Pretendimi: Ky imazh tregon një arushë me këlyshët e saj në fshatin Kolesjan të Kukësit
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
————————————————–
Në dhjetor 2025, një imazh që pretendohet se tregonte një arushë me katër këlyshët e saj në Kukës u shpërnda gjerësisht në rrjete sociale, media dhe portalet shqipfolëse. Ky imazh idilik i maleve shqiptare u shpërnda edhe nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla.

Megjithatë, imazhi i mësipërm është i rremë dhe me gjasa i gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Me anë të motorit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti videon nga është shkëputur imazhi i mësipërm, botuar në Youtube më 23 dhjetor 2025 nga një llogari që poston video të gjeneruara me AI.

Në versionin video, origjina artificiale e pamjeve dallohet në defektet logjike, si mungesa e gjurmëve mbi borë pasi ariu i vogël kalon mbi të.
Ndërkaq, pasi imazhi nisi të qarkullonte në rrjet blogeri Ben Trota botoi një video nga vendi ku pretendohej se ishte xhiruar arusha. Në videon e tij, vërehet qartë se atje nuk ka borë. Sipas Trotës, bora ende nuk kishte filluar të binte në Kukës në ato ditë kur pretendohet të jetë shkrepur foto.

Trota gjithashtu thekson se arinjtë me nisjen e dimrit hyjnë në hibernim për t’u rishfaqur në pranverë, një fakt natyror që u mësohet fëmijëve që në shkollën fillore.
Viraliteti i imazhit frymëzoi krijime spontane të komentuesve që shpotisnin artificialitetin e tij.







