Pretendimi: Baba Vanga parashikoi se alienët do të vizitojnë Tokën në 2025

Verdikti: E paprovuar

————————————————-

Zbulimi i një komete ndëryjore në fund të korrikut 2025 ka ringjallur teori aliene dhe një artikull i portalit të quajtur, ironikisht, realiteti.net ka kombinuar këto teori me ‘parashikuesen’ bullgare Baba Vanga, e cila pretendohet se ka parashikuar vizitorë alienë në Tokë për vitin 2025.

Baba Vanga, një grua e verbër dhe gjysëm analfabete nga Bullgaria, vdiq në 1996 pa i shkruar parashikimet e saj. Kjo ia lehtëson punën atyre që duan t’i atribuojnë asaj lloj-lloj parashikimesh. Duke qenë se nuk ka prova me shkrim për parashikimet e saj, zonja Vanga mund të detyrohet të thotë çfarë të dojë çdokush.

Gazeta bullgare 24 Chasa botoi në 2010 një artikull që përgënjeshtron një sërë parashikimesh që i atribuohen gabimisht Baba Vangës. Të afërm dhe miq të saj thanë për gazetën se Vanga njihej si parashikuese në komunitetin e saj për këshillat që ajo i jepte atyre që e vizitonin, por ajo nuk kishte parashikuar ndonjëherë katastrofa dhe luftra botërore. 

Sipas miqve të saj, ajo fliste rrallë për politikën dhe nuk mendonte për fundin e botës. “Ajo ishte optimiste, i shihte gjërat e këqija, por gjithmonë jepte këshilla se si të jetoje më mirë.”

Sipas rrethit të afërt të Baba Vangës, parashikimet e saj sensacionaliste si ato për luftra apo fatkeqësi natyrore janë shpikur ose ekzagjeruar pas vdekjes së saj. “Tani është e lehtë, Vanga nuk është më, kështuqë nuk mbrohet dot. Ata i venë lloj-lloj budallëqesh në gojë,” tha mikja e saj Boyka Kostadinova.

Sipas një raportimi nga Colitco, akademikja dhe ekspertja e Baba Vangas, Viktoria Vitanova-Kerber tha: “Ajo nuk ishte dikush që mbante ditarë ose regjistronte profecitë e saj. … Nuk ka pothuajse asnjë të dhënë të shkruar për atë që ajo tha në të vërtetë, duke e bërë të pamundur verifikimin e këtyre pretendimeve.”

Ndërkaq, artikulli pretendon se “disa shkencëtarë, përfshirë profesorin e Harvardit Avi Loeb, kanë pohuar se 3I/ATLAS mund të jetë një anije kozmike aliene për shkak të karakteristikave të tij të pazakonta.”

Siç Faktoje ka shpjeguar më parë, komuniteti shkencor pajtohet që 3I/ATLAS është një kometë ndëryjore, i treti objekt ndëryjor që viziton sistemin tonë diellor. Avi Loeb ka shpjeguar se teoria aliene ishte një lloj eksperimenti mendor dhe jo një teori e mirëfilltë.