Pretendimi: Importi i grurit rus në Shqipëri dëshmon hipokrizinë e qeverisë ndaj Rusisë.
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————
Video e një anijeje që mban flamurin rus në portin e Durrësit po qarkullon në rrjete sociale si provë e hipokrizisë së qeverisë shqiptare në lidhje me qendrimin e saj kundrejt Rusisë.
Postimi i joqalbania në Instagram mban përshkrimin:
“Pavarësisht se Rama njoftoi shkëputjen kategorike me Rusinë në çdo fushë pas nisjes së luftës me Ukrainën, nuk dihet se për sa kohë mallrat rusë kanë furnizuar Shqipërinë.
Fasada diplomatike e solidarizimit me vendet e bojkotit duket se zuri vend vetëm gojarisht… pasi praktikisht Shqipëria jo vetëm që furnizohet nga Rusia me bazën e parë të produkteve të shportës ushqimore, por ky shtet eksporton një shumëllojshmëri mallrash në vendin tonë, duke përmendur këtu nga makinat.
As turistëve rusë nuk u është ndaluar hyrja në Shqipëri pasi shpeshherë janë raportuar nga qytetarët shqiptarë në JOQ, si provë të shprehjes “nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë”, e aplikuar nga kryeministri.”
Postimi ka marrë mbi 6 mijë pëlqime dhe komente të shumta nga ndjekësit. Megjithatë, një anije ruse që furnizon Shqipërinë me grurë nuk është ndonjë pamje e re në Portin e Durrësit, edhe pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, në Shkurt 2022.
Në periudhën Janar-Shtator 2022, Shqipëria importoi 42 mijë ton grurë nga Rusia. Sipas INSTAT, në vitin 2023 Shqipëria importoi mbi 70 mijë tonë drithëra nga Rusia.
Nga nisja e luftës, Shqipëria ka ndjekur politikat e BE në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë. Si rrjedhim, importi dhe eksporti i mallrave ushqimore me Rusinë nuk është prekur nga sanksionet, në linjë me qëndrimin e BE.
Si pjesë e sanksioneve ekonomike kundër Rusisë, Bashkimi Europian ka vendosur një numër kufizimesh lidhur me importin dhe eksportin. Në mënyrë që të minimizohet ndikimi negativ i sanksioneve në ekonomitë e shteteve, kufizimet nuk përfshijnë produktet e konsumit dhe produkte që kanë lidhje me shëndetin, farmaceutikën, ushqimin dhe bujqësinë.
Lista e produkteve që nuk mund të importohen nga Rusia
Porti i Durrësit konfirmoi gjithashtu pas interesimit të Faktoje se “gruri si dhe disa mallra ushqimore lejohen të futen edhe me anije ruse”.