Një skemë mashtrimi, ku pretendohet se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po shet valixhet e humbura me 1 euro, po qarkullon në Facebook. Faktoje verifikoi se kemi të bëjmë me faqe të rreme, që ka si qëllim marrjen e të dhënave private të qytetarëve.
Postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendojnë se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po shet valixhet e humbura me vetëm 1 euro.
“Aeroporti shkarkon magazinën e tij dhe shet bagazhet e humbura për 1 €. Të gjitha valixhet janë të mbushura plot me sende të ndryshme dhe pajisje elektronike. Dërgesë në mbarë vendin. Oferta e vlefshme vetëm online deri në fund të muajit. 60 ditë për t’u kthyer. Për të porositur, klikoni në butonin në reklamë dhe shkoni në faqen e internetit!”-shkruajnë profili me emërtimin Tirana International Airport në rrjetet sociale.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Publikimi shoqërohet me një foto ku duken valixhet dhe një tabelë ku supozohet se është çmimi i përcaktuar për këto bagazhe të humbura.
Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtij postimi. Kjo faqe, e cila pretendon se i përket TIA-s ka rreth 300 ndjekës në Facebook, duke nxitur dyshimet që kemi të bëjmë me një faqe të rremë. Gjithashtu, në postimin e bërë për valixhet vihet re se shumica e komenteve janë nga profile të huaja false. Komentet e bëra duket qartë që janë të sajuara, me qëllim rritjen e besueshmërisë te ndjekësit në rrjetet sociale.
Komentet e bëra në këtë postim
Nëse klikojmë linkun hapet një ëebsite i sajuar me logon e TIA-s dhe qëllimi i vetëm i tyre është vjedhja e të dhënave private të qytetarëve.
Ne kërkuam në faqen zyrtare të Tirana International Airport në Facebook, ku shihet se ajo ka 38 mijë ndjekës në rrjetet sociale dhe nuk shihet asnjë postim që të njoftojë për një ofertë të tillë.
Në lidhje me këto postime, ne iu drejtuar më një kërkesë për informacion edhe TIA-s, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë një përgjigje nga aeroporti.
Faktoje ka raportuar edhe më herët për skema të tilla mashtrimi, ku është përdorur identiteti i kompanive të rëndësishme në vendin tonë, duke bërë që qytetarët të bien pre e këtyre mashtrimeve.