Antiparazitarët ende pa prova shkencore si barna kundër kancerit

15

Pretendimi: Barnat antiparazitare Ivemectin dhe Fenbendazole përdoren për të shëruar kancerin e prostatës

Verdikti: E paprovuar

————————————————————-

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, vijon të shpërndahet promovimi i ilaçeve antiparazitar Ivermectin dhe Fenbendazole si një kurë çudibërëse që mund të përdoret për të trajtuar kancerin e prostatës.

Për të mbështetur këtë pretendim, megjithatë, nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.

Postimi pretendon se barnat antiparazitarë janë përdorur në një terapi eksperimentale që çoi në kurimin e plotë të një pacienti me kancer prostate të stadit 4. 

Megjithatë, ai nuk tregon se ku dhe kur ka ndodhur kjo mrekulli, ndërsa emri i pacientit fatlum apo mjekëve gjenialë që e shëruan nuk jepen.

Nëse një shërim i tillë i mrekullueshëm do të kishte ndodhur, një studim rasti do të ishte hapi minimal që do të merrej, në mënyrë që mrekullia të përsëritej për shërimin e çfarë është quajtur sëmundja e shekullit.

Fenbendazoli

Fenbendazoli është një ilaç që përdoret për të trajtuar infeksionet parazitare te kafshët. Ai vepron duke prishur mënyrën se si parazitët menaxhojnë energjinë, gjë që çon në vdekjen e tyre. Është licencuar për përdorim te bagëtitë dhe kafshët shtëpiake.

Studimet laboratorike që përdorin qeliza njerëzore kanë treguar se fenbendazoli është në gjendje të vrasë qelizat kancerogjene në mënyra të ndryshme. Gjithashtu është treguar se zvogëlon si agresivitetin ashtu edhe numrin e tumoreve të zorrës së trashë në qelizat e minjve. Studime të tjera kanë treguar se Fenbendazoli në kombinim me vitamina të ndryshme mund të ketë efekte antikanceroze te minjtë me limfomë.

Megjithatë, hulumtimet mbi qelizat e ngurta tumorale të gjirit nga minjtë nuk treguan asnjë përfitim në përdorimin e Fenbendazolit vetëm ose në kombinim me trajtimin me rrezatim. Hulumtime të tjera kanë vënë në dukje se efektet antikanceroze janë të kufizuara pasi ilaçi nuk është shumë i tretshëm.

Deri më tani, studiuesit nuk e kanë përjashtuar plotësisht fenbendazolin si një trajtim të mundshëm, por asnjë studim i besueshëm nuk ka demonstruar ende efektivitetin e tij kundër kancerit tek pacientët njerëzorë. 

“Rezultatet premtuese të marra nga qelizat kancerogjene janë vetëm fillimi”, tha për AFP në vitin 2023 Sheila Singh, drejtoreshë e Qendrës për Zbulimin e Kërkimeve mbi Kancerin në Universitetin McMaster. “Por pretendimi se mund të kurojë kancerin është thjesht jo-shkencor, pasi nuk ka të dhëna për të mbështetur këtë pretendim”, shtoi ajo.

Matías Norte, nga seksioni i kirurgjisë onkologjike të Hospital de Clínicas në Buenos Aires, tha për AFP se një ilaç “nuk mund të përgjithësohet në një, dy ose tre raste; ai duhet të ketë një mostër statistikore përfaqësuese”.

Sipas Andreia Melo, drejtuese e Divizionit të Kërkimeve Klinike dhe Zhvillimit Teknologjik në Institutin Kombëtar brazilian të Kancerit, nuk ka studime klinike të fazës 3 me substancën. Ky lloj kërkimi përfshin grupe të mëdha pacientësh dhe tregon efektivitetin e një ndërhyrjeje krahasuar me trajtimin standard për një gjendje të caktuar klinike.

Nevojitet një hulumtim në të cilin pjesëmarrësit caktohen rastësisht në grupe ku disa marrin ilaçin që po testohet dhe pjesa tjetër marrin trajtim standard. Grupet duhet të ndiqen për periudha të gjata, muaj ose vite. Këto quhen studime të rastësishme prospektive.

Institucionet kërkimore të kancerit, si Shoqata Amerikane e Kancerit, Instituti Kombëtar i Kancerit dhe Lidhja Kundër Kancerit, nuk e rekomandojnë përdorimin e Fenbendazol. Në mënyrë të ngjashme, as Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave, as Agjencia Evropiane e Barnave nuk e kanë autorizuar tregtimin e fenbendazolit për këtë qëllim.

Ivermektina 

Ivermectin është një mjekim antiparazitar, i cili në fillim nisi të përdorej te kafshët. Që nga 1987, Ivermectin përdoret tek njerëzit për të trajtuar parazitët si morrat e kokës dhe infektimet e lidhur me to si zgjebja.

Gjatë pandemisë, përdorues të rrjeteve sociale shpërndanë pretendimin e paprovuar se Ivermectin ndihmonte në kurimin apo parandalimin e Covid-19. Në 2021, Administratës amerikane për Ushqimin dhe Barnat (FDA) iu desh të lëshonte një paralajmërim zyrtar që këshillonte qytetarët mos të përdornin pastë Ivermectin për kafshët.

Studimet paraklinike (studimet in vitro dhe në kafshë) kanë demonstruar efektet antikanceroze të Ivermektinës, duke përfshirë frenimin e përhapjes së qelizave kancerogjene në lloje të ndryshme kanceri. 

Dr. Susanne Arnold, nga Qendra e Kancerit Markey në Kentucky, ShBA tha për Associated Press se ka patur studime paraklinike që eksplorojnë përdorimin e Ivermectin dhe ilaçe të ngjashme për të ngadalësuar rritjen e qelizave kancerogjene në laborator, me disa rezultate interesante. Megjithatë, ajo nënvizoi se studime të tilla nuk kanë vërtetuar se ilaçet funksionojnë te njerëzit.

Megjithatë, provat klinike tek njerëzit janë të kufizuara, dhe ende nuk ka studime të kontrolluara të rastësishme në shkallë të gjerë që konfirmojnë përfitimet terapeutike. 

“Unë nuk di asnjë raport të provave klinike që kanë dhënë rezultate të suksesshme te njerëzit me kancer,” tha Arnold.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) i tha Deutsche Presse-Agentur në gusht 2025 se “aktualisht nuk ka prova që mbështesin përdorimin e Ivermectinës si ilaç për kancerin.”

Studimet vëzhguese dhe raportet e rasteve nxjerrin në pah rreziqet e vetëmjekimit të nxitura nga mediat sociale që reklamojnë përfitimet e paprovuara të Ivermektinës për kancerin, të cilat mund të çojnë në toksicitet tek pacientët onkologjikë në disa raste. 

Pavarësisht të dhënave premtuese paraklinike, mungesa e provave klinike njerëzore në shkallë të gjerë kufizon dobinë e Ivermektinës në trajtimin e kancerit. Përballueshmëria e saj është tërheqëse në mjedise me burime të kufizuara, por sfidat etike lindin nga dezinformimi, i cili mund t’i çojë pacientët të heqin dorë nga terapitë e provuara. 

Disa studiues besojnë se Ivermectina mund të jetë premtuese kur përdoret në kombinim me ilaçe të tjera dhe po kryejnë studime të mëtejshme.

Peter Lee, kreu i Departamentit të Imuno-Onkologjisë në City of Hope, një nga organizatat më të mëdha për hulumtimin dhe trajtimin e kancerit në ShBA, drejton një ekip që po studion nëse Ivermectin mund të ndihmojë në trajtimin e kancerit të gjirit në kombinim me ilaçe të tjera.

“Ka sigurisht një të vërtetë që Ivermectin është në gjendje të vrasë qelizat e kancerit,” tha ai për AFP. “(Por) ajo duhet të kombinohet me një aktivizim imunitar. Dhe ne jemi në procesin e zbulimit të kësaj tani.”

Lee tha se regjimet e barnave që ekipi i tij po studion funksionojnë vetëm kur jepen në doza specifike në kohë specifike.

“Thjesht duke thënë se dikush mund të marrë pak Ivermectin nga një veteriner dhe mund t’ia hedhë – kjo nuk do të funksiononte aspak,” tha ai.

Ivermectin ka efekte anësore si skuqje të lëkurës, të vjella dhe dëmtim të mundshëm të mëlçisë.

“Ne dimë gjithashtu se Ivermectin në doza shumë të larta, në fakt mund të jetë toksike,” tha Lee. “Pra, padyshim, nuk duhet të jetë: shko gjej ca dhe merre vetë.”

Në vitin 2021, mes rritjes së numrit të rasteve drejtuar qendrave të helmimit, Departamenti kanadez i Shëndetit lëshoi ​​një paralajmërim kundër marrjes së Ivermektinës jashtë etiketës ose në versione për bagëtinë. “Kanadezët nuk duhet të konsumojnë kurrë produkte shëndetësore të destinuara për kafshët për shkak të rreziqeve të mundshme serioze shëndetësore, duke përfshirë kriza, komë dhe madje edhe vdekje”, tha institucioni.

Akos Heinemann, drejtues i kërkimit në departamentin e farmakologjisë në UnIversitetin Mjekësor të Grazit, tha për AFP se “dhënia ose marrja e Ivermektinës jashtë indikacioneve të saj të miratuara është neglizhencë e rëndë.”

Monika Redlberger-Fritz, studiuese në Qendrën për Virologji në UnIversitetin Mjekësor të Vjenës, u pajtua. “Ivermektina duhet të përdoret vetëm siç është autorizuar; të gjitha përdorimet e tjera nuk janë të rekomanduara”, tha ajo për AFP.

Instituti Kombëtar amerikan i Kancerit deklaroi se Ivermectin është miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e ShBA për trajtimin e disa infeksioneve parazitare, bazuar në gjetjet në provat klinike. Në të kundërt, “nuk ishte në dijeni të ndonjë prove klinike të ngjashme” që vërteton se Ivermectin është efektive kundër çdo kanceri.

Edhe pse historitë personale rreth barnave si Fenbendazoli dhe Ivermektina mund të ndahen sinqerisht, ato prapë mund të na drejtojnë në drejtimin e gabuar, për disa arsye. Shumë kancere shtohen dhe pakësohen. Skanimet mund të duken pak më mirë për arsye që nuk lidhen me një ilç të ri. Më tej, përmirësimet e vërejtura mund të vijnë nga kimioterapia, radioterapia, imunoterapia ose kirurgjia e kryer në të njëjtën kohë ose pak më parë.

Defekte të tjera të anekdotave personale kanë të bëjnë me çfarë njihet si “paragjykimi i të mbijetuarve,” kur historitë e suksesit marrin zë dhe përhapen, por dështimet mbeten të papublikuara. Më tej, dëmtimet mund të mos vihen re derisa të publikohen si studime zyrtare rastesh.

Mjekët mbështeten në modele studimi që mund ta ndajnë shapin nga sheqeri për të bërë rekomandime për trajtim.

Hierarkia e provave” është një kornizë që rendit besueshmërinë e provave, duke i dhënë më shumë peshë hulumtimit që përjashton më së miri gabimin dhe paragjykimin. Studimet klinike të rastësishme të kryera mirë (dhe meta-analizat e tyre) janë në krye të hierarkisë. Anekdotat dhe dëshmitë personale janë në fund fare. Kjo nuk i bën anekdotat të padobishme. Anekdotat shpesh janë shkëndija për kërkime të mëtejshme, por ato nuk mund të sjellin vetë vendime për trajtim.

Arsyeja pse udhëzimet kryesore të onkologjisë nuk përfshijnë ilaçe antiparazitare si Fenbendazoli dhe Ivermektina pasqyron boshllëkun aktual të provave. Hulumtimi i mëtejshëm është e vetmja mënyrë për t’i çuar këto ilaçe më lart në shkallë. 

Faktoje ka shpjeguar më parë se nuk ka ende prova të mjaftueshme klinike që tregojnë se ivermektina mund të përdoret për të trajtuar kancerin tek njerëzit në mënyrë efektive.