Krerët e ambasadave të vendeve të BE, SHBA, Britanisë së Madhe dhe vëzhguesit e OSBE/ODIHR kanë qenë në terren që në hapje të procesit të votimit, duke ndjekur ecurinë e tij në qytete të ndryshme. Mesazhi i përbashkët i diplomatëve është përqënduar në thirrjen për votim të lirë dhe të pandikuar të qytetarëve në një proces që po ndiqet me interes edhe nga jashtë Shqipërisë.
Në orët e para të procesit të votimit, të dielën e 25 prillit, përfaqësuesit e trupit diplomatik, përfshirë edhe ambasadoren e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR ishin në terren për të vëzhguar ecurinë e votimit.
Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, gjatë vëzhgimit në disa qendra votimi në Shkodër u shpreh:
“Sikurse e kam thënë SHBA nuk mbeshtet një parti politike, apo një kandidat të caktuar politik, por ne mbështesim të drejtën e shqiptarëve për të votuar. Vërtetë shpresojmë që çdo qytetar shqiptar të ketë mundësinë të shkojë të votojë i lirë nga çdo frikë dhe çdo lloj ndërhyrjeje. Kjo është dita juaj!”
Në postimin në rrjetet sociale Ambasadori i BE, Soreca shkruante:
“Delegacioni i BE, Ambasadat e vendeve anëtare dhe Zvicrës kanë shpërndarë 50 ekipe në terren për ndjekjen e procesit të votimit dhe numërimit”.
Ndërsa gjatë vëzhgimit në njësinë nr. 10 në Tiranë ku po aplikohet votimi elektronik, zoti Soreca, i cili i uroi punë të mbarë komisionerëve, tha:
“Ne do të vëzhgojmë në të gjithë Shqipërinë, por doja ta nisja ditën nga këtu ku po kryhet sistemin i ri i votimit. Ne mbështetemi tek puna që ju po bëni, tek gjithçka që ka të bëjë me procesin. Ka shumë njerëz që po i ndjekin zhvillimet në Shqipëri, nga jashtë Shqipërisë po ashtu, ndaj bëjeni punën tuaj sa më mirë të jetë e mundur”.
Ambasadorja e misionit ODIHR Ursula Gacek gjatë vëzhgimit të procesit të votimit në Tiranë:
“Të gjithë i kanë sytë nga zgjedhjet. Unë jam prej 17 marsit në Shqipëri, për vëzhgimin e parregullsive në proces.
Ne kemi vëzhgues në të 12 qarqet, por jemi ende duke mbledhur informacion, derisa të dalim me një përfundim lidhur me zgjedhjet”.
Ambasadori britanik Duncan Norman, gjatë vëzhgimit në Durrës, tha:
“Është e rëndësishme që ndërkombëtarët të monitorojnë zgjdhjet. Ne si ndërkombëtarë kemi 8 grupe vëzhgimi në vend dhe po mbështesim nëpërmjet projekteve tona me 600 vëzhgues afatshkurtër. Ajo çfarë duam të arrijmë përmes këtij vëzhgimi është që t’ju japim mundësinë qytetarëve të ndihen se mund dhe duhet të votojnë për partinë që dëshirojnë”.