.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAsnjë bazë për zbulimin e mikroçipëve në vaksinat Pfizer

Asnjë bazë për zbulimin e mikroçipëve në vaksinat Pfizer

Pretendimi: Kjo video tregon se në vaksinat Pfizer ndodhen mikroçipa që vetëmontohen në trup

Verdikti: E pavërtetë

Në rrjete sociale po qarkullon së fundmi një video që pretendohet se vërteton ekzistencën e mikroçipave në një vaksinë Pfizer-BioNTech kundër COVID-19. 

Video është publikuar fillimisht nga Children’s Health Defense, një organizatë amerikane që promovon dezinformim rreth vaksinave në rrjetin social X). Në këtë video, Dr. Ana Mihalcea, një mjeke e specializuar në sëmundjet e brendshme dhe e njohur në rrjet si promovuese e teorive anti-vaksinë, pretendon se ka vëzhguar mikroçipa që vetë-montohen në një vaksinë Pfizer-BioNTech kundër COVID-19 nën një mikroskop. 

Sipas Mihalceas, videoja tregon “drita që pulsojnë” dhe “mikroçipë që vetë-montohen” të pranishëm në vaksinë. Ajo gjithashtu pretendon se mikroçipat e supozuar janë gjetur edhe në gjakun e pacientëve që kishin marrë vaksinën kundër COVID-19.

Përdorues të ndryshëm e kanë shpërndarë videon në rrjete sociale, duke mbledhur miliona shikime. Edhe në Shqipëri, një profil në rrjetin social Facebook ka ndarë të njëjtën video si provë të abuzimit me vaksinimin anti-Covid.

Nëse ky pretendim do të ishte i vërtetë, Mihalcea do të bëhej njeriu i parë në botë që zbulon mikroçipe nëpërmjet pamjeve më mikroskop pas katër vitesh të ekzistencës së vaksinave anti-Covid. 

Por, verifikimet e kolegëve tanë të Logically Facts i rrëzojnë këto pretendime. Ata kanë kontaktuar nanoteknologen Dr. Michelle Dickinson për të shpjeguar bazën shkencore të pretendimeve që ngre në video mjekja Ana Mihalceas.

Në video, Mihalcea thekson “dritat që pulsojnë” të dukshme në mostrën e supozuar të vaksinës nën mikroskop. Dickinson shpjegoi për Logically Facts se lëngu në preparatin mikroskopik duket i errët dhe vajor, ndërkohë që vaksina Pfizer kundër COVID-19 është një lëng i tejdukshëm. “‘Dritat që pulsojnë’ janë thjesht drita që vijnë nga poshtë mikroskopit dhe kalojnë përmes hapësirave midis flluskave të ajrit apo flluskave të vajit që lëvizin në këtë lëng të trashë dhe viskoz”, shpjegoi ajo.

Ekspertja konfirmon se kushdo që e njeh nanoteknologjinë mund të konfirmojë se nuk ka asnjë bazë shkencore për “mikroçipë që vetë-mblidhen në vaksinë”. Ajo gjithashtu thekson se struktura e supozuar si “mikroçip” në të vërtetë është vendosur sipër lëngut të errët, siç tregohet nga ndryshimi në fokusin e thellësisë. “Kjo strukturë e madhe duket si një copë papastërtie me flluska ajri rreth saj”, sqaron ajo.

Lista e përbërësve të vaksinës Pfizer kundër COVID-19 është e disponueshme publikisht dhe tregon se nuk përmban mikroçipë apo metale. Në fakt, mikroçipët që vetë-mblidhen nuk ekzistojnë fare. “Mikroçipë apo nanoçipë që vetë-mblidhen në trup nuk janë një gjë që ekziston në shkencë”, tha Dickinson. “Nëse një teknologji e tillë do të ekzistonte, nuk do të kishim të gjitha pengesat fizike që kemi sot në fuqinë kompjuterike.”

Mihalcea, autore e librit të mjekësisë alternative Light Medicine, mbështetet në mësimet e J.Z. Knight, udhëheqës i sektit fetar Ramtha’s School of Enlightenment në Yelm, Uashington. Ajo ndan shpesh përmbajtje të ngjashme kundër vaksinave në blogun e saj.

Kjo nuk është hera e parë që pretendime të ngjashme rreth vaksinave COVID-19 qarkullojnë në internet, pasi teoritë e konspiracionit për mikroçipë në vaksina kanë qenë të përhapura që në fillim të pandemisë. Në vitin 2022, Dickinson hodhi poshtë një pretendim të ngjashëm në X, ku imazhe që pretendonin të tregonin “nanoteknologji të padeklaruar” në vaksinat Pfizer u shpërndanë gjerësisht.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img