“Fantazma e armikut të jashtëm” rikthehet sërish në Serbi. Këtë herë, narrativa është përdorur për të zhvlerësuar rezolutën e miratuar nga Parlamenti Evropian. PE i kërkoi Komisonit Evropian të fillojë një nismë për hetim ndërkombëtar të procesit zgjedhor të dhjetorit të kaluar në Serbi, që shpalli fituese edhe njëherë partinë në fuqi SNS të Presidentit Aleksandar Vuçiç. Por, ky i fundit dhe të gjitha figurat politike në pushtet në Serbi e gjejnë fajin herë tek opozita, e dhe herë tek “armiqtë perëndimorë” të cilët “duan të dëmtojnë ekonomikisht Serbinë”. Madje, kryeministrja Ana Brnabiç e quajti rezolutën e PE-së si ‘presion që Serbia të njohë Kosovën’ edhe pse kjo nuk përmendet në asnjë rresht të rezolutës në fjalë.
Jona Plumbi
“Me të gjithë bisedojmë pasi Serbia është në rrugën evropiane, ndonëse po luftojnë fort për sanksione, pasi nuk e duan Serbinë të fortë, mbi të gjitha ekonomikisht. Do t’w fitoja çmimin Nobel vetëm për t’a njohur Kosovën dhe po të vendos sanksione ndaj Rusisë, do të isha lideri më i madh botëror, vizionar europian… Ndërsa vizioni im është Serbia e të ardhmes. Më intereson Serbia, nuk jam kandidat për Komisioner në BE“, Aleksandar Vuçiç.
Kështu e komentoi presidenti serb Rezolutën e miratuar në Parlamentin Europian me 461 vota pro 53 kundër dhe 43 abstenim që kërkon hetim ndërkombëtar të zgjedhjeve të fundit në Serbi. Deklarata është në një linjë me narrativën serbe, që e refuzon me verbëri faktin se vëzhgues ndërkombëtarë mes të cilëve vetë OSBE ODIHR dhe aktorë të tjerë vendas në Serbi, e kanë faktuar shkeljen e lirisë dhe paanshmërisë së procesit zgjedhor të dhjetorit 2023. Në deklarata, si para ashtu edhe pas miratimit të rezolutës së PE-së, Vuçiç, Brnabiç dhe aktorë të tjerë politikë në Serbi, si “shkak” të miratimit të rezolutës gjejnë çdo arsye të mundshme (dhe të pamundshme) vetëm e vetëm që të mos shohin veten në pasqyrë.
Narrativa Serbe në median shqiptare
Në një intervistë për televizionin serb Pink TV, që më pas është përkthyer në gjuhën shqip nga portali pro-serb “Kosovo-Online” duke komentuar Rezolutën e Parlamentit Europian, Vuçiq tha se rezolutat “shkojnë e vijnë”, ndërsa turpi i opozitës do të mbetet përjetësisht.
“Rezolutat shkojnë e vijnë, ndërsa turpi i tyre do të jetë i përjetshëm, sepse kjo kundër vendit tuaj nuk shkon. Ne në opozitë nuk jemi sjellë kështu. Kjo është shprehje e dobësisë së madhe të partive të ish-regjimit, të cilat po tentojnë të manipulohen nga një dorë tjetër nga jashtë, si marioneta, i sjellin në pushtet, sepse paratë e tyre janë më të rëndësishme se e ardhmja e vendit”, tha Vuçiç.
Sipas tij, mocioni për rezolutën e PE-së i kërkuar nga opozita, kërkon një Serbi pa Kosovën.
“Ata nuk i kanë bërë asgjë të nderuar dhe të mirë vendit tonë. Ata nuk e duan Serbinë. Ata janë për Serbinë pa Kosovën, për Serbi që do t’u shërbejë interesave të të huajve. Jam krenar që pengoj ata që duan të kolonizojnë Serbinë”, tha ai.
Kjo narrativë zhvlerësuese ndaj Parlamentit Europian nuk nisi vetëm pas miratimit të rezolutës në fjalë. Vuçiç kishte përgatitur terrenin më herët.
“Gjithmonë do të bëjnë rekomandime kundër Serbisë, ne do të themi faleminderit dhe do të vazhdojmë rrugën tonë” – deklaronte Vuçiç nga Shkupi pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.
Në një linjë e trajtoi edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic lajmin. Sipas saj kjo rezolutë nuk ka të bëjë me zgjedhjet në Serbi, por me njohjen e Kosovës.
“Rezoluta e PE vazhdon presionin ndaj Serbisë, nuk ka të bëjë fare me zgjedhjet. Rezoluta është një formë presioni dhe një formë ndëshkimi për dy gjëra themelore, e para është se, siç thonë ata, po cwnojmë kushtetutshmërinë e të ashtuquajturës Kosova dhe për çfarë ankohet Parlamenti Evropian dhe pse Aleksandar Vuçiq insistoi dhe vendosi që Serbia të votojë kundër të ashtuquajturit anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, gjë që u kritikua edhe në rezolutën e Parlamentit Evropian në tetor 2023” , Ana Brnabic për TV Pink.
Çfarë ndodhi
Partia Progresive Serbe (SNS), që është në pushtet prej vitit 2012, siguroi 48% të votave në zgjedhjet parlamentare të vendit më 17 dhjetor. Megjithatë, votimet u njollosën nga parregullsi dhe akuza për mashtrim. Dolën raporte me sulme ndaj vëzhguesve të zgjedhjeve, episode të blerjes së votave, mbushjes së kutive të votimit dhe transportit të parregullt të qytetarëve – dhe ministrave – nga entiteti boshnjak Republika Srpska në Beograd për të votuar për partinë në pushtet gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve.
Misioni vëzhgues i zgjedhjeve, OSBE ODIHR në përfundim të procesit zgjedhor në Serbi shpalli se “edhe pse zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi i ofruan votuesve mundësi zgjedhjeje midis alternativave politike dhe liritë e shprehjes dhe tubimit në përgjithësi u respektuan, presioni mbi votuesit si dhe përfshirja vendimtare e Presidentit dhe avantazhet sistematike të partisë në pushtet minuan procesin zgjedhor në përgjithësi”.
Asnjë lider i BE-së nuk e përgëzoi presidentin Aleksandar Vuçiq dhe SNS për fitoren. Askush përveç njërit: Kryeministrit hungarez, Viktor Orbán.
Në të kundërt, BE, SHBA dhe Gjermania ngirtën zërin për shqetësimet e tyre në lidhje me akuzat për mashtrim dhe u bënë thirrje autoriteteve serbe që të hetojnë parregullsitë e raportuara. Grupi socialist në Parlamentin Evropian dhe eurodeputetët Viola von Cramon dhe Klemen Groselj, të cilët morën pjesë në Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, ndanë shqetësime të ngjashme. Eurodeputetja von Cramon madje ofroi të ndërmjetësonte një dialog partiak midis SNS dhe opozitës në emër të Parlamentit Evropian.
Çfarë thotë Rezoluta
Rezoluta e Parlamentit Europian i kërkon Komisionit të BE-së të fillojë një nismë për një hetim ndërkombëtar mbi procesin e zgjedhjeve të dhjetorit të kaluar në Serbi.
Kosova nuk përmendet asnjëherë në këtë rezolutë.
Teksti, që u miratua me shumicë dërrmuese në Strasburg, përmban kërkesën për një hetim ndërkombëtar për zgjedhjet në Serbi, sipas modelit të aplikuar në Maqedoninë e Veriut. Nëse autoritetet serbe nuk i zbatojnë rekomandimet për përmirësimin e procesit zgjedhor ose nëse zbulohet se kanë marrë pjesë në mashtrime zgjedhore, Serbia përballet me mundësinë e pezullimit të financimit të BE-së.
Rezoluta thekson se fushata e përgjithshme në Serbi u karakterizua nga polarizimi ekstrem, retorika agresive, diskretitimi personal dhe abuzimi verbal. Presioni mbi punonjësit e sektorit publik, keqpërdorimi i burimeve publike dhe skemat e nxitjes së votuesve ngritën shqetësime për aftësinë e votuesve për të zgjedhur pa presion. Gjithashtu mediat e sponsorizuara nga Rusia si Sputnik Serbia dhe Russia Today Balkan kontribuuan aktivisht në përhapjen e keqinformimeve, kryesisht për kandidatët e opozitës.
Rezoluta vijon duke kujtuar rolin parësor që vetë Presidenti Vuçiç mori në fushatë në këto zgjedhje, edhe pse nuk ishte kandidat, si dhe faktin se organizata serbe e shoqërisë civile CRTA vlerësoi se pasaktësitë në regjistrin e zgjedhjësve përbënin të paktën 30 mijë votues si pjesë e një strategjie zgjedhore të paligjshme të ‘inxhinierisë zgjedhore’ për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve dhe deformuar vullnetin e votuesve.
Parlamenti Europian thekson me shqetësim serioz se prova të shumta të mbledhura nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendas, tregojnë aktivitete përpara dhe gjatë ditës së zgjedhjeve që mund të kenë ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve dhe mund të kenë ndikuar në mënyrë kritike në rezultatet e zgjedhjeve të Beogradit, në veçanti, dhe të kenë dëmtuar seriozisht legjitimitetin e zgjedhjeve parlamentare;
PE bën thirrje për një hetim ndërkombëtar të pavarur nga ekspertë dhe institucione të respektuara juridike ndërkombëtare për parregullsitë e zgjedhjeve, si dhe i kërkon Komisionit Europian të nisë një iniciativë për të dërguar një mision ekspertësh në Serbi për të vlerësuar situatën në lidhje me zgjedhjet e fundit dhe zhvillimet pas zgjedhjeve.
Paragrafi “S” i Rezolutës së PE në veçanti e zberthen narrativën serbe si degëzim i asaj ruse.
“Autoritetet serbe mohojnë çdo parregullsi. Presidenti serb dhe mediat e kontrolluara nga Kremlini kanë pretenduar se vende të tjera kanë ndërhyrë në procesin zgjedhor në Serbi në mënyra brutale, por nuk kanë ofruar prova të vërtetuara për këto pretendime. Ndërsa kryeministrja Brnabiç publikisht falenderoi shërbimet e inteligjencës ruse për dhënien e informacionit mbi aktivitetet e planifikuara të opozitës dhe Kremlini ka dënuar protestat publike kundër zgjedhjeve të përgjithshme të Serbisë si përpjekje perëndimore për të rrëzuar qeverinë dhe për të orkestruar një tjetër “grusht shteti në Maidan” – Rezoluta e Parlamentit Europian për zgjedhjet në Serbi, 8 Shkurt 2024.
Përfundim
Pas pretendimit se perëndimi është përfshirë në nxitjen e protestave anti-qeveritare pas-zgjedhore në Serbi, presidenti Vuçiç ka përdorur të njëjtën “strategji” për të diskretituar dhe zhvlerësuar alarmin për zgjedhje të manipuluara, të zyrtarizuar në rezolutën e Parlamentit Europian të dates 8 shkurt 2024.
Presidenti Vuçiç, kryeministrja Brnabiç dhe zyrtarë të tjerë të partisë në pushtet e kanë etiketuar rezolutën herë si “produkt të opozitës së manipuluar nga vende të treta” dhe herë si “presion ndaj Serbisë për të njohur Kosovën”.
Vetë rezoluta e PE-së përgënjeshtron deklaratat e pushtetarëve në Serbi kur ‘dënon sulmet e orkestruara nga zyrtarët serbë ndaj vëzhguesve të zgjedhjeve, duke përfshirë anëtarët e Parlamentit Evropian dhe bën thirrje për kthim në diskursin e respektueshëm dhe konstruktiv’ si dhe “u kërkon autoriteteve serbe që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të shmangur çdo fushatë të mëtejshme dezinformuese kundër vëzhguesve të zgjedhjeve” të cilët kanë faktuar shkelje të ligjeve dhe standardit zgjedhor.