Asnjë agjendë sekrete pas fshirjes së elementit kimik Eter

22

Pretendimi: Elementi kimik eter është fshehur nga tabela periodike e Mendelejevit

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————

Në rrjetet konspiracioniste shqipfolëse po qarkullon pretendimi se një element kimik i quajtur eter është fshirë qëllimisht nga tabela periodike e Mendelejevit nga “shkenca akademike botërore.”

Për të mbështetur këtë pretendim, postimi përfshin gjithashtu një version të tabelës periodike të Mendelejevit të botuar në librin e tij “Themelet e Kimisë” në 1906

Shkencëtarët në përgjithësi ia atribuojnë kimistit rus Dimitri Mendelejev krijimin e tabelës së parë moderne periodike të elementeve, në vitin 1869. Ajo që e bën tabelën periodike kaq të dobishme është se ajo i rendit elementët në grupe bazuar në modele të përsëritura në vetitë e tyre. Kur Mendelejev e bëri këtë, ai mundi të identifikonte boshllëqet në tabelën e tij dhe të parashikonte vetitë e elementeve ende të pazbuluara që mund t’i mbushnin ato. Përmes kësaj metode, Mendelejev parashikoi me sukses elementë si skandiumi, galiumi dhe germaniumi vite para se kimistët t’i zbulonin ato.

Megjithatë, jo të gjitha parashikimet e Mendelejevit ishin të sakta. Ai jetoi në një kohë kur eteri ndriçues ishte një ide shkencore e pranuar gjerësisht, dhe një nga parashikimet e tij më të pasakta është se edhe eteri vinte në formën e një atomi. Mendelejevi parashikoi se eteri do të ishte një element më i lehtë se hidrogjeni. 

Deri më tani, askush nuk e ka zbuluar kurrë eterin.

Këtu, “eter” në fakt i referohet një ideje të vjetëruar që rridhte nga supozime të pasakta rreth mënyrës se si funksionon universi.

Shkencëtarët shpikën idenë e eterit për të shpjeguar se si e shohim dritën. Sot, ne e dimë se drita mund të lëvizë nëpër një boshllëk, një hapësirë ​​pa materie. Ky është një parim kyç i teorisë së relativitetit special të Albert Ajnshtajnit. Por shkenca nuk e dinte gjithmonë këtë. Përpara se Ajnshtajni të botonte punimet e tij të para mbi relativitetin special në vitin 1905, shumica e shkencëtarëve supozonin se valët e dritës silleshin si valë zanore, të cilat kanë nevojë për materie për të udhëtuar.

Ky supozim ngriti pyetjen se si mundet që drita nga Dielli ose nga yjet e largët të udhëtojë nëpër boshllëkun e hapësirës për të arritur sytë tanë. Në shekujt e kaluar, shkencëtarët iu përgjigjën kësaj pyetjeje duke arritur në përfundimin se hapësira boshe nuk ishte në të vërtetë bosh. Përkundrazi, universi ishte i mbushur me një material të padukshëm që mund të mbante dritën. Shkencëtarët e quajtën këtë substancë hipotetike eter ndriçues.”

Shumica e shkencëtarëve besonin se bashkëveprimi me eterin ishte shumë i vështirë, siç shkruan kimisti Gábor Pecs.

Kur fizikantët u përpoqën të testonin për eterin ndriçues, ata nuk gjetën prova të ekzistencës së tij. 

Testi më i famshëm i eterit është eksperimenti Michelson-Morley. Nëse hapësira është e mbushur me eter, atëherë Toka që rrotullohet në orbitën e saj do të lëvizte përmes eterit si një anije përmes ujit. Në atë rast, dy valë drite që udhëtojnë në drejtime të ndryshme në Tokë duhet të lëvizin me shpejtësi të ndryshme (imagjinoni ndryshimin midis lundrimit kundër erës dhe lundrimit me erën prapa.)

Në 1887, dy fizikanë të quajtur Albert A. Michelson dhe Edward W. Morley u përpoqën ta matnin këtë ndryshim duke matur shpejtësinë e dritës në drejtime të ndryshme përgjatë një tavoline. Ata kryen të njëjtin eksperiment në kohë të ndryshme të vitit, kur Toka duhet të ketë qenë duke lëvizur nëpër eter në kënde të ndryshme. Eksperimenti i tyre nuk gjeti asnjë ndryshim.

Këto rezultate sugjeruan që Toka nuk po lëvizte nëpër asnjë substancë të vëzhgueshme. Fizikanët e përsëritën eksperimentin e tyre vazhdimisht gjatë dekadave në vijim me instrumente gjithnjë e më të ndjeshme, dhe prapë nuk gjetën asnjë gjurmë të eterit ndriçues.

Në retrospektivë, fizikantët e shohin eksperimentin Michelson-Morley si provë të hershme të relativitetit special, i cili është ndërtuar rreth idesë se drita lëviz nëpër vakum me një shpejtësi konstante, pavarësisht drejtimit. Kjo ide do të thotë se nuk ka nevojë për eter ndriçues në kuptimin tonë të universit. Në kontrast me teorinë e eterit ndriçues, relativiteti special është rikonfirmuar në eksperimente. Fizikantët kanë qenë në gjendje të testojnë me sukses idetë e relativitetit special.

Në kundërshtim me pretendimine postimit, nuk ka prova që dikush është përpjekur të fshehë ekzistencën e eterit ndriçues. E gjithë kjo histori është mjaft mirë e dokumentuar. Në fakt, meqenëse idetë shkencore shpesh kërkojnë pak kohë për t’u zbehur, disa shkencëtarë madje e mbajtën idenë e eterit ndriçues deri në gjysmën e dytë të shekullit XX, pavarësisht mungesës së provave.

Askush nuk ka zbuluar ndonjëherë një atom eteri. Në kohën kur eteri ishte një ide e pranuar shkencore, parashikohej se një ditë mund të gjenim një atom eteri, por siç e sqaruam, eteri u diskreditua si një ide shkencore përpara se kjo të mund të ndodhte.

Sot, me kuptimin tonë modern të fizikës atomike dhe bërthamore, dimë se tabela periodike nuk ka vend për eterin. Ne dimë se atomet e secilit element përmbajnë një numër unik dhe specifik protonesh. Hidrogjeni është elementi më i lehtë i mundshëm. Çdo atom hidrogjeni përmban një proton. Nuk është e mundur të ketë një atom me më pak se një proton, dhe nuk është e mundur të ketë një element më të lehtë se hidrogjeni, siç parashikoi Mendelejevi.

Nuk ka vend për eter askund tjetër në tabelën periodike. Deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli, ka 118 elementë të njohur, asnjëri prej të cilëve nuk është eter. Elementet e zbuluara më së fundmi mbushin pjesët e sipërme të tabelës periodike, dhe ato kanë atome aq të rënda sa janë shumë të paqëndrueshme dhe zbërthehen në elementë të tjerë brenda fraksioneve të sekondës. Kimistët nuk i zbulojnë këto elementë në natyrë, dhe shumë shkencëtarë dyshojnë se atome kaq të rënda mund të ekzistojnë fare në natyrë. Në vend të kësaj, kimistët i bëjnë këto elementë në laborator. E njëjta gjë pothuajse me siguri do të jetë e vërtetë për çdo element të ri që kimistët zbulojnë në të ardhmen.

Mendimi shkencor është gjithmonë në zhvillim. Eshtë në natyrën e shkencës që t’i rivlerësojë gjërat ndërsa shfaqen prova të reja. Vetëm pse mendjet e shquara dikur besonin në një ide të diskredituar, kjo nuk e bën idenë e diskredituar më të vlefshme sot.