Gati dy vite nga çelja e negociatave nga Komisioni Europian, Shqipëria ende nuk e ka mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Drejtues politikë nga qeveria garantojnë se Shqipëria i ka bërë të gjitha “detyrat e shtëpisë” dhe se nuk ka asnjë vend anëtar të BE-së që të ngre problematika që pengojnë hapjen formale të negociatave. Me anë të 28 kërkesave për informacion dhe opinioneve të ekspertëve të fushës, “Faktoje” verifikoi se edhe shtetet ‘skeptike’ ndaj pranimit të Shqipërisë në BE, si Holanda apo Danimarka më në fund kanë shprehur dakordësinë se vendi ynë i ka bërë vërtetë detyrat.
————————–
“Shqipëria i ka bërë të gjitha “detyrat e shtëpisë” dhe nuk ka asnjë vend anëtar të BE-së që të ngrejë problematika që pengojnë hapjen formale të negociatave.” – deklaroi zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj më 18 janar 2022, në një konferencë për mediat në Tiranë, ku e pranishme ishte edhe Anna Luhrmann, ministrja gjermane e Shtetit për Europën dhe Klimën
“Faktoje” dërgoi 27 kërkesa për informacion, respektivisht në Ministritë e Jashtme të çdonjërit nga vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe një tjetër ftesë për koment drejtuar Komisionit Europian.
Kërkesë për informacion drejtuar Komisionit Europian
“Si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet për negociatat e anëtarësimit. Komisioni do të mbetet në kontakt me të gjitha palët dhe do të punojë me Presidencën për të arritur qëllimin tonë të përbashkët, për fillimin zyrtarisht të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur.” – thuhet në përgjigjen e Komisionit Europian pas interesimit të “Faktoje”.
Përgjigje nga Komisioni Europian
Ngjashëm, por në mënyrë të drejtpërdrejtë u përgjigj edhe Franca.
“Ne kemi shprehur qartë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur kushtet për t’u ulur në Konferencën e Parë Ndërqeveritare, e cila pritet të mbahet së shpejti.” – thuhet në përgjigjen e shtetit që mban prej 1 janarit Presidencën e Bashkimit Europian.
Gjermania, e cila mbajti Presidencën e Bashkimit Europian në 6-mujorin e dytë të vitit të shkuar, i dha përgjigje pyetjeve të drejtuara duke cituar ministren Shtetit për Europën dhe Klimën, Anna Luhrmann.
“Shqipëria ka bërë vitet e fundit një progres të konsiderueshëm në demokraci, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut. Po ashtu janë krijuar strukturat për një përballje të vendosur me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kjo meriton njohje dhe mbështetje. Në këtë rrugë duhet të vijohet më tej me vendosmëri në mënyrë që procesi i reformave të mos bëjë hapa pas”.
Edhe Portugalia, mbajtësja e Presidencës së Bashkimit Euopian në mandatin janar-qershor 2021 pohoi qëndrimin pro avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Portugalia mbështet mbajtjen e konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, sa më shpejt të jetë e mundur, pas miratimit të kuadrit negociator nga Këshilli.” – thuhet në përgjigje.
“Faktoje” pyeti edhe Bullgarinë, shtetin i cili prej dhjetorit të vitit 2020 ka vendosur një “veto” ndaluese ndaj Maqedonisë së Veriut, për vijimin e kësaj të fundit në rrugën drejt uljes në tryezën e Konferencës së Parë Ndërqeveritare së bashku me Shqipërinë.
“Bullgaria ka qenë gjithmonë mike e sinqertë dhe partnere e qëndrueshme e Shqipërisë dhe ka mbështetur vazhdimisht integrimin e saj europian dhe euroatlantik. E udhëhequr nga parimi kyç i meritave të secilit vend kandidat, Bullgaria është e gatshme të mbështesë miratimin e Kuadrit Negociator për Shqipërinë dhe mbajtjen e IGC-së së parë sa më shpejt të jetë e mundur” – konfirmon Ministria për Punët e Jashtme e Bullgarisë.
Përgjigje nga Bullgaria
Përgjigje pozitive dhanë edhe dy shtetet që më herët janë shfaqur skeptike e madje kundërshtuese të vijimit të Shqipërisë në rrugëtimin drejt BE-së, siç janë Holanda dhe Danimarka.
“Në qershor 2021, Holanda arriti në përfundimin se Shqipëria kishte përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga Këshilli në mars 2020. Për këtë arsye, Holanda ra dakord që Konferenca e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë të mund të zhvillohej. Vërtet Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë!” – thuhet në përgjigjen e Holandës.
Në linjë të përafërt u përgjigj edhe Danimarka.
“Vitin e kaluar Komisioni prezantoi raportin në lidhje me përmbushjen e kushteve nga Shqipëria, të vendosura në mars 2020. Danimarka u shpreh shumë e kënaqur që raporti ishte pozitiv. Prandaj ne mbështesim plotësisht hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë. Ne gjithashtu shpresojmë që kjo mund të ndodhë së shpejti.”.
Përgjigje
Përgjigje zyrtare nga Ministria e Jashtme e Danimarkës
Me tone pozitive dhe të hapura që Shqipëria të mbajë sa më shpejt të jetë e mundur Konferencën e Parë Ndërqeveritare, me qëllim avancimin në rrugën drejt Bashkimit Europian u përgjigjën edhe vendet e tjera të Bashkimit Europian.
Gledis Gjipali, drejtues i Lëvizjes Europiane në Shqipëri dhe njohës i çështjeve të integrimit argumenton:
“Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë, për të mbajtur konferencën Ndërqeveritare e cila hap praktikisht negociatat. Për këtë hap janë plotësuar kushtet e vendosura, ndërsa për të vazhduar në proces sigurisht që ka plot detyra të tjera për të realizuar.” .
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare Alban Dafa, nga Instituti për Media dhe Ndërmjetësim thotë se faji më ngecjen në vendnumëro të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së është i dy-kahshëm.
“Që prej 2016-s “detyrat e shtëpisë”, pra kriteret që duhet të plotësohen përpara se të kapërcehen pengesat e shumta në rrugën e anëtarësimit, kanë qenë gjithnjë në ndryshim e sipër. Këto ndryshime kanë ndodhur pjesërisht për shkak të tendencës së vendeve anëtare të BE-së për të ngadalësuar procesin e zgjerimit të “unionit” dhe pjesërisht për shkak të lojërave politike e mungesës së vullnetit të qartë të udhëheqësve politikë shqiptarë për të realizuar reformat për të cilat zotohen.” – thotë Dafa.
Shqipërisë iu çelën negociatat për anëtarësim më 24 mars 2020 dhe pas atij momenti, së bashku me Maqedoninë e Veriut duhej organizuar Tryeza e Parë Ndërqeveriatre në të cilën do të përcaktohej edhe korniza negociuese. Ky do të shënonte edhe hapin formal konkret drejt integrimit. Por Bullgaria vendosi veton për për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, për shkak të problemeve nga e kaluara, çfarë çoi në ngecjen e procesit. Zyrtarë nga Komisioni Europian si dhe përfaqësues të shteteve të BE-së janë shprehur se rruga e integrimit duhet të jetë e përbashkët për të dy vendet, duke pohuar në një mënyrë se për aq kohë sa Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të gjejnë një zgjidhje, pasojat do t’i vuajë edhe Shqipëria.