Pretendimi: Nënë Tereza ishte një trafikante e fëmijëve që shiste bebe.

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi se Nënë Tereza, e njohur edhe si Gonxhe Bojaxhi, ishte trafikante fëmijësh. Sipas postimeve në rrjete sociale, ajo shiste bebe dhe gjeneronte 50-100 milionë dollarë në vit për Vatikanin.

Si zakonisht, ky pretendim i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë burim apo provë.

Pretendimi se Nënë Tereza “shiste bebe” ngatërron veprimtarinë e shenjtores me një rast tjetër që ndodhi në një strehë për nënat e pamartuara të drejtuar nga Misionaret e Bamirësisë, urdhri i murgeshave të Nënë Terezës, më shumë se 20 vjet pas vdekjes së saj në 1997.

vitin 2018, një hetim nga Komiteti Indian për Mirëqenien e Fëmijëve, zbuloi se të paktën dy punonjëse në shtëpinë bamirëse “Nirmal Hriday” në Ranchi, Jharkhand, Indi, u përfshinë në marrjen e fëmijëve nga nëna të pamartuara dhe dhënien e tyre të çifte që nuk kishin fëmijë. Hetimi u nis pas ankesës së një çifti që pretendonte se kishte paguar 1700 dollarë për një foshnje 14-ditësh, por më pas punonjësja e bamirësisë e kishte marrë përsëri fëmijën mbrapsht dhe kishte mbajtur paratë.

Megjithatë nuk ka prova që mbështesin këto pretendime lidhur me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Nënë Terezës në aktivitete të tilla kriminale. 

Nënë Tereza udhëhoqi urdhërin e krijuar prej saj “Misionarët e Bamirësisë” deri pak para vdekjes së saj në shtator 1997. Skandali në fjalë u hetua në vitin 2018, shumë vite pas vdekjes së Nënë Terezës. Organizatat vendase fajësuan gjithashtu procedurat e gjata në Indi për adoptimet që nxisin këto fenomene korruptive.

Nënë Tereza filloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta në vitin 1950 dhe më vonë ngriti qindra strehimore që kujdesen për disa nga më në nevojtarët e botës, njerëz që ajo i përshkroi si “më të varfërit e të varfërve”. Ajo mori çmimin Nobel për Paqen për punën e saj bamirëse në 1979 dhe Papa Françesku e shpalli atë shenjtore në 2017.

Nënë Tereza u përball me kritika gjatë jetës së saj – duke përfshirë për cilësinë e kujdesit në klinikat e saj dhe akuzat se ajo kishte marrë donacione nga diktatori Haitian Jean-Claude Duvalier dhe financieri famëkeq amerikan Charles Keating – por ajo nuk u akuzua ndonjëherë për shitjen e foshnjave.