Pretendimi: Në qytetet C40, e shpikura nga Forumi Botëror Ekonomik, jetët e qytetarëve do të kontrollohen.
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————————
Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon video e një ish-kandidati të pavarur për kryetar bashkie të Londrës, Shyam Batra, ku ai flet për ‘rrezikun e qyteteve 15-minutëshe’.
Video e mësipërme është shkëputur nga një intervistë e shkurtit 2024 me Shyam Batra, një kandidat i pavarur për kryetar bashkie i Londrës në zgjedhjet e majit 2024, të cilat u fituan nga kandidati i partisë laburiste Sadiq Khan.
Khan është edhe bashkë-kryetar i Qyteteve C40, një rrjet ndërkombëtar kryebashkiakësh që po punojnë për të adresuar krizën klimaterike.
Në videon e mësipërme, Batra paralajmëron se në qytetet 15-minutëshe, të shpikura si koncept nga Forumi Ekonomik Botëror, dhe të implementuara nga C40 Cities, nuk do lejohen makinat me naftë, vaktet e qytetarëve do te kontrollohen me anë të aplikacioneve, dhe mosbindja do të çojë në ngrirjen e llogarive të tyre bankare.
Batra nuk jep asnjë provë apo referencë për këto pretendime. Për më shumë informacion, ai këshillon t’i drejtoheni internetit dhe TikTokerave.
Reuters iu drejtua Forumit Ekonomik Botëror (WEF), një zëdhënës i të cilit tha se C40 Cities nuk ka lidhje me WEF.
Nuk ka prova se C40 Cities do të kufizojë ndonjë nevojë jetësore.
Qyteti i Londrës është pjesë e rrjetit të automjeteve me emetim zero të C40, dhe promovon dhe nxit përdorimin e automjeteve elektrike dhe automjeteve të tjera me emetim zero.
Një raport i vitit 2019, botuar nga C40 Cities vlerëson ndikimin e konsumit urban në emetimet e gazrave serë dhe konsideron masat që mund të ndihmojnë në uljen e emetimeve. Ai rekomandon disa masa, duke përfshirë ndryshimet dietike dhe reduktimin e makinave, por ato nuk janë të detyrueshme. Një shpjegim në faqen e organizatës gjithashtu thekson se raporti nuk parashtron ndonjë plan që qytetet mund të adoptojnë, por ofron një analizë të kontribuesve në emetime.
“Qytetet 15-minutëshe” është një model planifikimi urban që propozon ridizenjimin e qyteteve në mënyrë që qytetarët të mund të plotësojnë të gjitha nevojat e përditshme brenda një rreze 15-minutëshe nga shtëpitë e tyre. Në 2020, C40 Cities promovoi këtë model si një mënyrë për t’u ripërtërirë pas pandemisë.
Siç Faktoje ka shpjeguar edhe më parë, qëllimi i këtij koncepti planifikimi urban është ulja e varësisë nga makinat, promovimi i një jetese më të shëndetshme dhe të qëndrueshme, dhe përmirësimi i mirëqenies dhe cilësisë së jetës të njerëzve që jetojnë në qytete. Ai është përshkruar si “një rikthim në një mënyrë jetese lokale.” Në të shkuarën e afërt, Tirana do të kualifikohej si qytet 15-minutësh.