Pretendimi: Ky imazh tregon një burrë nga Kukësi të quajtur Hasan, i cili ka punuar një vepër artistike me shishe plastike.

Verdikti: Gjeneruar me AI

————————————————————-

Një imazh që ka marrë mbi 200 pëlqime nën 24 orë në Facebook duket se tregon një burrë të përlotur duke treguar një skulpturë plastike gjeli. Sipas mbishkrimit të imazhit, burri është “Hasani nga Kukësi”, i cili e ka punuar veprën artistike me shishe plastike, por që duket se nuk ka marrë vlerësimin e duhur nga publiku. Për këtë arsye i kërkohet përdoruesve që të shprehin mbështetjen e tyre duke komentuar në postim. Një pjesë e madhe e komenteve shprehin vlerësim për veprën artistike dhe inkurajojnë talentin e Hasanit.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti një version të hershëm të imazhit, pa mbishkrimin që e identifikon burrin si Hasani nga Kukësi.

Versioni i mësipërm, i postuar në Twitter më 15 maj 2025, shoqërohet me përshkrimin në gjuhën angleze: “Kalova javë të tëra duke mbledhur shishe dhe duke krijuar këtë gjel… Mendova se të gjithëve do t’u pëlqente, por askush nuk e pa siç duhet.”

Në cepin e poshtëm, majtas, vëmë re një mbishkrim me shkronja të vogla që e etiketon imazhin si të gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale.

Ky imazh është shembull i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.” 

Llum AI quhen imazhe, video apo shkrime me cilësi të ulët të krijuara duke përdorur teknologjinë gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe të karakterizuara nga një mungesë e theksuar e përpjekjes, logjikës ose kuptimit.

Llumi AI është një lloj argëtimi vizual pa mend, me Jezusin Karkalec si figurë shembullore, një imazh i Jezu Krishtit i bërë me pjesë karkalecash. 

Llumi AI në Facebook zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese , që ngjallin emocione të forta tek njerëzit, si keqardhje për Hasanin nga Kukësi.

Llumi AI që nxit komplimente, simpati dhe urime në tekstin shoqërues merr shumë angazhim. Postime të tilla mund të dallohen nga fjali si “E bëra me duart e mia, por jam i trishtuar sepse askush nuk e pëlqeu punën time”, “Sot është ditëlindja ime” ose “Nuk do të pendoheni kurrë që e keni pëlqyer këtë foto”.

Shembuj të llumit AI në Facebook

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.