Pretendimi: Baba Vanga ka parashikuar një vit të frikshëm me luftë dhe katastrofa në vitin 2026
Verdikti: E paprovuar
———————————————–
Teksa afrohet fundi i vitit dhe fillimi i një tjetri portalet shqiptare kanë nisur të riciklojnë titujt alarmantë për profecitë e ndryshme mbi vitin që na pret, përfshi ato që pretendohet se vijnë nga ‘parashikuesja’ bullgare Baba Vanga.

Megjithatë, lexuesit nuk duhet të alarmohen.
Baba Vanga, një grua e verbër dhe gjysëm analfabete nga Bullgaria, vdiq në 1996 pa i shkruar parashikimet e saj. Kjo ia lehtëson punën atyre që duan t’i atribuojnë asaj lloj-lloj parashikimesh. Duke qenë se nuk ka prova me shkrim për parashikimet e saj, zonja Vanga mund të detyrohet të thotë çfarë të dojë çdokush.
Gazeta bullgare 24 Chasa botoi në 2010 një artikull që përgënjeshtron një sërë parashikimesh që i atribuohen gabimisht Baba Vangës. Të afërm dhe miq të saj thanë për gazetën se Vanga njihej si parashikuese në komunitetin e saj për këshillat që ajo i jepte atyre që e vizitonin, por ajo nuk kishte parashikuar ndonjëherë katastrofa dhe luftëra botërore.
Sipas miqve të saj, ajo fliste rrallë për politikën dhe nuk mendonte për fundin e botës. “Ajo ishte optimiste, i shihte gjërat e këqija, por gjithmonë jepte këshilla se si të jetoje më mirë.”
Sipas rrethit të afërt të Baba Vangës, parashikimet e saj sensacionaliste si ato për luftëra apo fatkeqësi natyrore janë shpikur ose ekzagjeruar pas vdekjes së saj. “Tani është e lehtë, Vanga nuk është më, kështuqë nuk mbrohet dot. Ata i venë lloj-lloj budallëqesh në gojë,” tha mikja e saj Boyka Kostadinova.
Sipas një raportimi nga Colitco, akademikja dhe ekspertja e Baba Vangas, Viktoria Vitanova-Kerber tha: “Ajo nuk ishte dikush që mbante ditarë ose regjistronte profecitë e saj. … Nuk ka pothuajse asnjë të dhënë të shkruar për atë që ajo tha në të vërtetë, duke e bërë të pamundur verifikimin e këtyre pretendimeve.”
Vlen të përmendet, për lexuesit që mund të jenë ende nervozë, se parashikimet që i janë atribuuar Baba Vangës për vitin 2025 përfshijnë nisjen e Luftës së Tretë Botërore dhe zbritjen e alienëve në Tokë. Deri në botimin e këtij shkrimi, fatmirësisht, asnjë prej tyre nuk është përmbushur.