Asnjë bazë shkencore për mjekësinë kuantike të njeriut

7

Pretendimi: Shërimi kuantik nxjerr jashtë loje spitalet, doktorët e farmacitë

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullojnë pretendime mbi të ashtuquajturin “shërim kuantik,” versioni më i fundit i kurave çudibërëse që parashikohet se do të nxjerrin mjekësinë dhe farmaceutikën jashtë loje.

Deepak Chopra e prezantoi termin “shërim kuantik” në librin e tij me të njëjtin emër, të botuar për herë të parë në vitin 1989. Ekspertiza e Chopras është vënë në pikëpyetje për shkak të nënkuptimit se metodat e tij bazohen në fizikën kuantike

Shërimi kuantik ka një numër mbështetësish të zëshëm, por komuniteti shkencor e konsideron gjerësisht si të pakuptimtë. Kritika kryesore ka të bëjë me keqinterpretimin sistematik të fizikës moderne, veçanërisht të faktit se objektet makroskopike (si trupi i njeriut ose qelizat individuale) janë shumë të mëdha për të shfaqur veti kuantike të natyrshme si interferenca dhe kolapsi i funksionit të valës.

Sipas encyclopedia.com, “premisa e tij themelore që postulon një lidhje të thellë midis ideve të fizikës kuantike dhe marrëdhënies mendje-trup është shumë e diskutueshme. Edhe më spekulative është hipoteza e tij se fizika kuantike ofron një shpjegim shkencor për mënyrën se si transformimet e thella në vetëdije prodhojnë forma të jashtëzakonshme shërimi në trup.”

Sadri Hassani, profesor emeritus i fizikës në Universitetin Shtetëror të Illinois, tha për Lead Stories: “Fizika moderne është abuzuar që nga fillimi. Meqenëse nuk i ndjejmë efektet e saj ‘të çuditshme’, ajo është shumë e prirur ndaj abuzimit mistik.

“Ajnshtajni u tërbua kur Arthur Eddington, fizikani britanik dhe mistik, e lidhi relativitetin me vetëdijen. Ai u tërbua gjithashtu kur Bohr dhe Heisenberg e lidhën fizikën kuantike me misticizmin lindor – po, edhe shkencëtarët e mëdhenj mund të ishin mistikë – nëpërmjet parimit të komplementaritetit, të cilin Ajnshtajni e quajti “feja Bohr-Heisenberg”. Për shkak të përfshirjes së fizikantëve të mëdhenj të fillimit të shekullit të 20-të në lidhjen e fizikës moderne – veçanërisht fizikës kuantike për shkak të shkallës së saj më të lartë të kundërintuitivitetit – me misticizmin, shkëputja e tyre ka rezultuar jashtëzakonisht e vështirë,” shpjegoi Hassani, i cili mban një doktoraturë në fizikë teorike nga Universiteti i Princetonit dhe është autor i disa librave, kryesisht mbi fizikën matematikore.

Fizikani dhe komunikuesi shkencor Brian Cox argumenton se keqpërdorimi i fjalës “kuantik”, siç është përdorimi i saj në frazën “shërim kuantik”, ka një efekt negativ në shoqëri pasi minon shkencën e vërtetë dhe i shkurajon njerëzit të angazhohen me mjekësinë. Ai pohon se “për disa shkencëtarë, shtrembërimi dhe përvetësimi i pafat i ideve shkencore që shpesh shoqëron integrimin e tyre në kulturën popullore është një çmim i papranueshëm për t’u paguar”.