Prej mesnatës së djeshme ka hyrë në fuqi Akti Normativ për masat e reja anti-covid. Akti thekson se maska mbrojtëse bëhet e detyrueshme jashtë mjediseve të shtëpisë. Ky është njoftimi që kryeministri Rama bëri në rrjetin social Twitter në datën 10/10/2020 për të njoftuar masën e re.
Në 14 tetor Instituti i Shëndetit Publik, përmes drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, shpalli “Udhëzuesin mbi përdorimin e detyrueshëm të maskave në ambjentet jashtë shtëpisë”, që paraqet kriteret e përgjithshme, rregullat dhe përjashtimet për përdorimin e barrierave mbrojtëse (maskave) në ambjentet jashtë shtëpisë, me qëllim zvogëlimin e përhapjes së mundshme të COVID-19.
Nisur nga këto masa “Faktoje bëri një vëzhgim në disa rrugë të Tiranës ku konstatuam se numri i personave që mbanin maska ishte rritur në krahasim me ditët e tjera, por sërish udhëzuesi nuk respektohej nga të gjithë. Gjatë vëzhgimit pamë se shumë të rinj e mbanin maskën të ulur. Drejtoresha e ISHP, Albana Fico gjatë deklaratës së saj ka rikujtuar qytetarët se mbajtja e maskës është e detyrueshme në çdo ambient jashtë shtëpisë dhe mos zbatimi i kësaj masë do të ketë penalitete sipas Aktit Normativ me 3 mijë lekë për shkelësit për herë të parë, dhe 5 mijë lekë për shkelje të përsëritur.
Se sa të zbatueshme do të jenë këto gjoba kjo mbetet t’u parë pasi edhe më herët Kryeministri Rama ka shpallur faljen e gjobave të vendosura gjatë karantinës apo shkeljen e masave që janë vendosur në kuadër të ndalimit të përhapjes së COVID-19.
Gjatë vëzhgimit tonë nëpër rrugë nuk vërejtëm forca policie të monitoronin respektimin e protokollit të ri në rrugë, por nga ana tjetër na u raportua se punonjës të policisë bashkiake kanë qenë në kryqëzimet e rrugëve kryesore të Tiranës. Policia Bashkiake e cila do të kryejë vëzhgimin ka në përbërje të saj 428 punonjës.
Gjatë vëzhgimit vumë re se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të cilët mbanin maskë nuk e përdornin atë plotësisht por e vendosnin poshtë fytyrës.
Në hyrje të Yzberishtit
Pranë ish parkut të Autobusave
Mbajtja e maskave u shpall e detyrueshme në shumë zona të Kinës që nga shfaqja e Sars-Cov2. Sidoqoftë, rregulla të tilla nuk shërbejnë për të mbrojtur nga infeksioni ata që mbajnë maskën, por për të mbrojtur të tjerët prej mikrobeve të mundshme që mund të ketë personi që mban maskë. Kjo gjë konfirmohet edhe në udhëzuesin e publikuar nga ISHP.
Në vëzhgimin tonë pamë se persona të cilët mund të kishin njohje nuk mbanin në mënyrë reciproke maskat duke e ulur, siç pretendojnë autoritetet efektin mbrojtes të tyre.
Ekpertët e shëndetit publik dhe epidemiologë kanë reaguar duke ilustruar me raste konkrete sesa pak efektive mund të jetë një masë e tillë.
“Në fillim te shtatorit Çekia vendosi përdorimin e maskave me detyrim! Sot, një muaj me vone, qeveria çeke, për shkak të rritjes progresive të rasteve Covid-19, njoftoi se, nga 14 tetori, të gjitha restorantet, baret dhe klubet do të mbyllen dhe shkollat do te kalojnë në mësime online; nuk do lejohen grumbullime mbi 6 veta.” Shkruan në rrjetin Facebook Epidemiologu Taulant Muka.
Nga ana tjetër vende të Europës si Italia, Gjermania, etj ku po shënohet gjithashtu rritje e konsiderueshme e numrit të të infektuarrv nga Covid-19, e kanë bërë të detyruar mbajtjen e maskës edhe në rrugë, bashkë me kufizime të tjera të disa aktiviteteve.