.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaAhmetaj: Gjysma e apartamenteve në Laç, gati në muajin mars

Ahmetaj: Gjysma e apartamenteve në Laç, gati në muajin mars

Rreth një vit e gjysmë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, në Laç vijojnë punimet për rindërtimin e lagjese së re. Pavarësisht se kjo vepër po zbatohet nga agjencia shtetërore turke TOKI, ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj garantoi në shtator të vitit 2020 se gjysma e apartamenteve do të ishte gati në mars të vitit 2021. Faktoje shkoi në Laç në fillim të muajit maj, më shumë se një muaj nga skadimi i afatit, por asnjë apartament nuk kishte përfunduar.

20 shtator të vitit 2020, ministri i Rindërtimit Ahmetaj ishte i pranishëm në Laç, ku sajti i lagjes së re të rindërtimit ishte kthyer në kantier ndërtimi. Ai garantoi qytetarët e Laçit se nga 524 apartamente të parashikuar në projekt, gjysma do ishin gati në mars të këtij viti.

“I garantoj qytetarët e Laçit në emër të qeverisë dhe në emër të kryeministrit që në mars, një nga sajtet do të jetë gati, pra gjysma e apartamenteve do të jetë gati dhe ndërkohë pjesa tjetër që është sajti i dytë, po brenda të njëjtit projekt, do të jetë gati për 3-4 muaj pas përfundimit të hapit të parë.” – tha ministri Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj më 20 shtator në kantierin e ndërtimit në Laç

Faktoje shkoi në Laç më 6 maj 2021 për të parë ecurinë e punës në terren, më shumë se një muaj nga skadimi i afatit që kishte vendosur ministri Ahmetaj. Në kantierin e lagjes së re në Laç, ku punonin aktualisht 630 punëtorë, nuk kishte përfunduar asnjë apartament. Ne biseduam me një inxhinier në zonën e ndërtimit, i cili na dha detaje mbi pallatet që do të ndërtohen, por refuzoi të përcaktonte një afat se kur do përfundonin apartamentet.

Kantieri i lagjes së re në Laç, 6 maj 2021

“Këtu do ndërtohen 524 apartamente dhe 37 dyqane, të cilat do të sistemohen në një njësi tregtare si dhe një pjesë e tyre do të inkorporohen në katet e para të godinave. Apartamentet do të ndahen në 13 blloqe, ose njësi. Nuk e dimë se kur do të përfundojë, por ekipet po punojnë në maksimumin e tyre që të përfundojnë sa më shpejt.” – tha për Faktoje inxhinieri i cili preferoi të mos identifikohet.

Kantieri i lagjes së re në Laç, 6 maj 2021

Ai u shpreh gjithashtu për Faktoje se apartamentet në këtë zonë nuk do të përfundojnë pjesë-pjesë, por i gjithë projekti në të njëjtën kohë.

“Do hapet e gjitha në të njëjtin moment. Kur të dorëzohet projekti, do dorëzohet si një i tërë”. – përmbylli ai.

Kantieri i lagjes së re në Laç, 6 maj 2021

Më pas ne iu drejtuam dhe Bashkisë Kurbin, e cila shërben si institucion koordinator për procesin e rindërtimit në qytetin e Laçit. Përfaqësues të bashkisë na konfirmuan informacionin e marrë në kantier.

“Nuk ka përfunduar asnjë nga 524 apartamentet e parashikuara në zonën që po ndërtohet nga agjencia TOKI. Një pjesë apartamentesh do të përfundojnë në gusht, ndërsa pjesa tjetër në shtator. Kur të përfundojë në shtator, priten të strehohen të gjitha familjet, të cilat nuk mund të futen më përpara ndërsa kantieri nuk është ende i përmbyllur.” – tha përfaqësuesja e Bashkisë Kurbin për Faktoje.

Kantieri i lagjes së re në Laç, 6 maj 2021

Pas informacionit të grumbulluar në terren dhe konfirmimeve zyrtare të marra nga Bashkia Kurbin, premtimin e ministrit Ahmetaj për përfundimin e banesave kolektive në Laç brenda muajit mars, do ta kategorizojmë si të pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img