Pretendimi: Në nëntor Bashkimi Evopian aprovon ligjin e Green Pass dhe çdo gjë do të bëhet digjitale

Verdikti: I pavërtetë


Miti i certifikatave të gjelbëra apo Green Pass të krijuara gjatë pandemisë së Covid-19 nga Bashkimi Evropian për të kontrolluar vaksinimin e qytetarëve, nuk është fashitur ende në diskutimin publik.

Së fundmi, po riqarkullojnë pretendime në rrjetet sociale shqiptare se në muajin nëntor 2024, qeveritë do të aplikojnë një sistem të ri Green Pass, i cili do të digjitalizojë të gjitha procedurat e regjistrit civil. Ky pretendim është tërësisht i pavërtetë dhe nuk ka prova se një plan i till ekziston në nivelin vendor apo ndërkombëtar.

Sipas këtyre postimeve në rrjetet sociale, ligji Green Pass do ti kthejë në formë digjitale  të gjitha dokumentet nga pashaportat e identifikimit deri tek paratë në banka. Pretendohet po ashtu se në dy vitet e ardhshme të gjithë do të pajisen me mikroçip dhe ata që refuzojnë rrezikojnë ndëshkim të dhunshëm.

Bëhet fjalë për teori konspiraconi të përhapura sidomos përgjatë pandemisë të COVID-19. Një nga teoritë më të përhapura (e cila është po ashtu e pavërtetë) ka qenë ajo e mikroçipit, sipas të cilës vaksinat e COVID-19 përfshinin mikroçipe të cilat mund të ndiqnin lëvizjen e të vaksinuarëve. Kjo është hedhur poshtë disa herë nga burime të sigurta.

Ideja e Green Pass, përsëri lidhet me Covid-19, por nuk bëhet fjalë për një ligj global, por për emrin e një çertifikate të implementuar nga Bashkimi Europian përgjatë viteve të para të pandemisë për të lehtësuar lëvizjen e udhëtarëve. Kjo çertifikatë elektronike mund të përdorej nga udhëtarët për të verifikuar statusin e tyre të vaksinimit kur udhëtonin brenda dhe jashtë BE-së, pasi shumë vende kërkonin që personat që kalon kufirin të ishin vaksinuar plotësisht.

Në vitin 2023, BE-ja bashkëpunoi me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për ta bërë këtë sistem të disponueshëm në mbarë botën. Megjithatë, ky nuk ishte një sistem i detyrueshëm: vendet që dëshironin mund ta përdornin këtë çertifikatë për të verifikuar statusin e udhëtarëve kur hynin në vendet e tyre. Për më tepër, nuk bëhet fjalë për një ligj mbarëkombëtar, por për një çertifikatë fakultative.

Për më tepër, që prej 2023-it, nuk është më e detyrueshme të kesh një vaksinë kundër COVID-it apo të përdorësh Green Pass për të udhëtuar nëpër botë.

Narrativa të tilla për ligje të dhunshme përdoren për të ulur besimin sidomos në qeveritë perëndimore dhe ato të Bashkimit Europian. Me afrimin e zgjedhjeve që do të mbahen për parlamentin europian në fillim të qershorit, teoritë e konspiracionit mbi COVID-in dhe gjëra të ngjashme hutojnë publikun dhe synojnë të kthejnë qytetarët kundër qeverive të tyre, apo BE-së në përgjithësi.