.

.

BallinaPertejAkuzat e SHBA për korrupsion ndaj Berishës, SPAK: Nuk kemi dijeni për këta persona

Akuzat e SHBA për korrupsion ndaj Berishës, SPAK: Nuk kemi dijeni për këta persona

Ina Allkanjari

Struktura e Posaçme Anti Korrupsion nuk ka regjistruar çështje penale ndaj ish kryeministrit Sali Berisha. Kur kanë kaluar 8 muaj nga shpallja e tij non grata dhe autoritetet e SHBA e akuzojnë për korrupsion, SPAK iu përgjigj zyrtarisht Faktoje se nuk është në dijeni të këtyre personave, kur u pyet përmes një kërkese për informacion nëse ka nisur hetim kryesisht apo nëse ka kërkuar prova përmes letërporosisë. Konstatimi për mosmarrjen e hapave ligjore, u bë edhe nga i dërguari i SHBA për rajonin Gabriel Eskobar gjatë një interviste në dhjetor në News 24.

——————————-

“Në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij, në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë” – deklaroi publikisht Sekretari i shtetit Amerikan Antony J. Blinken nw maj 2021.

Mesazhi në Twitter i zyrtarit tw SHBA Blinken, 19 maj 2021

“Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”- shkruante Sekretari Amerikan i Shtetit në postimin e publikuar në profilin e tij në Twitter nw maj 2021.

Prej asaj kohe në Shqipëri pati një sërë reagimesh dhe zhvillimesh të rëndësishme në aspektin politik, që kulmuan me përjashtimin nga grupi parlamentar i deputetit Sali Berisha, ndarjen në dy fronte kundërshtare të Partisë më të madhe opozitare dhe vendimmarje të secilit prej tyre mbi drejtimin e partisë, një padi gjyqsore për falsifikim të simboleve deri në ndryshim të statutit të partisë më 18 dhjetor 2021 dhe vendimin se shpallja non-grata nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e papajtueshme me çdo funksion drejtues në Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Por përtej këtyre zhvillimeve, Faktoje ka konstatuar se (të paktën publikisht) nuk ka patur ndonjë komunikim për nisje të hetimit ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, konstatim i cili u artikulua edhe nga dërguari special i SHBA, për rajonin e Ballkanit, Gabriel Escobar, në një intervistë për gazetarin Sokol Balla në muajin dhjetor.

“Ku janë prokurorët, hetuesit dhe autoritetet në vendin tuaj? Ne e bëjmë sipas ligjeve tona, por dhe ju keni disa në vendin tuaj. Nëse doni ta dini, hetoni.”-tha ndër të tjera Escobar.

Bazuar në Kodin e Procedurës Penale, Neni 281 prokuroria, në këtë rast SPAK i cili ka mision të hetojë çëshjtet korruptive, duhej të kishte nisur hetim kryesisht.

Neni 281 për nisjen e hetimit kryesisht, me iniciativë, Kodi i Procedurës Penale

Ky argument, përforcohet edhe nga “Udhëzuesi për hetimin e korrupsionit dhe krimit financiar”.

Citim nga “Udhëzuesi për hetimin e korrupsionit dhe krimit financiar” një bashkëpunim i zyrës së OPDAT me juristë vendas, në kuadër të projektit të BE

Ndërkohë për rastin konkret, kur akuzat janë artikuluar nga përfaqësues të autoriteteve jashtë juridiksionit, Neni 509 i Kodit të Procedurës Penale përcakton kërkimin e provave nga hetuesi/prokurori përmes letërporosisë, mekanizëm që bëhet i mundur nga Ministria e Drejtësisë.

Neni 509 i Kodit të Procdurës Penale për letërporositë

Më datë 20 dhjetor, Faktoje iu drejtua me një kërkesë zyrtare për informacion Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nëse ka nisur hetim kryesisht për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe nëse ka dërguar letërporosi për provat dhe aktet që disponojnë autoritetet gjyqësore të huaja pas deklaratave zyrtare te SHBA, mbi çështjet e korrupsionit ndaj tij.

Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar SPAK datë 20.12.2021

“Në përgjigje të kërkesës tuaj për informacion, informojmë se nuk kemi informacion në lidhje me këta persona”

Screenshot, përgjigja e SPAK datë 24.12.2021

Pas kësaj përgjigjeje ne vendosëm të kontaktojmë drejtpërdrejt kreun e Spak, zotin Arben Kraja duke i drejtuar të njëjtën pyetje përmes platformës whastapp. Pas këtij mesazhi nuk patëm një përgjigje nga zoti Kraja.

Screenshot mesazhi në whatsapp drejtuar kreut të SPAK, Arben Kraja datë 28.12.2021

Pas një takimi të realizuar në muajin shtator mes ambasadores amerikane Yuri Kim dhe kreut të SPAK, Arben Kraja, Kim i bëri thirrje SPAK dhe ajo i theksoi pritshmëritë e SHBA-ve që të ndiqen penalisht personat e përfshirë në korrupsion apo krim të organizuar.

Screenshot, postimi i Ambasadores Yuri Kim datw 8 shtator,pas takimit me kreun e SPAK

“U takova me kreun e SPAK Arben Kraja, për të theksuar pritshmëritë e SHBA-ve që SPAK në Shqipëri do të ndjekë penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar, pavarësisht se sa i fuqishëm apo i pasur mund të jetë, pavarësisht se cilës parti i përket. Me më shumë prokurorë dhe hetues të rinj të BKH, SPAK po jep gjithnjë e më shumë rezultate, çdo ditë.”-deklaroi ambasadroja e SHBA në Tiranë, Kim.

Edhe në 20 dhjetor , Ambasadorja e SHBA Yuri Kim vlerësoi publikisht punën e SPAK dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit:

“Më ka lënë mbresa guximi juaj për të mbrojtur drejtësinë për të hetuar këdo që ka nevojë të hetohet, pavarësisht pozicionit, për ta bërë të pastër. Puna juaj po ndërton një BKH që do të zërë një pjesë të rëndësishme. BKH shqiptare do të jetë pjesë e hetimeve penale. Vendi ka qenë në pritje të këtij çasti. SHBA dëshiron që të falënderoj prokurorët e SPAK për luftën kundër korrupsionit. vetëm së bashku mund të merrni përsipër sukses. Zbulimin, hetimin të veprave penale.”- tha ajo.

 

*Foto kryesore e marrë nga Transparency International Ukraine 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img