Në janar 2022 u hapën aplikimet për fondet e Ipard II, ku fermerëve vendas dhe emigrantëve iu bë thirrje të aplikojnë për të përfituar mbështetje për agroturizëm. Fondet në dispozicion arritën gati 10 milionë euro, shans i mirë për t’i dhënë një dorë sektorit, sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe pritshmërisë së ekspertëve. Por një verifikim për Faktoje dhe gjetjet e një auditimi të KLSH tregojnë mungesën e strategjisë së qartë për zhvillimin e këtij sektori. Për pasojë mungojnë edhe treguesit se sa produktiv ka qenë ky sektor, çka e bën të pamundur matjen e impaktit që këto investime kanë sjellë në zhvillimin e ekonomisë rurale.
Esmeralda Keta
“Agroturizmi është një mundësi e jashtëzakonshme për emigrantët, të cilët duan të investojnë kursimet e tyre. Nga ky investim do të mund të sigurojnë të ardhura më të larta sesa të ardhurat që sigurojnë nga puna në emigracion”, – u shpreh kryeministri Rama, në janar të vitit 2022, teksa prezantoi thirrjen e katërt të IPARD II.
Kryeministri, nuk e ka fshehur faktin se agroturizmi, është një prioritet për të. Si pasojë turizmi rural është kthyer në një sektor prioritar, edhe sa i përket mbështetjes me fondet e IPARD, si edhe nga skema e mbështetjes kombëtare.
E zhytur në kolaps dhe me një krizë të stërzgjatur që rrezikon ta çojë sektorin bujqësor drejt falimentimit, çuditërisht në janar të vitit 2022 u hap një thirrje e dedikuar nga fondet e IPARD vetëm për agroturzimin.
Fillimisht, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural e Shqipërisë (AZHBR), njoftoi se buxheti për këtë thirrje ishte 5.2 mln euro. Por në mes të vitit, AZHBR njoftoi se ky fond gati do të dyfishohej, duke arritur shifrën 9.8 milion euro. Nga ky fond, 75% ose 7.4 mln euro janë kontribut i BE dhe 25% ose 2.4 mln euro kontribut i buxhetit të shtetit.
Në përfundim të thirrjes përfituan mbështetje plot 30 biznese të reja në fushën e agroturizmit, duke e çuar në 90 numrin total të sipërmarrjeve që kanë si qëllim ofrimin e shërbimit të agroturizmit, përfshirë edhe fjetjen.
Më 18 dhjetor të vitit të kaluar, teksa në komisionet e ekonomisë, diskutohej mbështetja nga fondet e IPARD III, ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, i mori deputetët dhe i dërgoi për të parë nga afër suksesin e një sipërmarrjeje në Kashar, si një dëshmi e efiktivitet të fondeve të IPARD.
“Ky është një investim i rëndësishëm për Kasharin, për të tërhequr vizitorë, me kuzhinë ku mbizotërojnë produktet e fshatit dhe të zonës, të cilat kanë një mundësi të re tregtimi”, – shkruante ministrja e Bujqësisë, në rrjetin social “Facebook”, teksa e ilustronte vizitën me pamjet nga ky agroturizëm të mbështetur nga IPARD.
Në mars 2023 ne pamë nga afër kantinën që kishte promovuar ministrja e Bujqësisë. Bujtina ndodhet 15 km larg Tiranës, por krejt ndryshe nga koncepti i agroturizmit, në të vërtetë është një restorant modern, i vendosur në mes të Kasharit. I rrethuar me vreshta, ky agroturizëm nuk servir asnjë pjatë tradicionale. Edhe menuja e tij, nuk përmban asgjë që të ketë lidhje me traditën shqiptare e aq më pak të vetë zonës.
E megjithatë ky subjekt ka mundur të përfitojë në vitin 2019, duke aplikuar në masën 7 “Turizmi Rural”, nga fondet e IPARD II plot 196 mijë euro, nga 374 mijë euro që është projekti total.
Zotëruesi i këtij agroturizmi, që ka edhe një kantinë, ka aplikuar për “ambiente akomoduese në fermë, përfshirë të gjitha mjediset përkatese dhe pajisje për dhënien e shërbimeve B&B (fjetje dhe mëngjes)”.
Banorët përreth konfirmojnë se ky biznes i ri, nuk ka shfaqur interes për të blerë produktet e tyre bujqësore.
“Kemi pula fshati, gjalp, qumësht, perime, domate, kastraveca, speca…çdo gjë që ka fshati, por ky restoranti këtu nuk na i ka kërkuar asnjëherë. Dalim i shesim në Tiranë”, – na thonë disa banorë që takojmë përgjatë rrugës deri tek kantina.
Referuar kritereve të vendosura për ata që duan të zhvillojnë agroturizmin, “ushqimi dhe pijet e ofruara në këto struktura, duhet të jenë jo më pak se 30% të sasisë së tyre me origjinë nga ferma; jo më pak se 40 % të sasisë së tyre, me origjinë lokale, brenda territorit të bashkisë ku ushtrohet veprimtaria e agroturizmit dhe jo më shumë se 30% e sasisë së tyre me origjinë tjetër”.
Përveç verës që merret nga kantina, ky agroturizëm nuk ka asgjë tjetër prodhim të saj, apo të zonës ku operon.
Edhe ekspertët ngrenë shqetësime, se fondet e IPARD po keqpërdoren, dhe në të vërtetë nuk po shkojnë atje ku ka nevojë sektori i bujqësisë.
“Këto po i bëjnë jo njerëz fermerë, por biznesmenë. D.m.th kanë një biznes tjetër të suksesshëm dhe bëjnë edhe një agroturizëm, për të diversifikuar biznesin”, – thotë Eduart Sharka, nga shoqata e fermerëve. Sipas tij, mbështjetja ndaj këtij sektori nuk mund të mungojë, por ai nuk mund të jetë sektor prioritar punësimi për fermerët.
I të njëjtit mendim është edhe Ervin Resuli, veteriner dhe njohës mjaft i mirë i problemeve të bujqësisë e blegtorisë.
“Agroturizëm nënkupton investime që vihen në shërbim të mikrofermave apo personave që punojnë në këtë fushë. Në të vërtetë tek ne abuzohet. E bëjnë në fshat, ka dhoma, ka restorant në fund fare, produktet i blen në supermarket. Pra nuk i merr në zonë, që është edhe qëllimi kryesor i agroturizmit”, – thotë Resuli.
Vetë Ministria e Bujqësisë, sqaron për Faktoje se nuk ka asnjë favorizim të këtij sektori.
“Sektori i agroturizmit është pjesë e sektorit të ‘Turizmit të Natyrës dhe Rural’, konkretisht “diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit”. Nuk ka favorizim, sepse fondet janë të dedikuara sipas masave”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë për Faktoje.
IPARD II, duke filluar që nga viti 2018 ka vënë në dispozicion 94 mln euro për mbështetjen e bujqësisë, me qëllim forcimin e prodhimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, të cilat duhet të jenë të sigurta për tregun ndërkombëtar. Aktualisht është në fuqi IPARD III, i cili do të ofrojë mbështetje deri në vitin 2027.
Megjithatë ekspertët mendojnë se orientimi i fondeve të IPARD, ka rrëshqitur nga fokusi kryesor. Duke iu referuar strukturës së bujqësisë shqiptare ata mendojnë se duhen mbështetur fermerët që merren me bujqësi, pra që prodhojnë. Kjo favorizohet edhe nga pozicioni klimaterik i vendit tonë, që arrin të prodhojë produkte bujqësore 2 muaj para vendeve të tjera të rajonit, duke i dhënë epërsi në eksporte. Ndërsa agroturizmin, e shohin më shumë si një sektor ndihmës, që nuk arrin t‘i kapërcejë kufijtë e një ekonomie familjare.
“Duhet të mbuzotërojë ndërhyrja që mbështet fermerët që prodhojnë produkte bujqësore. Nuk mund ta kthejmë agroturizmin në ekonomi kombëtare, që të marrë peshë dhe të zëvendësojë atë vend që ka prodhomi bujqësor, pasi tek ne mbetet vetëm në kuadrin e një ekonomie familjare. Nuk mund të kthehet në industri”, – thotë Eduart Sharka.
Edhe një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka gjetur se agroturzimi tek ne po ecën kuturu. Institucionet kanë dhënë miliona euro, por nuk ka strategji, nuk ka politika. Si pasojë askush nuk e di se sa produktiv ka qenë ky sektor, duke e bërë të pamundur matjen e impaktit që këto investime kanë sjellë në zhvillimin e ekonomisë rurale.
“Me gjithë përpjekjet e bëra për zhvillimin e agroturizmit nga analiza e të dhënave të deritanishme vihet re mungesa e fokusit, agroturizmi nuk rezulton të jetë pjesë e një strategjie të dedikuar, për pasojë nuk ka parashikime dhe të dhëna që tregojnë planifikimin afatgjatë të burimeve të financimit dhe tendencën e tyre”, thuhet në raportin e KLSH të vitit 2021, që monitoroi sektorin e agroturizmit. Fq 8
Si pasojë e kësaj amullie, KLSh thotë se statistikat dhe të dhënat zyrtare që lidhen me agroturizimin mungojnë plotësisht. Askush nuk di me saktësi sa është numri i këtyre subvjekteve, sa është numri i të punësuarve në këtë sektor apo i vizitorëve që i frekuentojnë.
“Nga evidenca e grumbulluar gjatë auditimit u vu re një mungesë e përgjithshme e të dhënave zyrtare kur bëhet fjalë për Shqipërinë dhe asnjë institucion publik, përfshirë INSTAT-in, MZHBR apo Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit nuk po prodhon të dhëna rreth agroturizmit”, – thotë KLSH.
“Mungesa e të dhënave specifike e të përditësuara mbi agroturizmin cënon mundësinë e përcaktimit të politikave eficente për zhvillimin e sektorit”- raporton më tej KLSH.
Nga një bisedë telefonike me përfaqësues të INSTAT në lidhje me grumbullimin e statistikave mbi agroturizmin, na u konfirmua se INSTAT nuk disponon asnjë të dhënë të kësaj natyre.
Po ashtu KLSH raporton për mungesë të monitorimit të fondeve të përdorura nga skema kombëtare në masën e agroturizmit, përgjatë viteve 2018-2020.
“As AZHBR, as Ministria e Bujqësisë nuk ka kryer monitorim mbi investimet që janë kryer në sektorin e agroturizmit. Mungesa e monitorimit të “feedback” të këtyre fondeve të përdorura për agroturizmin nuk mundëson matjen e impaktit që këto investime kanë sjellë në qëllimin final zhvillimin e ekonomisë rurale dhe efektivitetin që politikat kanë patur”, – thotë raporti i KLSH, i cili saktëson se kur hartohen këto projekte janë të parashikuar shumë indikatorë që janë të matshëm.
Vetë ministria e Bujqësisë konfirmon për Faktoje se MBZHR, nëpërmjet programit IPARD II dhe IPARD III ka të përcaktuar indikatorë të matshëm për të gjitha masat në zbatim, por pa dhënë shpjegime nëse e ka matur ndonjëherë eficiencën e këtyre fondeve.
Avni Hysa, nga fshati Gur i Bardhë i Matit, u kthye pas 18 viteve emigrim në Angli për të ndërtuar një bujtinë në trojet e ish shtëpisë së vjetër. Paratë nga emigrimi nuk mjaftonin për të përmbushur ëndërrën e tij, ndaj aplikoi pranë fondeve të IPARD.
Ai u shpall fitues duke përfituar një mbështetje totale prej 353 mijë euro, nga të cilat 172 mijë euro janë kontribut i fondeve të BE dhe 57 mijë euro janë mbështetje nga buxheti i shtetit.
“Një agroturizëm me suksesin e vulosor që në nisje, pasi numri i turistëve që kërkojnë ta vizitojnë vjen gjithjë në rritje, nxitur edhe nga produktet tradicionale dhe natyra e rrallë e kësaj zone të veriut të Shqipërisë”, – shkruante kryeministri Edi Rama, në postimin e datës 30 nëntor 2022, teksa ndau pamjet nga bujtina “Te Mulliri” i Avni Hysës.
Vetë Avniu nuk është edhe aq optimist. Ky vit i parë i operimit ka qenë shumë i vështirë për të.
“Nuk dua të them se jam bërë pishman, se kam gruan afër dhe më thotë “të doli fjala ime”, – tregon ai me të qeshur, si për të inkurajuar veten.
“Isha përgatitur që vitet e para do ishte e vështirë, – thotë më tej ai. – të shpresojmë që gjërat do të fillojnë të ndryshojnë”.
I vendosur buzë rrugës së Arbërit, fshati Gurë i Bardhë, ndodhet vetëm 16 km nga qyteti i Klosit. Por terreni i thyer dhe mungesa e infrastrukturës rrugore, duket se po kthehet në një kosto të madhe për ata që duan të ndërtojnë një biznes të tillë.
“Nga rruga e Arbërit e deri tek bujtina jonë, janë 4 km rrugë të pashtruara, gjë që e vështirëson shumë ardhjen e klientëve, pasi është terren i thyer dhe duhet të kesh një makinë të mirë. Përgjithësisht kjo rrugë përdoret për gara “Rally” që duan terrene të vështira”- pohon Avniu.
Ai rrëfen se thuajse të gjithë autoritetet, përfshirë edhe kryetarin e bashkisë së Klosit, i kanë premtuar se do ta shtrojë rrugën, por deri më tani nuk është bërë gjë.
“Produktet i kemi të freskëta, pasi i marrim nga fshati, edhe punëtorët i kemi nga fshati, pasi ende nuk kemi ndonjë fluks të madh pune. Por nuk kemi rrugën, nëse do të bëhej rruga, kam shpresë se gjërat do të ndryshojnë”, – përfundon Avniu.
Për Ervin Resulin, agroturizmi ka benefitete në disa zona të caktuara, por vetëm nëse arrihet që tradita të vihet në dispozicion të turizmit. Sipas tij shembulli më i mirë është “Mrizi i Zanave” që ka arritur ta kthejë zonën në një atraksion të vërtetë kulinar dhe të rigjallërojë të gjithë ekonominë lokale të saj.
“Është një nismë pozitive që nuk duhet të mungojë në llojet e bizneseve që ka vendi ynë, por kurrsesi nuk mund të zëvendesojë prodhuesit vendorë. Ata të cilët presupozohet të prodhojnë sasira të konsiderueshme, perimesh, qumështi, mishi dhe ta drejtojnë tek nevojat e tregut apo për eskport” – përfundon ai.