Pretendimi: Kjo video tregon tragetin Vlorë-Brindizi që godet urën që lidhte Barin me Vlorën

Verdikti: E pavërtetë

————————-

Video e përplasjes së një anijeje me urën Francis Scott Key në Baltimore, ShBA po shpërndahet në rrjete sociale me pretendimin se tregon tragetin Vlorë-Brindizi që godet “urën që lidhte Barin me Vlorën”.

Ky pretendim është qartësisht i pavërtetë, ashtu siç e kanë identifikuar edhe një pjesë e komentuesve të këtij profili që promovon në Instagram lajme lokale nga qyteti i Vlorës dhe ka ndjekës të shumtë.

Që në pamje të parë lexuesi sheh se në cepin e sipërm, majtas, së videos lexon “Baltimore”. Kjo sepse video e mësipërme tregon momentin kur një anije mallrash goditi urën Francis Scott Key në Baltimore, ShBA, më 26 Mars 2024.

Si rezultat i këtij aksidenti, ura u shemb dhe 2 persona mbetën të vdekur, ndërsa 4 të tjerë prezumohen të vdekur.

Më tej, pretendimi se video tregon goditjen e urës që lidh Barin me Vlorën është absurd sepse një urë e tillë nuk ekziston, dhe nuk ka ekzistuar ndonjëherë.

Distanca mes Barit dhe Vlorës është 233 kilometra. Ura më e gjatë në botë, ura Danyang–Kunshan, është 164.8 km e gjatë.