Pretendimi: Nënë Tereza dyshohet se i ka shitur foshnjat e jetimores pedofilit dhe trafikantit amerikan Jeffrey Epstein.
Verdikti: E paprovuar
————————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi i pazakontë se Nënë Tereza dyshohet se i ka shitur foshnjat e jetimores pedofilit dhe trafikantit famëkeq amerikan Jeffrey Epstein.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm nuk ofrohet asnjë provë, burim apo referencë.
Pretendimi se Nënë Tereza “shiste bebe” ngatërron veprimtarinë e shenjtores me një rast tjetër që ndodhi në një strehë për nënat e pamartuara të drejtuar nga Misionaret e Bamirësisë, urdhri i murgeshave të Nënë Terezës, mbi 20 vjet pas vdekjes së saj në 1997.
Në 2018, një hetim nga Komiteti Indian për Mirëqenien e Fëmijëve, zbuloi se të paktën dy punonjëse në shtëpinë bamirëse “Nirmal Hriday” në Ranchi, Jharkhand, Indi, u përfshinë në marrjen e fëmijëve nga nëna të pamartuara dhe dhënien e tyre tek çifte që nuk kishin fëmijë. Hetimi u nis pas ankesës së një çifti që pretendonte se kishte paguar 1700 dollarë për një foshnje 14-ditësh, por më pas punonjësja e bamirësisë e kishte marrë përsëri fëmijën mbrapsht dhe kishte mbajtur paratë.
Megjithatë nuk ka prova që mbështesin këto pretendime lidhur me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Nënë Terezës në aktivitete të tilla kriminale.
Nënë Tereza udhëhoqi urdhërin e krijuar prej saj “Misionarët e Bamirësisë” deri pak para vdekjes së saj në shtator 1997. Skandali në fjalë u hetua në vitin 2018, shumë vite pas vdekjes së Nënë Terezës. Organizatat vendase fajësuan gjithashtu procedurat e gjata në Indi për adoptimet që nxisin këto fenomene korruptive.
Nënë Tereza filloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta në vitin 1950 dhe më vonë ngriti qindra strehimore që kujdesen për disa nga më në nevojtarët e botës, njerëz që ajo i përshkroi si “më të varfërit e të varfërve”. Ajo mori çmimin Nobel për Paqen për punën e saj bamirëse në 1979 dhe Papa Françesku e shpalli atë shenjtore në 2017.
E vetmja lidhje mes trafikantit dhe pedofilit Jeffrey Epstein dhe Nënë Terezës ishte e tërthortë. Ajo pranoi para nga botuesi britanik, Robert Maxwell, babai i partneres së Jeffrey Epstein në trafikimin e fëmijëve, Ghislaine Maxwell, i cili, siç u zbulua më vonë, përvetësoi 450 milionë paund britanikë nga fondet e pensioneve të punonjësve të tij. Megjithatë, takimi i saj me manjatin e shtypit Robert Maxwell, në fund të viteve 1980, i paraprin marrëdhënies që vajza e Maxwell krijoi me pedofilin Epstein.
Nënë Tereza pranoi gjatë jetës së saj donacione nga udhëheqës shtetesh të kritikuar për mungesën e demokracisë në vendet e tyre, duke justifikuar skrupujt moralë me nevojën për të ushqyer fëmijët e sëmurë apo në kushte rruge në misionet e urdhërit të saj.

Robert Maxwell në telefon dhe Nënë Tereza, Prill 1988
Në një nekrologji të botuar në gazetën The Economist pas vdekjes së Nënë Terezës në 1997, shpjegohet se “siç sugjeron lista e ndihmësve të saj, Nënë Tereza nuk ishte shumë e kujdesshme në lidhje me burimet e parave të saj. Ajo u fut në telashe gjithashtu, për pranimin e Legjionit të Nderit të Haitit nga Baby Doc Duvalier, dhe për vendosjen e një kurore në varrin e Enver Hoxhës, ish-udhëheqësit komunist të Shqipërisë, ku ajo lindi. Njerëzit mendonin se ajo ishte injorante, ose, më keq akoma, bashkëpunëtore në tiraninë ose korrupsionin e këtyre burrave. E vërteta ishte më e thjeshtë dhe më e jashtëzakonshme: ajo pa Krishtin tek ata dhe besonte se ata mund të shpëtoheshin. Qëndrimi i saj ndaj Maxwell ishte pikërisht i njëjtë me qëndrimin e saj ndaj gruas së parë që shpëtoi nga një rrugë e Kalkutës, tashmë gjysmë e ngrënë nga minjtë dhe milingonat: ky ishte “Krishti në maskën e tij të tmerrshme”, që kërkonte të shërohej nga dashuria.”
Megjithatë, pranimi i donacioneve nga Robert Maxwell nuk provon se Nënë Tereza ka shitur foshnje nga jetimoret apo ka qenë bashkëpunëtore e tij.
Një kërkim në dosjet Epstein, të bëra publike nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, tregon se Nënë Tereza përmendet në to vetëm si simbol shenjtërie, krahas figurave të ngjashme si Gandhi.






