.

.

BallinaPertejA po injektohet vaksina Pfizer pa autorizimin e institucioneve shëndetësore?

A po injektohet vaksina Pfizer pa autorizimin e institucioneve shëndetësore?

Aurora Shpataj

Që prej 11 janarit, kur në Tiranë nisi ‘aksioni’ për vaksinimin anticovid, të prezantuar befas nga kryeministri, ekspertë të shëndetësisë thanë se procesi nisi pa autorizimin e institucioneve përgjegjëse. Kërkesave të Faktojes për sqarim zyrtar, nëse ka një autorizim për vaksinën Pfizer, që mbërriti në rrethana të mistershme, nuk i është përgjigjur ende asnjë nga institucionet shtetërore. Ndërkohë, ekspertët tregojnë ligjet që po shkelen dhe pasojat.


Në emisionin “Opinion” me datë 12 janar të këtij viti, drejtori i zhvillimit të vaksinave në kompaninë GeoVax, në SHBA u shpreh i shqetësuar që vaksina Pfizer nuk është miratuar nga Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore e Shqipërisë.

“Deri më sot unë nuk kam parë një vendim formal të Agjencisë së Barnave në Shqipëri të aprovojë vaksinën Pfizer.”- tha Arban Domi në emision.

“Mund t’ju duket formale, por për mua është shumë e rëndësishme, sepse në shtyp nuk mund t’i merrni informacionet, por kur komisioni mblidhet dhe aprovon në mënyrë formale ata dijnë origjinën e vaksinës, kushtet e transportimit,kushtet e përdorimit dhe të gjithë elementët e nevojshëm për vaksinimin.”- theksoi Domi.

Asnjë sqarim nga Shëndetësia për formalizimin e vaksinës anticovid që erdhi në Shqipëri

Nisur nga deklarata e dy ekspertëve për nisjen e vaksinimit në mungesë të autorizimit nga institucionet përgjegjëse, Faktoje iu drejtua me disa pyetje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Kërkesa zyrtare për informacion drejtuar dy institucioneve të mësipërme.

Ndërsa jemi në pritje të përgjigjes zyrtare nga dy institucionet, për një çështje me interes të madh publik, ne pyetëm edhe këshilltaren për mediat në këtë ministri, por ende nuk kemi një përgjigje.

Ne bëmë një kërkim edhe në faqen zyrtare të Agjencisë së Barnave, por nuk gjetëm ndonjë njoftim, sqarim apo përditësim mbi nisjen e vaksinimit dhe vaksinën anti-covid të mbërritur në Shqipëri.

Publikimi i fundit në faqen zyrtare të Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Faktoje gjithashtu kontaktoi me koordinatoren e medias së Agjencisë së Barnave e cila hezitoi të përgjigjet duke na kërkuar që të prisnim afatin ligjor për kthimin e përgjigjes.

Si formalizohet procesi i vaksinimit sipas ekspertëve?

Teksa institucionet zyrtare, kanë hermetizuar informacionin për vaksinimin dhe vaksinën e mbërritur në rrethana ende të mistershme, ekspertët duket se janë në një mendje, kur rendisin shkeljet gjatë këtij procesi.

Ish-drejtori i Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Besnik Jakaj shprehet:

“Problemi thelbësor në sasinë e vaksinave që erdhi në Shqipëri ishte mungesa e transparencës, pra nuk u deklarua shteti dhurues. Agjencia e Barnave, që është autoriteti përgjegjës për kontrollin e cilësisë dhe sigurisë së barnave, kushteve të ruajtjes dhe shpërndarjes, që janë elemente thelbësorë në rastin e vaksinave tani, nuk bëri asnjë prononcim. Agjencia e Barnave ka detyrimin e lëshimit të autorizimit të importit dhe të autorizimit për tregtim.

Ligjërisht, vaksina duhej të kishte kaluar për miratim në disa institucione, përpara se të injektohet tek qytetarët, sipas Jakajt.

Ligji për barnat dhe pajisjet mjekësore  përcakton qartësisht institucionet çertifikuese që janë Agjencia e Ushqimit dhe Barnave  Amerikane dhe Agjencia Europiane e Barnave, sepse ne nuk kemi kapacitete për liçensimin sidomos të molekulave të reja që dalin në treg. Ne bëjmë analiza komformiteti. Pra është prodhuar një vaksinë, duhet të vijë standardi, mostra, kampioni, dosja teknike e procesit të prodhimit dhe modeleve të analizimit. Në këto kushte Agjencia e Barnave bën komformitetin e produktit, sipas dokumentacionit ligjor. Prandaj vaksina që vjen në Shqipëri duhet të çertifikohet nga këto dy institucione dhe pastaj Agjencia e Barnave duhet të marrë të gjithë dokumentacionin, se nuk është kryeministri që sjell vaksinën me çantë si të ishim në vitet 92’.”-thotë ai.

Mungesa e transparencës lidhur me vaksinën dhe procesin në tërësi, ul besueshmërinë e qytetarit tek institucionet, sipas vlerësimit të ekspertit, i cili e denoncon këtë fenomen si të rrezikshëm.

“Duhet të kemi parasysh që vaksina është një produkt imunobiologjik, me rrezikshmëri shumë të lartë nëse nuk transportohet në kushtet e duhura, në temperaturat e duhura frigoriferike të përcaktuara.

“Kjo është një vaksinë elektorale dhe është përdorur vetëm për propagandë dhe kjo sjell humbjen e besimit të institucioneve”-përfundon Jakaj.

Edhe Gazmend Koduzi, ish drejtues i ISKSH, aktualisht kreu i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike flet për shkelje në procesin e vaksinimit anti-covid.

“Ne kemi një shkelje të të gjithë procedurave të hyrjes së vaksinës në Shqipëri. Është ligji i barnave të vitit 2014 që përcakton mënyrën se si regjistrohet.

Gjithashtu ka dhe një rregullore, VKM që përcakton formatin dhe mënyrën e lejes së importit nga Ministria e Shëndetsisë për një bar.

Nga Agjencia nuk kemi një autorizim (ose të paktën nuk e kemi parë) që të tregojë se Agjencia ka marrë një vendim për lejimin e futjes së vaskinës Pfizer”.

Pjesë nga ligji për barnat dhe pajisjet mjekësore

*Foto e parë është marrë nga “zgjohushqiptar”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img