Ardit Gjebrea viktimë e lajmeve të rreme të portaleve “informative”

5

Pretendimi: Artisti shqiptar Ardit Gjebrea është arrestuar për vjedhje kompjuterash

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————

Një postim që ka marrë gati 200 pëlqime në Facebook njofton se prezantuesi shqiptar Ardit Gjebrea është arrestuar për vjedhje, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.

Në brendinë e artikullit pretendohet se Gjebrea është arrestuar pasi “policia ka zbuluar prova që e lidhin atë me vjedhjen e disa sendeve të vlefshme, duke përfshirë laptopë dhe pajisje elektronike.”

Megjithatë, nuk jepet ndonjë provë, burim apo referencë për t’i mbështetur këto pretendime.

Nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit për një arrestim të tillë. 

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe lajme të mëparshme nga i njejti portal, i cili ka botuar artikuj të trilluar mbi gjetjen e Bleona Matës së zhdukur në 2010, vdekjen e këngëtarit Shpat Kasapi dhe të politikanit shqiptar Azem Hajdari, dhe vdekjen e rreme të politikanit Lulzim Basha.

Titulli i artikullit keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve në mënyrë jo etike. Pjesa më e madhe e lexuesve shkruajne komente negative për portalin apo përpiqen të përgënjeshtrojnë lajmet e rreme për personazhe të njohura, pa e kuptuar se edhe duke shkruar një koment të tillë ndihmojnë në rritjen e shikueshmërisë së portalit dhe jetëgjatësinë e mëtejshme të veprimtarisë së tij abuzive.   

Ka gjasa që ky artikull, dhe artikuj te ngjashëm të postuar nga e njejta faqe dhe përgënjeshtruar dhe më parë nga Faktoje, janë gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).