëve ukrainas. Është një situatë tipike dhe cinike e ‘hajdutit’ që e thërret ‘hajdut’.”

Ndërkaq, në mars 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për presidentin rus Vladimir Putin dhe komisioneren ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, nën akuzat për deportim dhe transferim të paligjshëm të fëmijëve nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse, të cilat karakterizohen si krime lufte.