Këtë korrik, liqeni i Ohrit në Pogradec do të priste për herë të parë kampionatin botëror të sporteve të ujit, njohur ndryshe si Formula1 H2O. Eventi që u trumbetua me bujë një vit më parë si promovim për Shqipërinë turistike, u anullua në heshtje.
Esmeralda Topi
Shtatorin e vitit të kaluar, kryetari i Bashkisë së Pogradecit Ilir Xhakolli lajmëroi mbajtjen e kampionatit botëror të sporteve të ujit në liqenin e Ohrit, të njohura nga sportdashësit si garat e Formula 1 H2O.
“Dy evente sportive botërore të cilat vijnë për herë të parë në Shqipëri, duke promovuar masivisht turizmin e Pogradecit dhe vendit tonë. Vëmendje e jashtëzakonshme mediatike botërore për Pogradecin i cili kthehet në epiqendrën botërore të sporteve ujore për 7 ditë.”- premtonte kryebashkiaku Xhakolli.
Të njëjtin entuziazëm ndau edhe kryeministri Edi Rama, teksa reklamonte ngjarjen sportive në rrjetet e tij sociale.
‘43 skuadra nga e gjithë bota do ta kthejnë Pogradecin në kryeqendrën botërore të sporteve ujore për 7 ditë, sepse Shqipëria e Turistike tanimë është ngjitur në një nivel të ri.’– shkruante Rama në rrjetin social facebook.
Fakt
Ndryshe nga sa u premtua një vit më parë, Pogradeci nuk arriti të hyjë në hartën e këtyre garave pasi organizatorët e FORMULA 1H2O u tërhoqën nga marrëveshja.
“Pa dhënë asnjë sqarim, faqja e zyrtare e F1H2O e hoqi garën zyrtare nga datat e parashikuara dhe nuk dha asnjë sqarim publik në lidhje me këtë anullim.”, pohon Bashkia e Pogradecit, teksa thekson se kishte marrë të gjitha masat e nevojshme për mbajtjen e garave në liqen.
“Zyrtarisht nuk disponojmë asnjë dokument për anullimin e garës, apo shkaqet e këtij anullimi e cila mund të lidhet me logjistikën e shumtë që nevojitej për tu ngritur deri edhe tek fondet që po ashtu nevojiteshin për realizimin e saj nga organizatorët.”– sqaron më tej Bashkia.
Kontrata e bashkëpunimit për zhvillimin e kampionatit botëror H2O të Formula 1 për jetski dhe motorrat e ujit u firmos më 6 shtator të vitit të kaluar.
“H2O Racing njoftoi sot se Shqipëria do të presë një raund të Kampionateve Botërore të UIM F1H2O dhe UIM-ABP për Aquabike në Pogradec në korrik 2024.”, bëhej e ditur në faqen zyrtare të F1H2O.
Sipas organizatorëve kampionati do të zhvillohej në datat 2-7 korrik të këtij viti.
Ç’ndodhi
Garat që u panë si mundësi promovimi për Shqipërinë turistike nga zyrtarët e lartë në Shqipëri, nuk u përqafuan nga ekspertë të mjedisit në vend dhe në Maqedoninë e Veriut. Mjedisorët e shihnin kampionatin si kërcënim për ekosistemin e liqenit dhe trashëgiminë kulturore.
50 shoqata të ndryshme jo qeveritare nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u bënë bashkë për të adresuar shqetësimin e tyre pranë autoriteteve shqiptare dhe në UNESCO. Liqeni i Ohrit është në listën e kësaj organizate si pasuri e kombinuar e trashëgimisë, natyrore dhe kulturore që nga korriku i vitit 2019.
Shqetësimin e ngritur nga aktivistët e konfirmon edhe Bashkia e Pogradecit.
“Ju bëjmë me dije se gjatë kësaj kohe pati edhe një reagim nga disa organizata mjedisore në Ohër të cilat kërkuan që kjo garë të mos realizohej dhe këtë ankesë e kanë përcjellë edhe në kryeministri apo pranë organizatorëve.”, – argumenton Bashkia.
Në mars të këtij viti organizatorët e Formula 1H2O e anuluan kampionatin ndërkombëtar të sporteve të ujit në Shqipëri. Faktoje u interesua pranë organizatorëve mbi arsyet e vendimit për tu tërhequr nga garat e ujit në Pogradec, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.
Përfundim
Nisur nga verifikimi i kryer dhe të dhënat e mbledhura, premtimin e kryebashkiakut të Pogradecit Ilir Xhakolli se ‘Pogradeci do të kthehej në epiqendrën botërore të sporteve ujore për 7 ditë’, do ta kategorizojmë si të pambajtur.