Pretendimi: Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur shtretërit mjekësorë (med bed) të disponueshëm në ShBA.

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————–

Në rrjete sociale po qarkullon lajmi se presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur shtretërit mjekësorë të disponueshëm për të gjithë qytetarët e ShBA.

Në fakt, është e vërtetë se, mbrëmjen e të shtunës, 27 shtator, Donald Trump ndau një video të çuditshme të gjeneruar me inteligjencë artificiale (AI) në rrjete sociale, në të cilën ai shihet duke promovuar “shtretër mjekësorë” ose medbeds, një teori konspiracioni që përshkruan një shtrat magjik që pretendohet se mund të shërojë çdo sëmundje.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump ndau një klip të rremë të Fox News, gjoja nga emisioni My View me Lara Trump, në të cilin ai shihet duke e përhapur këtë teknologji magjike në spitalet në të gjithë vendin.

“Çdo amerikan së shpejti do të marrë kartën e vet të kujdesit mjekësor,” thoshte AI Trump. “Me të, do të keni akses të garantuar në spitalet tona të reja të udhëhequra nga mjekët më të mirë në vend, të pajisura me teknologjinë më të përparuar në botë.”

“Këto objekte janë të sigurta, moderne dhe të projektuara për t’i rikthyer çdo qytetari shëndetin dhe forcën e plotë”, tha Trump i rremë. “Ky është fillimi i një epoke të re në kujdesin shëndetësor amerikan.”

Megjthatë, video në fjalë u fshi nga llogaria e Trump të dielën në mëngjes. Nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar që shpall disponibilitetin e medbeds. Nga një kërkim për fjalën “med bed” në faqen zyrtare të Departamentit amerikan të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore kjo fjalë nuk rezulton të përmendet askund.

Nuk është e qartë se nga erdhi klipi ose pse e postoi presidenti. Ai ishte një ndër disa postime të natës vonë. Trump ndau klipe të shumta nga rrjete televizive të djathta, një imazh të gjeneruar nga inteligjenca artificiale që tregon Trump duke shkarkuar kryetarin e Rezervës Federale, Jerome Powell, dhe një pamje të një postimi në X/Twitter ku pyetej nëse njerëzit ende shikojnë filma me aktorin Robert De Niro.

“Je i pushuar!” Trump postoi edhe një imazh të gjeneruar nga inteligjenca artificiale që tregon atë duke shkarkuar kryetarin e FED, Jerome Powell.

Në një deklaratë për Mediaite, një zëdhënës i Fox News e bëri të qartë se videoja e rreme nuk u transmetua në televizion. “Videoja nuk u transmetua në My View me Lara Trump në Fox News Channel ose në ndonjë platformë tjetër të Fox News Media,” tha zëdhënësi.

“Shtretërit mjekësorë”, në anglisht “medbeds” janë një koncept që e ka origjinën tek ndjekësit e teorisë konspirative QAnon, sipas së cilëve medbeds janë zhvilluar nga ushtria (në disa versione duke përdorur teknologji aliene) dhe janë duke u përdorur tashmë nga familjet më të pasura dhe të fuqishme në botë. Sipas besimtarëve, shtretërit mjekësorë janë teknologji që mund të shërojnë ADN-në, të rigjenerojnë organet dhe të kthejnë rininë. Sipas disa ndjekësve, kur Donald Trump do të bëhet president do të zbulonte ekzistencën e këtyre pajisjeve dhe do t’i bënte falas për gjithë amerikanët.

Nuk ka asnjë literaturë nga komuniteti mjekësor global që thotë se një pajisje e tillë ekziston. As shkenca për të krijuar një pajisje të tillë, e cila tingëllon sikur ka dalë nga ndonjë film fantastiko-shkencor, nuk ekziston. Nuk ka asnjë mënyrë të njohur për të kthyer pas plakjen.

Teoria konspirative e medbeds “shërben për dy qëllime profetike”, tha për The Daily Beast Sara Aniano, nga Universiteti Monmouth, që studion retorikën e së djathtës ekstreme dhe ka dokumentuar përhapjen e mitit të medbeds.

Nga njëra anë ajo premton një të ardhme të afërt në të cilën kompanitë e mëdha farmaceutike janë të panevojshme. “Pastaj sigurisht që është tërheqja më e dukshme e të paturit një makineri magjike, versionet e së cilës mund të të diagnostikojnë menjëherë ose të të shërojnë menjëherë”, tha Aniano. “Disa mund të rrisin përsëri pjesë të humbura të trupit. Pra, padyshim, ka shumë shpresë që i shërben një narrative shumë tërheqëse për ata që e besojnë këtë.”

Ç’është më e trishtë, kjo teori konspirative është shfrytëzuar nga persona të ndryshëm për të mashtruar besimtarët që shpresojnë në aftësitë çudibërëse të këtyre pajisjeve për të shëruar probleme të rënda shëndetësore. 

Tesla BioHealing, është një nga kompanitë e shumta që shet atë që ata e përshkruajnë si “medbed”, ndonjëherë për dhjetëra mijëra dollarë. Kjo kompani ofron medbed për shtëpinë në vlerën e 19,999 dollarëve, megjithëse një orë në një nga dhomat e tyre të motelit me medbed do t’ju kushtojë vetëm 160 dollarë.

Edhe pse kompani të tilla listojnë një sërë sëmundjesh që pretendojnë se mund të ndihmohen nga teknologjitë e tyre dhe ofrojnë dëshmi nga klientët e kënaqur, ato sigurohen gjithashtu të thonë se produktet e tyre nuk kanë për qëllim të zëvendësojnë trajtimet nga një mjek i kualifikuar, një mënyrë për t’u ruajtur nga paditë e mundshme që përdoruesit mund të sjellin kundër tyre kur shtrati çudibërës të rezultojë jo aq i plotfuqishëm sa shitet.

Faktoje ka përgënjshtruar dhe më parë pretendime lidhur me medbeds.