Pretendimi: Sipas agjencisë gjermane të lajmeve “Deutsche Presse – Agentur”, aleanca qeverisëse në Gjermani mund të emërtohet ‘koalicioni shqiptar’

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————-

Ndërsa rezultati i zgjedhjeve të shkurtit 2025 në Gjermani tregon një fitore të qartë për liderin konservator të CDU/CSU, Friedrich Merz, atij do t’i duhet gjithsesi të formojë një koalicion qeverisës. 

Duke iu referuar këtij koalicioni, një artikull i RTSh citon agjencinë gjermane të lajmeve “Deutsche Presse – Agentur” të ketë raportuar se koalicioni mund të quhet ‘koalicioni shqiptar’.

Në kundërshti me titullin e tij, brendia e artikullit shpjegon se “agjencia gjermane e lajmeve “Deutsche Presse – Agentur” ka përjashtuar mundësinë që koalicioni i ri në Gjermani mes CDU/CSU dhe socialdemokratëve të njihet si “koalicioni i madh” ose GroKo, siç njihej në kohën e Angela Merkelit” dhe ka qenë gazeta britanike The Guardian që ka botuar versione të ndryshme të emrit të mundshëm të koalicionit, përfshi edhe “koalicioni shqiptar.”

Lexuesi kurioz që mund të mendojë se ky koalicion ka diçka të bëjë me shqiptarët, megjithatë, do të zhgënjehet. 
Sipas The Guardian, bazuar në një traditë të emërtimit të koalicioneve duke iu referuar flamujve të vendeve të tjera, sugjerimet e para ishin ta quanin “koalicioni shqiptar” ose “koalicioni angolan” (e zeza dhe e kuqja janë ngjyrat e dy partive CDU dhe SDP), por, ndër idetë më të pazakonta, dikush tha se mund të quhej edhe koalicioni “Coke Zero”.