.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAsnjë mister pas ndriçimit të katedrales së Strasburgut përpara shpikjes së llambës

Asnjë mister pas ndriçimit të katedrales së Strasburgut përpara shpikjes së llambës

Pretendimi: Ky imazh tregon katedralen e Strasburgut më 1744 të ndriçuar me elektricitet mbi një shekull përpara shpikjes së llambës.

Verdikti: E paprovuar

————————————————————

Në hapësirat konspiracioniste një gravurë e katedrales së Strasburgut nga viti 1744 që duket se tregon majën e saj të ndriçuar po përdoret për të nënkuptuar një histori alternative, jo “zyrtare”, në të cilën përdorimi i elektricitetit ekzistonte përpara shpikjes së llambës në 1879.

Si zakonisht, përveç vizatimit të mësipërm, nuk sillet asnjë burim, provë apo referencë që mbështet pretendimin se ndriçimi i katedrales është elektrik.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i mësipërm është vërtet një gravurë që tregon katedralen ikonike të qytetit të Strasburgut të ndriçuar me rastin e vizitës së mbretit Luigji XV i Francës më 5-10 tetor 1744.

Paraqitja e mbërritjes së Mbretit Luigji XV para Katedrales së Strasburgut, 5 tetor 1744

Kjo vizitë u shoqërua me shumë aktivitete festive për shkak se shënoi vizitën e parë të një monarku francez në krahinën e rëndësishme të Alsace që prej aneksimit të saj nga mbreti paraardhës, Luigji i XIV në 1681. 

Festivale të mrekullueshme u organizuan në të gjithë qytetin, vera rridhte në shatërvanët e shesheve, hidheshin fishekzjarre dhe një pëlhurë e madhe 12 metra e lartë dhe 30 metra e gjerë u ngrit përpara Pallatit Rohan për të fshehur pjesërisht shtëpitë gotike pak të vlerësuara në atë kohë. Kjo vizitë do ta linte qytetin e Strasburgut në ekstazë dhe në borxhe për shumë vite.

Gravurat e kohës përshkruajnë festimet që përfshinin hyrjen e Mbretit në qytet, lojërat në ujë dhe shfaqjet teatrale, turnetë, ndriçimin e ndërtesave publike brenda Strasburgut, riprodhimet e betejave dhe një shfaqje spektakolare fishekzjarresh mbi lumin Ill.

Ndriçimi në shekullin e XVIII, përpara përdorimit të rrymës elektrike, do të realizohej kryesisht me qirinj, poçe zjari apo fanarë.

Në fakt, sipas përshkrimit të festimeve në librin e JM Weiss ku shfaqet fillimisht gravura e katedrales së ndriçuar, “i gjithë qyteti ishte i ndriçuar. […] Maja e kullës së katedrales, shkallët e katër kullave të formuara në spirale të hapura, balustradat e platformës, ajo e galerive dhe e gjithë gjatësia e nefit të kësaj ndërtese të madhe, ndriçoheshin nga poçe zjarri, të cilat dukej se e kishin transformuar këtë vepër të mrekullueshme arkitekturore në kristal.”

Një muaj pas vizitës së tij në Strasburg, në Nëntor 1744, qyteti i Parisit festoi kthimin e Luigjit XV nga një fushatë ushtarake duke e veshur Marché Saint-Paul me llambadarë Suresnes të mbështetur në shtylla të vendosura “në një distancë të përshtatshme.” Poshtë Place de Grève në Place des Canons (një vend i rezervuar tradicionalisht për festimet e klasës punëtore), u krijua një “sallë drite” nga kurora llambash dhe llambadarë teli çeliku të varur nga shtyllat.

Programi ndriçimi i instaluar në Rue de la Ferronnerie në Paris për festimin e martesës së

Madame Premiere në 1739, i ripërdorur në 1744 për të festuar kthimin e Luigjit XV në qytet. Të dy projektet u sponsorizuan nga shoqëria e tregtarëve. Nga Frézier, A.-F. (1747) Traité des feux

d’artifice pour le spectacle, Paris, pllaka X

1751, me rastin e lindjes së pritur të Dukës së Burgundy, katër mbrëmje ndriçimi transformuan fasadat e Hôtel de Ville (bashkisë) në Paris dhe shtëpitë e përfaqësuesve të qytetit në një spektakël të pabesueshëm drite me mbi 92 mijë poçe zjarri dhe 35 mijë llamba me vajguri, për të mos përmendur mijëra fanarë kinezë dhe rrota Catherine, llamba Suresnes dhe fenerë të tjerë me kornizë teli të ngjitur në fasada.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img