Pretendimi: Tensionohet situata në Mitrovicë pas mbylljes nga policia kosovare të komunës serbe
Verdikti: Mungon konteksti
Mediat shqipfolesë kanë raportuar për tensione në veri të Kosovës, si pasojë e ndërhyrjes së autoriteteve vendase për të mbyllur një tjetër komunë paralele serbe.
“Tensione në veri të Kosovës, policia bastis komunën paralele serbe të Skënderajt”-shkruan portali “Lajmi i fundit” në 16 tetor.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në brendësi të shkrimit thuhet se policia ka mbyllur një zyrë serbe që pajiste qytetarët me dokumenta serbe në Mitrovicën e Veriut, duke shtuar se disa javë më parë, janë mbyllur edhe komunat e tjera paralele që kanë qenë funksionale në veri.
Mirëpo, në artikull nuk raportohet për tension apo incidente, ndryshe nga çfarë thuhet në titull. Ne bëmë një kërkim të mëtejshëm. Në informacionet e dhëna nga Policia e Kosovës raportohet vetëm për mbylljen e një komunë paralele serbe të Skënderaj.
“Gjatë patrullimit në veri persona të panjohur, të cilët po frekuentonin një zyrë dhe se pas verifikimit të personit përgjegjës është identifikuar se kjo zyrë vepron si pjesë e strukturave ilegale dhe është përgjegjëse për komunën e Skënderajt”, njoftuan autoritetet e Kosovës.
Më tej policia shtoi se me urdhër të prokurorit, zyra është mbyllur dhe nga ajo janë sekuestruar prova dhe materiale të tjera, ndërsa personat përgjegjës do të merren në pyetje.
“Kallxo” raporton se policia ka vërtetuar që janë lëshuar dokumente ilegale të falsifikuara nga ky objekt.
“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dokumente dhe pajisje, të cilat vërtetojnë se në këtë objekt ilegal janë lëshuar dokumente ilegale të falsifikuara”, thuhet në njoftimin e autoriteteve.
Mirëpo, në asnjë raportim nuk njoftohet që të ketë pasur tensione në veri të Kosovës, siç raporton portali “Lajmi i fundit”.