Premtimi i ministres së Shendetësisë, Ogerta Manastirliu se spitali infektiv do të kishte përfunduar punimet në fund të muajit korrik, duket se kërkon ende kohë për t’u përmbushur. Punimet për rehabilitimin e godinës vijojnë dhe vënia e këtij spitali në punë, me të gjitha pajisjet, por edhe standartet e kërkuara duket se eshtë larg afateve të premtuara nga ministrja e Shëndetësisë. Emergjenca për trajtimin e të sëmurëve me Covid-19, vijon të jetë aktuale pasi numri i personave të prekur në këtë periudhë është i lartë
————————————————————————————————————-
Në muajin maj të këtij viti, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu inspektuan punimet për rikonstruksionin e Spitalit Infektiv në QSUT, ku u bë e ditur se në fund të korrikut do të përfundonte puna për këtë spital.
“Projekti parashikon një rinovim tërësor të ambienteve, por edhe një rikompozim të tyre, do të kemi në përfundim të këtij investimi 118 shtretër në këtë spital, do të dyfishohen kapacitetet e terapisë intensive. Në fund të korrikut ne përfundojmë”, premtoi ministrja Manastirliu në 26 maj të këtij viti.
Ky nuk ishte i vetmi premtim i bërë nga ministrja e Shëndetësisë për spitalin Infektiv. Në lidhje me përfundimin e punimeve në këtë spital, ministrja deklaroi sërish më 11 korrik se Infektivi do të ishte gati brenda muajit korrik, ndërsa në gusht do të ishte funksional për të ofruar shërbim.
“Jam e kënaqur që tashmë, ashtu sikurse e kemi premtuar, brenda muajit korrik mund të kemi një përfundim të punimeve në këtë spital. Dhe ky është synimi ynë, që fundi i muajit korrik të përfundojë nga pikëpamja e rehabilitimit të infrastrukturës spital i ri i sëmundjeve infektive në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’. Ndërkohë që bërja funksional i këtij spitali do të fillojë në muajin gusht, ku edhe do të kemi një hapje të këtij shërbimi të ri”, deklaroi Manastirliu.
Duke qenëse se interesi dhe nevoja e qytetarëve është e madhe për këtë spital, pasi vendi ynë po përballet me shifra në rritje të të prekurve nga Covid-19, Faktoje vendosi të bëjë një verifkim në terren, për të parë nga afër ecurinë e punimeve. Ne ishim më 1 gusht në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, në kantierin e ndërtimit të Spitalit Infektiv.
Nga verifikimi në terren konstatuam se aty vijonte ende puna për përfundimin e godinës së spitalit. Punonjës të shumtë ishin në kantier, ndërkohë dukej qartë që kishte ende punë përpara që të përfundonin punimet për rikonstruksionin e Spitalit Infektiv.
Punimet në Spitalin Infektiv, 1 gusht 2022
Punimet në Spitalin Infektiv, 1 gusht 2022
Ne pyetëm punonjës në kantierin e ndërtimit, të cilët u treguan të rezervuar në dhënien e informacionit, duke u shprehur vetëm që shumë shpejt do të jetë gati, por nuk dhanë një datë të përfundimit të punimeve.
Punimet në Spitalin Infektiv, 1 gusht 2022
Në tabelën e punimeve që ishte në kantier theksohej se punimet kishin nisur në muajin mars të vitit 2022, por nuk përcaktohej data e përfundimit të tyre.
Tabela e punimeve në kantierin e ndërtimit të Spitalit Infektiv, 1 gusht 2022
Kostoja dhe projekti i Spitalit Infektiv
Sipas tabelës së punimeve, vlera e kontratës është 5.610,000 euro përfshirë TVSH-në. Po në lidhje me vlerën e investuar dhe projektin e Spitalit Infektiv, Manastirliu bëri të ditur në muajin maj se projekti parashikon dyfishim të kapaciteteve të reanimacionit dhe shtim të kapaciteteve dhe në repartin e urgjencës. “Investimi në Spitalin Infektiv për ta kthyer në një qendër reference për sëmundjet infektive, ka nisur prej muajit mars, një investim prej 5.6 milionë euro që parashikon jo vetëm rehabilitimin e spitalit, por edhe një shtesë për të zgjeruar kapacitetet pritëse dhe kryesisht për shërbimet e terapisë intensive, kjo në kuadër të planit tonë për përballimin e emergjencave për sëmundjet infektive”, tha asokohe Manastirliu.
Më tej shtoi: “Spitali do të ketë të gjithë pajisjet e nevojshme të fjalës së fundit të teknologjisë si dhe do të investohet për të gjithë rrjetin e monitorimit të të gjithë aktivitetit të spitalit, në ndërtimin e rrjetit të të dhënave, për monitorimin e pacientëve në kohë reale. Spitali i ri Infektiv do të jetë i pajisur edhe me auditor dhe salla leksioni për studentët e mjekësisë”.
Shërbimi për pacientët
Shërbimi për pacientët e prekur nga Covid-19 po ofrohet brenda ambienteve të QSUT, në atë që njihet si spitali Covid-3.
Spitali Covid-3, ku po marrin shërbimet pacientët, 1 gusht 2022
“Për sa i përket planit të përgjigjes në aspektet e gjithë shërbimit spitalor, tashmë të gjithë pacientët që janë në trajtim, janë transferuar në spitalin Covid 3. Një riorganizim është bërë me drejtorinë e QSUT për të pasur të gjitha materialet, mjetet e nevojshme, në mënyrë që të mos kemi asnjë problematikë për të bërë të gjithë atë trajtim që ndodhte në Spitalin Infektiv.
Për sa i përket numrit të shtretërve në spitalin Covid3 është aktualisht i bollshëm për rastet që kemi aktualisht. Por nëse kemi apo do të kemi në vijim rritje të numrit të rasteve që kërkojnë dhe trajtim spitalor padyshim që skenarët tonë të planit të përgjigjies për këtë periudhë janë të gatshëm, qoftë përsa i përket strukturave spitalore në spitalet rajonale, qoftë përsa i përket strukturës spitalore të spitalit ‘Shefqet Ndroqi’, qoftë përsa i përket strukturës Covid 4”, njoftoi Manastirliu në muajin mars.
Rritja e shifrave të të prekurve nga Covid-19 e bën domosdoshmëri vënien në funksion sa më parë të këtij spitali. Të dhënat e datës 1 gusht 2022 nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se aktualisht në spitalin Covid-3 po marrin trajtim 35 pacientë, ndërsa 716 persona rezultojnë të infektuar në 24 orët e fundit nga 645 testime të kryera.
Po të krahasojmë me 1 gusht të një viti më parë vihet re se ka një rritje të dukshme të shifrave. Në të njëjtën periudhë vjet raportoheshin vetëm 40 raste të të infektuarve me Covid-19, nga 2568 testime të kryera.
Në muajin mars të këtij viti, Manastirliu njoftoi nisjen e zbatimi të projektit për rehabilitimin e plotë dhe zgjerimin e kapaciteteve të Spitalit Infektiv në QSUT.
Ndërkohë, në qershor ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur Marrëveshjen e Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin shtesë për spitalet, përmes projektit “Përmirësimi i Sistemit Shëndetësor”.
“Kjo marrëveshje synon që të përmirësojë sistemin shëndetësor duke pasur fokus në reformën spitalore. Financimi shtesë është në vlerën 25 milionë euro dhe ndahet në tre komponentë. Në komponentin e përmirësimit të infrastrukturës; në komponentin e përmirësimit të menaxhimit të informacionit shëndetësor dhe në komponentin e tretë monitorim, vlerësim, menaxhimin e projekteve dhe asistencës teknike”, deklaroi ajo.