Ina Allkanjari
Transporti publik në Tiranë çalon kryesisht tek frekuenca e lëvizjes, kushtet e papërshtatshme të udhëtimit, por edhe sjellja e papërshtatshme e personelit në autobus, apo mosnjohja e librezave për marrjen e shërbimit falas. AMK, institucioni përgjegjës që kontrollon këtë shërbim publik, iu përgjigj zyrtarisht intresimit të Faktojes, bazuar në ankesat e marra nga qytetarët. Thuajse 1 muaj më parë bashkia Tiranë vendosi heqjen e lincencës operatorit të linjës së “Unazës”, për të cilën nga janari deri në shtator 2021, rezultojnë në Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit, 68 ankesa nga pasagjerët.
——————————–
Në 13 shtator kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj deklaroi heqjen e licensës për kompaninë që merret me menaxhimin e linjës së “Unazës”. Një vendim i cili sipas kryebashkiakut erdhi pas verifikimeve të kryera përgjatë periudhës së verës dhe abuzimeve të denoncuara nga përdoruesit e linjës.
Pas këtij vendimi “Faktoje” iu drejtua me një kërkesë për informacion në 14 shtator 2021, Agjensisë së Mbrojtjes së Konsumatorit në lidhje me gjetjet e konstatuara për linjën e “Unazës” dhe se çfarë do të ndodhë me linjat e tjera, për të cilat po ashtu ka ankesa të vazhdueshme të qytetarëve.
Screenshot Kërkesa për Informacion drejtuar Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit
Në përgjigjen e AMK, mbërritur në redaksinë e Faktojes në 11 tetor, renditen mangësitë e raportuara nga kontrollorët dhe qytetarët që përdorin këtë linjë.
“Duke vijuar kontrollin e përditshëm nga kontrollorët në terren, është konstatuar se Linja “Unaza” me operator të kontraktuar shoqërinë “Ferlut” sh.a ka operuar në linjë për një periudhë të gjatë kohore, me një numër të reduktuar mjetesh në të dy senset e tij, duke përgjysmuar mjetet dhe frekuencën. Edhe pas masave administrative të marra sistematikisht nga ana jonë, operatori nuk ka marrë masa për sistemimin e situatës. Kjo ka sjellë për pasojë pakënaqësi tek qytetarët që nuk kanë marrë shërbimin e kërkuar dhe kanë vijuar me ankesa të shumta të ardhura pranë AKM-së”- shkruan në përgjigjen e saj për Faktoje Agjensia e Mbrojtjes së Konsumatorit.
Përgjigja e Agjensisë së Mbrojtjes së Konsumatorit
AKM raporton se nga 68 ankesa të regjistruara për periudhën Janar-Shtator 2021, për shërbimin e transportit urban, shumica lidhen me vonesat dhe ecjen e ngadaltë të autobusëve të linjës së “Unazës”.
E pyetur se si paraqitet situata në linjat e tjera të transportit urban në kryeqytet, Agjensia e Mbrojtjes së Konsumatorit shkruan se në database të sektorit rezultojnë me ankesa të ndryshme thuajse të gjitha linjat e licensuara nga Bashkia Tiranë. Pjesa më e madhe e ankesave ka të bëjë me frekuencën e lëvizjes, mosfunksionim të sistemit të kondicionimit, sjelljen e personelit në autobusë e madje edhe mosnjohjen e librezave të lëshuara nga institucionet kompetente për udhëtimin falas në shërbimin e transportit urban.
Transporti publik, linja “Unaza” Tiranë
Gjatë monitorimit në terren “Faktoje” vazhdimisht ka raportuar problemet me kushtet në transportin publik në kryqytet.
Në fillim të shtatorit, Faktoje pyeti bashkinë se cilat ishin gjetjet e studimit, në përfundim të periudhës tremujore dhe cilat ishin linjat problematike të transportit urban në Tiranë.
Më 21 shtator, në redaksinë e Faktoje, mbërriti përgjigjja e Bashkisë Tiranë, e cila konfirmon se studimi është në proces dhe nuk ka përfunduar, ndaj është e pamundur vënia në dispozicion e tij.
Aktualisht në Tiranë operojnë 16 linja urbane me shtrirje në të gjithë qytetin, të cilat mundësohen dhe menaxhohen nga 11 kompani private, të cilat, sipas raportimeve, para se të shfaqej pandemia qarkullojnë rreth 200 mijë pasagjerë në ditë.
*Foto kryesore është marrë nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit