.

.

BallinaPremtimeAeroporti i Kukësit funksional për asnjë ditë

Aeroporti i Kukësit funksional për asnjë ditë

ANXHELA RUÇI

Kukësi, një ndër qarqet më të varfëra në Shqipëri, që prej vitit 2005 është në pritje të hapjes së aeroportit “Airport Zayed bin Sultan Al Nahyan”, investim i cili supozohet të sjellë zhvillim në këtë zonë.

Në prill të 2018 kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim virtual me banorët e Kukësit për taksën e “Rrugës së Kombit”, por gjatë këtij bashkëbisedimi banorët nuk lanë pa përmendur edhe premtimin që u ishte bërë prej tij në fushatën zgjedhore të 2017 për rindërtimin e aeroportit të Kukësit.

Premtimit të mëhershëm, Rama iu përgjigj me një tjetër premtim duke iu dhënë shpresë kuksianëve se brenda 2018-ës ata do të udhëtonin nga ky aeroport. “Aeroporti i Kukësit do të hapet, procedurat kanë filluar…Jam shumë optimist që në vjeshtë aeroporti do të fillojë të  jetë operativ. Jam shumë optimist që në festat e fundvitit kuksianët që do të vijnë nga jashtë do të vijnë përmes atij aeroporti”, u shpreh ndër të tjera Edi Rama.

Duket se optimizmi i kryeministrit është kthyer në pesimizmin e kuksianëve, të cilët të pyetur nga “Faktoje” janë shprehur se ai ka qenë një premtim elektoral dhe se deri më sot nuk është marrë asnjë masë për ta bërë këtë aeroport funksional.

Në vjeshtë kur Rama premtoi që aeroporti do të ishte operativ, ai dha një tjetër deklaratë si për të bërë “mea culpa”. Këtë herë nga Kukësi, kryeministri ndryshoi jo vetëm periudhën kohore kur aeroporti do të ndërtohej por edhe procesin e zhvillimit të punimeve.

“Ambicia është që brenda muajit janar, maksimumi në fillim të shkurtit, të fillojë puna në kantierin e aeroportit.”, u shpreh Rama gjatë komunikimit me gazetarët e zonës.

Brenda një viti kalendarik kryeministri ka bërë dy premtime për këtë çështje. Në të parin (prill 2018) ai thotë se në vjeshtë nëpërmjet këtij aeroporti do të kryhen fluturime. Ndërsa në të dytin (tetor 2018) kryesocialisti tha se në janar, maksimumi në shkurt,  do të fillonte puna në kantier.

Në javën e parë të muajit shkurt, “Faktoje”, udhëtoi drejt Kukësit për të verifikuar nëse në aeroport ishte hapur ndonjë kantier ndërtimi, ashtu siç premtoi Edi Rama, për të patur një aeroport të ri, një terminal të ri apo një pistë të re. Nga çfarë pamë në terren, nga komunikimet me banorë të zonës apo nga roja i sigurisë në terren, puna nuk kishte filluar. Aeroporti kishte të njëjtën pamje, me të njëjtat objekte të ndërtuara që nga viti 2005, kohë kur janë mbyllur investimet e fundit. Ndërsa përpiqeshim të regjistronim objektin në fjalë, roja private që ruante këtë institucion tentoi të na pengonte në punën tonë pasi sipas tij kishte marrë urdhër nga lart (eprorët). I pyetur nëse kanë filluar punimet, ai e mohoi një gjë të tillë.

Për të mësuar më shumë në lidhje me ecurinë e punimeve në aeroportin e Kukësit, dërguam kërkesë për informacion edhe në adresë të ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo e fundit ende nuk ka kthyer një përgjigje zyrtare edhe pse afati kohor  parashikuar me ligj ka përfunduar.

Por premtimet e Edi Ramës për aeroportin e Kukësit duket se nuk kanë të mbaruar. Në seancën e parë parlamentare të vitit 2019, kryeministri nga foltorja “kërcënoi” opozitën se në zgjedhjet lokale të 2019-ës Partia Socialiste do të marrë edhe Bashkinë e Kukësit, pasi këtë qytet do ta bëjë me aeroport.

Në fakt kryeministri ka dhënë shumë premtime për ndërtimin e aeroportit të Kukësit, por e vetmja punë  zyrtare deri më sot në këtë aspekt, është shpallja e kompanive koncesionare që do të investojnë në Aeroportin e Kukësit, por se kur do të fillojë realisht puna në terren, nuk ka asnjë informacion.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img