Pretendimi: Nënë Tereza ishte një person transgjinor dhe nëna/babai i Anthony Faucit
Vlerësimi: E pavërtetë
Barbara Halla
Një postim i shpërndarë së fundmi në Facebook pretendon se Nënë Tereza është “zëvendësuar” nga një person transgjinor në moshën 22-vjeçare dhe se ajo paska qenë në të vërtetë nëna e mjekut amerikan Anthony Fauci. Kjo teori konspiracioni, e cila ka ardhur në shqip edhe më parë, bazohet tërësisht në trillime dhe nuk ka asnjë provë që tregon se dikush tjetër fshihet pas emrit Nënë Tereza, apo që ajo të ketë lidhje familjare me Faucin.

Faktet e jetës së Nënë Terezës, e lindur si Gonxhe Bojaxhiu më 26 gusht 1910 në Shkup, janë të dokumentuara gjerësisht në arkiva historike dhe burime ndërkombëtare. Në vitin 1928, në moshën 18-vjeçare, ajo iu bashkua urdhrit “Sisters of Loreto” dhe më pas themeloi organizatën bamirëse Missionaries of Charity në Kalkutë, të cilën e drejtoi deri pak para vdekjes së saj në shtator 1997. Jeta e saj publike ka qenë nën vëmendje të vazhdueshme ndërkombëtare për dekada me radhë, duke e bërë praktikisht të pamundur një “zëvendësim” të fshehtë, siç pretendohet në postim.
Po aq i pabazë është edhe pretendimi për lidhje familjare me Anthony Fauci. Sipas të dhënave biografike dhe dokumenteve publike amerikane, Anthony Fauci ka lindur më 24 dhjetor 1940 në Brooklyn, Neë York, nga prindërit Stephen dhe Eugenia Fauci, familje italo-amerikane. Nuk ka asnjë provë, dokument historik apo burim kredibil që ta lidhë atë me Nënë Terezën.
Narrativa të ngjashme janë përhapur që nga fillimi i pandemisë COVID-19, ku figura publike si Fauci janë shndërruar në objekt të teorive konspirative. Vetë postimi pranon se përmbajtja merret nga kanale të ashtuquajtura të “ushtrisë digjitale” në Telegram, platforma ku shpesh qarkullojnë teori të pabazuara dhe dezinformata, siç e tregon dhe një studim i universitet të Oxford. Pra, baza e këtyre informacioneve nuk janë kërkime në arkiva, apo të dhënë të tjera të besueshme, por teori inspracioni që shpërndahen online.
Për më tepër, llogaria që e ka shpërndarë këtë pretendim (që quhet “Patriotët e Botës së Re”) shfaq qartë prirje drejt shumë teorive konspirative, duke përfshirë narrativa për elita globale sekrete, Iluminatit, dhe manipulim masiv historik.






