Pretendimi: 2100 fëmijë u shpëtuan nga kafazet nën bazën ushtarake të Liqenit China në Kaliforni, ShBA
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————
Një lajm i hatashëm që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendon se marinsat amerikanë shpëtuan 2100 fëmijë nga kafazet nën bazën ushtarake të Liqenit China në Kaliforni, ShBA.
Megjithatë, një kërkim me fjalë kyçe nuk rezulton ndonjë raportim nga media të besueshme, vendase apo ndërkombëtare. Një ngjarje kaq e pazakontë detyrimisht do të ishte raportuar në masë, nëse do të ishte e vërtetë.
Nga kërkimi rezultoi gjithashtu se ky ‘lajm’ ka qarkulluar dhe më parë në rrjet, të paktën që nga viti 2021.
Në asnjë nga këto postime nuk ofrohet ndonjë provë e besueshme për këtë pretendim të pazakontë. Për të mbajtur këtë sekret, qindra, nëse jo mijëra, personel civil/ushtarak duhet të kenë qenë të përfshirë në këtë komplot dhe mbulimin e tij.
Ligji amerikan, për më tepër, nuk do të lejonte Pentagonin të dërgonte trupa për të trajtuar një krim jo-ushtarak. Kjo do të shkelte rregullin Posse Comitatus. Forcat për të kapur një rrjet pedofilësh do të duhej të ishin nga FBI ose një forcë policore shtetërore ose e qytetit, por jo Pentagoni.
Postimi i mësipërm i referohet si burim “Task Forcës së Pentagonit kundër Pederastisë.” Kjo duket se është një keqpërkthim i Pentagon Pedophile Task Force, një grup që promovon teori konspirative rreth trafikimit dhe abuzimit të fëmijëve në ShBA, një projekt i gazetarit amerikan Timothy Holmseth.
Pretendimi se Marinsat Amerikanë shpëtuan 2,100 fëmijë nga bazat dhe bunkerët nëntokësorë në Kaliforni e ka origjinën në një video të Holmseth nga viti 2019, i cili pretendonte se informacioni vinte nga një burim anonim në Pentagon.
Holmseth është një gazetar investigativ nga Minnesota, i cili ka përhapur teori të pabaza rreth zhdukjes së fëmijëve dhe rrjeteve të trafikimit për vite me radhë. Holmseth pretendoi se ishte anëtar i “Task Forcës së Pentagonit për Pedofilët”, por sipas një zëdhënësi të Departamentit të Mbrojtjes të ShBA, nuk ekziston një departament i tillë në Pentagon. Për më tepër, në gusht 2018, Holmseth tha për VICE se ai ndan vlerat e QAnon. Informacioni për fëmijët e rrëmbyer që torturohen në tunelet nën qytete në të gjithë botën është pjesë e teorisë së konspiracionit të QAnon.
Sipas teorisë konspirative të QAnon, bota sundohet nga dishepujt kanibalë të Satanit, të cilët udhëheqin një rrjet trafikimi fëmijësh në shkallë globale. Mbështetësit e kësaj lëvizjeje besojnë se presidenti i ShBA, Donald Trump, po kryente operacione sekrete kundër pedofilëve që adhuronin Satanin dhe kujdestarëve të tyre, të cilët, sipas tyre, janë grumbulluar në qeverinë, biznesin dhe median amerikane. Siç pretendon QAnon, po zhvillohen operacione sekrete për të ndihmuar fëmijët në tunele.
Marc Klaas, një aktivist për fëmijët e zhdukur dhe babai i një vajze të vogël që u rrëmbye dhe u vra, Polly Klaas tha për Lead Stories:
“Sapo pashë emrin Timothy Holmseth, më nxiti të flas sepse në të kaluarën ai më akuzoi se kisha mbuluar vrasjen e Polly-t. Sipas kontakteve të mia në websleuths dhe Levi Page, Holmseth, udhëheqësi i të ashtuquajturës Task Forcë Pedofile të Pentagonit, është aktualisht një njeri i kërkuar i cili ka shkelur vazhdimisht një urdhër ndalimi kundër avokates nga Florida, Kim Picazio.”
Në vitin 2009, Kim Picazio përfaqësoi nënën e fëmijës së zhdukur Haleigh Cummings. Holmseth akuzoi Picazio për pjesëmarrje në vrasjen e Haleigh.