Një lajm i publikuar në portale ku flitet për diçka të frikshme në vendin tonë, në fakt është thjesht një abuzim me titullin. Faktoje verifikoi se artikulli thjesht pasqyron problemin e plakjes së popullsisë në Shqipëri.
Një artikull i shpërndarë në portale flet për diçka të frikshme që po ndodh në vendin tonë, duke sugjeruar që të merren masa.
“Lajm i keq për vendin tonë/ Të merren masa! E fr*kshme kjo që po ndodh, ja cfarë u zbulua”- lajmëron në titullin e tij portali shqip-lajme.
Artikulli i shpërndarë në portale
Po të shohim më tej në brendësi të artikullit vihet re se flitet mbi plakjen e popullsisë në vendin tonë, një temë e shumëdiskutuar vitet e fundit. Pra, titulli nuk ka lidhje me tekstin në brendësi dhe kjo është mjaft e qartë që në fjalinë e parë të artikullit.
“Mosha mediane e popullsisë shqiptare në vitin 2022 ishte 38.2 vjeç, sipas INSTAT. Në krahasim me mesoren e Bashkimit Europian, Shqipëria vijon ende të mbetet një nga popullsitë më të reja, (e gjashta) teksa mesorja e Bashkimit Europian, që ndan popullsinë në dy grupe ishte 44.4 vjeç në 1 janar 2022”, thuhet më tej në këtë shkrim.
Nga një kërkim i bërë në internet shihet se artikulli është marrë nga një shkrim i Monitor, por portali ka abuzuar me titullin. Lajme të tilla, me tituj ‘bombastik’ bëhen me qëlim që të tërheqin klikime, ndonëse në këtë mënyrë manipulojnë audiencën.