Pretendimi: Apple do të heqë aplikacionin Telegram nga telefonat e saj
Verdikti: E pavërtetë
—————————————–
Pas arrestimit të pronarit të aplikacionit Telegram, Pavel Durov, më 24 gusht në Francë, në rrjete sociale qarkulloi thashethemi se kompania Apple do të heqë aplikacionin nga iPhone pa njoftuar përdoruesit.
Megjithatë, ky pretendim është përgënjeshtruar nga kompania. “Telegram nuk ka njoftuar diçka të tillë”, tha një zëdhënës për AAP FactCheck.
Një zëdhënës nga Apple shpjegoi për USA Today se një aplikacion mund të fshihet nga App Store nëse shkel rregullat e përdorimit. Gjithsesi, edhe nëse një aplikacion fshihet nga App Store, përdoruesit “që e kanë shkarkuar më përpara aplikacionin do të vazhdojnë të kenë akses në të për sa kohë që nuk e fshijnë vetë [nga telefoni].”
Imazhet që shoqërojnë postimin duket se tregojnë hapat që përdoruesit mund të ndërmarrin për të aktivizuar kontrollin prindëror në telefon. Kontrolli “Deleting Apps” i pengon fëmijët të fshijnë aplikacionet nga telefoni.
Telegram vijon të jetë i disponueshëm për t’u shkarkuar në App Store.