Pretendimi: Gazetari shqiptar Artur Zheji mohoi sëmundjen pak para se të ndërronte jetë
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————–
Në vazhdën e lajmeve për vdekjen e papritur të gazetarit shqiptar Artur Zheji më 23 gusht 2025, një artikull i Gazeta Dita pretendon se ky i fundit kishte “bërë një ndërhyrje kirurgjikale në Gjermani disa muaj më parë. Por ai i mohoi lajmet se ishte sëmurë.”
Në brendinë e tij , artikulli citon një intervistë ku Zheji “ka pohuar se ndodhet në Sarandë me familjen dhe se lajmet që qarkullojnë për semundjen e tij të janë si “puçrrat që u dalin fëmijëve nga djersa e vapës”. Ai pranoi se ka kryer një ndërhyrje të lehtë kirurgjikale në Gjermani, por sipas tij këto tre muaj ka preferuar të kujdeset për vetën, duke hequr “prizat’ nga zhvillimet e përditshme.”
Megjithatë, një kërkim i tekstit të intervistës së cituar shpejt zbulon se “operacioni në Gjermani dhe mohimi i sëmundjes” nuk ka ndodhur së fundmi, por mbi 6 vite më parë.
Kështu, në gusht 2019, Zheji tha për Ora News:
“Këto dy tre muajt e fundit, u kujdesa për shëndetin, më me vëmëndje se më parë, pasi bëra një ndërhyrje kirurgjikale të lehtë dhe të shpejtë, në Gjermaninë e bekuar nga Zoti.
Porse fill pas kësaj, kam parapëlqyer të heq “prizat”, nga e përditshmja mediatike dhe politike shqiptare, për të ulur stresin dhe kotësinë e rënies në kurthin e lajmeve të verës, që shpesh janë të ngjashme me puçrrat që u dalin fëmijëve nga djersa e vapës.”