Pretendimi: Gazetari amerikan Tucker Carlson ka zbuluar se administrata e ish-presidentit amerikan Joe Biden tentoi të vriste presidentin rus Vladimir Putin
Verdikti: E paprovuar
————————————————————-
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi i pazakontë se një gazetar amerikan ka zbuluar një komplot të administratës së ish-presidentit amerikan Biden për të vrarë presidentin rus Vladimir Putin.
Megjithatë, si zakonisht, ky pretendim i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë provë. Artikulli i shkurtër thjesht citon Carlson, pa marrë mundimin të përmendë ndonjë fakt që do ta bënte lexuesin të besonte se Biden ka tentuar të vrasë homologun e tij rus. Duket se lexuesi që shënjestron artikulli është dikush që e beson tashmë këtë pretendim.
Eshtë e vërtetë që gazetari konservator amerikan Tucker Carlson akuzoi administratën Joe Biden për përpjekje për të vrarë presidentin rus Vladimir Putin në një episod të podcast-it të tij.
Megjithatë, Carlson nuk dha asnjë provë për të mbështetur pretendimin e tij të jashtëzakonshëm në lidhje me administratën Biden, e cila drejtoi SHBA-në nga viti 2021 deri në 2025, ndërsa lufta e Kremlinit kundër Ukrainës u rrit.
Ndërkaq, vetë Kremlini ka hedhur dyshime mbi pretendimin e Carlson.
“Ne nuk e dimë vërtet se çfarë donte të thoshte Carlson kur e tha këtë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet për të komentuar në lidhje me tentativën e pretenduar për vrasje.
Edhe Peskov vuri në dukje se Carlson “nuk ofroi asnjë provë” kur ai pretendoi se administrata Biden ishte “provuar të vriste Putinin”.
“Kohët janë të tilla që pa prova, pavarësisht nga kush vjen, është më mirë të mos e marësh të mirëqenë,” tha ai.
Faktoje bie dakord.