Pretendimi: Një libër i shkruar në vitin 1997 ka parashikuar vaksinën, inteligjencën artificiale dhe shumë të tjera.
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————–
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi se një libër i shkruar në vitin 1997 “parashikoi vaksinën, inteligjencën artificiale dhe shumë të tjera.”

Megjithatë, postimi nuk jep emrin e librit apo autorin profetik. Kështuqë na duhet ta gjejmë vetë.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon nga është shkëputur imazhi që shoqëron pretendimin.
Video është një predikim i gjatë nga burri në imazh, pastori JD Farag, postuar në llogarinë e tij në YouTube në Janar 2025.
Në zbardhjen e predikimit të tij, pastori nuk jep emrin e librit, por vetëm thotë se është shkruar në 1997 dhe ka 502 faqe.
Ai jep një listë të parashikimeve të pretenduara të librit, ndër të to inteligjencën artificiale dhe “vaksina të zhvilluara gjenetikisht”.
Megjithatë, çfarë pastori quan parashikim profetik, në fakt janë parashikime të informuara nga trendet e bioteknologjisë.
Çdo revistë shkencore, analist investimesh, agjenci grantesh, konferenca të shoqatave profesionale, kompani farmaceutike, pajisjesh mjekësore dhe kompani diagnostikuese parashikon dhe investon në zhvillimin e këtyre teknologjive.
Asnjë nga këto teknologji nuk është surprizë apo sekret.
Rrjetet e para neurale, baza për atë që quajmë “inteligjencë artificiale”, janë nga vitet ’50-’60.
Në vitin 1950, Alan Turing propozoi konceptin e një “makine që mëson” në punimin e tij “Makineria Kompjuterike dhe Inteligjenca”. Edhe pse nuk kishin të bënin drejtpërdrejt me rrjetet nervore, idetë e tij hodhën themelet për të menduar rreth inteligjencës së makinerive.
Në mesin e viteve 1960, matematikani sovjetik Alexey Ivakhnenko krijoi rrjete neurale të vogla, por funksionale.
Këto koncepte dhe ide nuk janë asgjë e re.
Me logjikën e pastorit, në 1984, mbi 10 vjet përpara 1997, inteligjenca artificale u ‘parashikua’ nga filmi klasik Terminatori, i cili bën fjalë për një vrasës kibernetik të luajtur nga Arnold Schwarzenegger i dërguar prapa në kohë për të vrarë Sarah Connor, djali i palindur i së cilës një ditë do ta shpëtojë njerëzimin nga Skynet, një inteligjencë artificiale armiqësore.
Teknologjia e mRNA po hulumtohej në vitin 1989. Interneti u shpik në thelb në vitet ‘80, megjithëse protokollet që e drejtojnë janë nga vitet ’60. Hulumtimi në nanoteknologji nisi seriozisht në vitet ’80, por konceptet kanë ekzistuar që nga fundi i viteve ’50. Monedha dixhitale u konceptua në fillim të viteve ’80, me paratë e para dixhitale në vitin 1989. Vaksinat kanë ekzistuar që nga viti 1796.